Ambasadorët në kurthin e dhunës

 

Nga Andi Bushati/
Një incident mediatik me ambasadorin gjerman Hemut Hofman është shndërruar në instrument për të parë një qasje të nxituar dhe tejet simpliste që ambasadat kryesore në Tiranë kanë shfaqur ditët e fundit. 

 

Ambasadori Hofman u gjend "rastësisht" në protestën e opozitës pikërisht në vendin ku një grup njerzish të pashpresë po tentonin të shkallmonin një bunker betoni me shkopij, dhe ti vinin atij zjarrin e zemërimit. Nuk dihet nëse në ato 5 minuta që ai ka ndejtur në rrugë e ka parë edhe ndonjë xham të thyer, apo ndonjë pllakë të hequr. 
 
Ajo që dihet është se nga disa media periferike opozitare u abuzua me prezencën e tij. Madje keqazi. Ai u paraqit si një mbështetës i opozitës që i përkrahte aktet e njerzve të saj.
 
Dhe ai vendosi të reagojë. E drejta e tij. 
 
Po pyetja që shtrohet është a mund ti përgjigjet një diplomat një abuzimi me një kundër abuzim? Një kalimi mase me një tjetër tejkalim?
 
Ambasadori i dërgoi të premten në mbrëmje një email mediave ku ai rrëfente se kish mbetur i tronditur nga ajo që kish parë në protestën e opozitës. E natyrisht me sloganin e gatshëm të fabrikuar edhe nga shumë homologë të tij edhe ai nxitoi të dënojë dhunën e demostratës.
 
Po përpara se ti marim të mirëqëna termat që na serviren nga ambasadat e huaja, le të ndalemi pak tek ato: ç'kishte tronditëse aty? Pse ato shkopij që valviteshin në ajër u përshkruan si simbole të dhunës ekstreme?
 
Natyrisht ambasadori i gjerman nuk qe i vetmi që ra në kurthin e ngritur nga propaganda qeveritare për ekzagjerimin e efektit dhunës në demostratën e PD-së. 
Menjëherë pas mitingut ambasada e ShBA-ve i dënoi ato: "akte të tilla si hedhja e gurëve, vënia flakë strukturave dhe dëmtimi i pronës publike nuk përputhet me vlerat demokratike" nënvizoi ajo.
 
Me po të njëjtën shpejtësi reagoi edhe selia e BE së në Tiranë. Retorika kundër demostrimit të forcës u shndërua në kryefjalë të përshkrimit të protestës. 
Dhe më ironikja e të tëra deklaratave ishte fjalia që i paraprinte tërheqjes së veshit për opozitën. Me një naivitet ekstrem thuhej se protestat janë një vlerë e demoktacisë, se e drejta për tu tubuar dhe demostruar është legjitime. Nënteksi i nënndërgjegjjes qe i qartë dhe gati racist: këta qytetarë të dorës së dytë ndoshta mund të privohen edhe nga e drejta për të protestuar.
 
Por pavarësisht nga këto, çështja kryesore e këtij debati të stisur është: pse nga diplomatët e huaj në Tiranë iu vu kaq shumë theksi akteve të forta të mitingut të opozitës duke anashkaluar mesazhet e tij reale?
 
Kush ishin më të rëndësishme, disa xhama të thyer, disa gurë të hedhur, njollosja e strehës deliranto -korruptive të kryeministrisë, nxirja e fasadave të institucioneve që nga brenda janë shume më të errëta sesa jashtë, apo ato që u thanë në protestë?
 
Duke mos dashur të merren me akuzat e mbështetura në kor nga afro 10 mijë njerëz, me denoncimin e tenderave, koncesioneve, parave për miqtë e kryeministrit, kriminelëve në parlament, propagandistët e qeverisë, menduan ti mbivendosin atyre denoncimin e akteve të demostruesve. Dhe kështu bënë.
Pikërisht në këtë kurth ranë me dashje dhe ambasadorët e Tiranës. 
 
Për disa arsye. E para sepse ende ata nuk janë miqësorë dhe nuk kanë besim tek opozita.
 
E dyta sepse prej 25 vjetësh janë po të njëjtit: idhtarë të stabilitetit përpara demokracisë.
 
E fundit dhe ndoshta më e rëndësishmja, sepse prej një çerek shekulli, në Shqipri, ata e kanë më të thjeshtë të bëhen me pushtetin.
 
I mbani mend? Që nga i famshmi Torkuado Kardili i cili mbështeste qeverinë e Partisë së Punës. Më pas erdhi Rajersoni që ngrinte dy gishtat në tribunat e mitingjeve të PD. Pastaj Paolo Foresti që kërkonte të mbronte Berishën edhe pas mbi 2000 të vrarëve të 1997. Pastaj Limprehti që u bë qesharak më shumë se me preferencat e tij hedoniste, me militimin e tij për pushtetin e socialistëve. Dhe në fund qe Arvizuja që i tha Berishës "burrë shteti" pasi vrau katër vetë.
 
Kjo është pra historia që në një farë mënyre na zbërthen dhe të tashmen. Edhe këtë rradhë selitë diplpmatike u shfaqën antiopozitare. Jo duke goditur PD, por duke përçudnuar në ekstrem mesazhin e protestës së saj. Sipas propagandës me të cilin atë e serviri Rama.
 
Edhe njëherë ambasadorët ranë në kurthin e pushtetit. 
 
Dhe kjo është puna e tyre. 
 
Por kjo na bën ne që ti marrim më pak seriozisht fjalët e tyre, dhe të mendojmë vetë më shumë. Sepse edhe ata që janë kundër PD-së, edhe ata që nuk i duan djegjet, xhamat e tyer, qoftë dhe fasadat e fëlliqura që mbulojnë një qeverisje të kalbur, e dinë se mesazhi kryesor i 8 djjetorit, nuk qe ai i dhunës./ Lapsi.al/

SHKARKO APP