Amendimi i legjislacionit detar shqiptar një sfidë serioze për mbrojtjen e interesit kombëtar

Nga Ermal Xhelilaj –
Aktualisht, nëse i referohemi çështjes së delimitimit të hapësirave detare apo marrëveshjeve ndërshtetërore me qëllim përcaktimin e zonave detare, problematika kryesore për Shqipërinë mbetet harmonizimi i plotë i legjislacionit kombëtar detar me të drejtën ndërkombëtare të detit, i cili ndikon drejt prosperitetit ekonomik, integrimit në BE dhe zhvillimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore me shtetet e tjera.
Delimitimi i saktë i kufijve detarë mes RSH-së dhe shteteve të tjera, normalisht kërkon hartimin e një kornize të qartë ligjore detare dhe institucionale për bashkëpunim rajonal, si dhe harmonizimin e plotë të legjislacionit kombëtar detar mbi delimimitimin e zonave detare me të drejtën ndërkombëtare.
Formulimi i saktë juridik i kornizës ligjore e institucionale, amendimi i legjislacionit detar konform normave ndërkombëtare, riorientimi i politikave detare dhe strukturimi në mënyrë efikase i institucioneve kombëtare detare, përbën çelësin e suksesit në mbrojtje të interesave kombëtare lidhur me konkludimin e traktateve bilaterale detare të Shqipërisë me shtetet rajonale.
Vakumi ligjor, paqartësitë me natyrë juridike, saktësimi i termave ligjor detar dhe përcaktimi problematik i prioriteteve juridike që pasqyron legjislacioni kombëtar detar, përbën një sfidë serioze jo vetëm për negocimin e marrëveshjeve detare në të ardhmen por edhe lidhur me progresin ekonomik, social dhe pozicionimin strategjik të Shqipërisë në sistemin rajonal.
Ushtrimi i sovranitetit e të drejtave sovrane mbi ujërat territoriale dhe zonat e tjera detare, konsiderohet gjithashtu një faktor i rëndësishëm për interesat kombëtare të Shqipërisë. Si rrjedhojë, amendimi i legjislacionit të brendshëm detar dhe harmonizimi i normave ligjore me të drejtën ndërkombëtare, mbetet një sfidë e njëkohësisht domozdoshmëri për Shqipërinë dhe interesat e saj kombëtare.

SHKARKO APP