“Amerika e para”. Pastaj konflikti global
Nga Nouriel Roubini
NEW YORK – Zgjedhja e Donald Trumpit si President i Shteteve të Bashkuara nuk përfaqëson vetëm një rritje të reagimit të fortë populist kundër globalizimit. Ajo gjithashtu mund të kumtojë fundin e Pax Americana – rendit ndërkombëtar të shkëmbimit të lirë dhe të sigurisë së përbashkët, që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e ndërtuan pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai rend botëror i udhëhequr nga SHBA ka mundësuar 70 vite prosperitetit. Ai mbështetet në regjime të orientuara nga tregu dhe liberalizimi i tregtisë, rritja e lëvizshmërisë të kapitalit dhe politikat e nev ojshme të mirëqenies sociale; mbështetur prej garancisë amerikane të sigurisë në Evropë, Lindjen e Mesme, dhe Azi, nëpërmjet NATO-s dhe aleancave të tjera.
Megjithatë, Trumpi mund të ndjekë politika populiste, anti globalizim dhe proteksioniste, që pengojnë tregtinë dhe lëvizjen e punës e kapitalit. Dhe ai ka hedhur dyshime mbi garancitë ekzistuese të sigurisë, duke sugjeruar që do të detyrojë aleatët e Amerikës që të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre. Nëse Trumpi e ka seriozisht për të vendosur “Amerikën të parën”, administrata e tij do ta zhvendosë strategjinë gjeopolitike të SHBA drejt izolacionizmit dhe unilateralizmit, duke ndjekur vetëm interesat kombëtare të atdheut.
Kur SHBA ndoqi politika të ngjashme në vitet 1920 dhe 1930, ajo ndihmoi për të hedhur farat e Luftës së Dytë Botërore. Proteksionizmi – duke filluar me tarifën Smoot-Hauley, që preku me mijëra mallra të importuar – shkaktoi kundërpërgjigje luftërash tregtare dhe të monedhës, që e përkeqësuan Depresionin e Madh. Më e rëndësishmja, izolacionizmi amerikan – bazuar në një besim të rremë se SHBA mbrohej prej dy oqeaneve – lejoi Gjermaninë naziste dhe Japoninë perandorake që të zhvillonin luftë agresive dhe kërcënonin të gjithë botën. Me sulmin kundër Pearl harbourit në dhjetor 1941, SHBA më në fund u detyrua që të nxjerrë kokën nga rëra.
Edhe sot, një kthim i SHBA në izolacionizëm dhe ndjekja vetëm e interesave kombëtare të Amerikës, mund të shpjerë në një konflikt global. Edhe pa perspektivën e një shkëputjeje të amerikanëve nga Europa, BE dhe eurozona edhe kështu shfaqen që po shpërbëhen, sidomos pas votimit pro Brexit në Mbretërinë e Bashkuar në qershor 2016, si dhe referendumit të dështuar të Italisë mbi reformat kushtetuese në dhjetor 2016. Veç kësaj, partitë e ekstremit të majtë dhe të djathtë në Europë mund të vijnë në pushtet në Francë dhe Itali, e ndoshta edhe në pjesë të tjera të Europës.
Pa një angazhim aktiv të SHBA në Europë, një Rusi agresive revanshiste do të zërë boshllëkun. Që tani Rusia po sfidon SHBA dhe BE në Ukrainë, Siri dhe vendet Balltike, si dhe në Ballkan, dhe ajo mund të shfrytëzojë kolapsin e mundshëm të BE-së, duke rivendosur influencën e saj në vendet e ish bllokut sovjetik, si dhe të mbështesë lëvizjet pro Rusisë brenda Europës. Nëse Europa e humbet gradualisht ombrellën e sigurisë që i jep SHBA, askush nuk do të përfitojë më shumë, se sa presidenti rus, Vladimir Putin.
Propozimet e Trumpit gjithashtu rrezikojnë të përkeqësojnë situatën në Lindjen e Mesme. Ai ka thënë se do ta bëjë Amerikën të pavarur energjetikisht, gjë që nënkupton braktisjen e interesave të SHBA në rajon dhe mbështetjen më shumë në lëndët djegëse vendase. Dhe ai ka mbajtur qëndrimin që vetë Islami, dhe jo islami radikal militan, është i rrezikshëm. Kjo pikëpamje, që e ndan edhe Këshilltari i Sigurisë, Gjenerali Michael Flynn, shkon direkt në favor të narrativës së vetë militantëve islamikë, për një përplasje të qytetërimeve.
Ndërkohë, një qasje “Amerika e para” nën presidencën Trump, me gjasë do të përkeqësojë konfliktet mes sunitëve dhe shiitëve, sidomos tensionet mes Arabisë Saudite dhe Iranit. Dhe nëse SHBA nuk garanton më sigurinë e aleatëve të vet sunitë, të gjithë fuqitë rajonale – përfshirë Iranin, Arabinë Saudite, Turqinë dhe Egjiptin – mund të vendosin që munden ta mbrojnë veten e tyre vetëm duke shtënë në duar armë bërthamore, dhe një konflikt edhe më vdekjeprurës do të pasojë.
Në Azi, parësia ekonomike dhe ushtarake e SHBA ka siguruar dekada të tëra stabilitet; por një Kinë në ngjitje tani po e sfidon status quo-në. Zhvendosja strategjike e presidentit Obama drejt Azisë, varej kryesisht nga vënia në zbatim e Partneritetit Trans-Paqësor mes 12 vendeve, marrëveshje që Trumpi ka premtuar ta grisë që në ditën e parë që do të hyjë në zyrë. Ndërkohë, Kina po forcon me shpejtësi lidhjet e saj ekonomike në Azi, Paqësor dhe në Amerikën Latine, përmes Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë, Bankës së Re për Zhvillim, si dhe propozimit të saj për tregtinë e lirë, që rivalizon TPP-në.
Nëse SHBA heq dorë nga aleatët e saj aziatikë, si Filipinet, Korea e Jugut dhe Taivani, këta vende mund të mos kenë zgjidhje, përveçse të përulen para Kinës; dhe aleatë të tjerë të SHBA, si Japonia e India, mund të detyrohen që të militarizohen dhe ta sfidojnë haptaz Kinën. Kështu që, një tërheqje e Amerikës nga rajoni mund të shkaktojë një konflikt ushtarak atje.
Ashtu si në vitet 1930, kur politikat proteksioniste dhe izolacioniste të SHBA frenuan rritjen ekonomike globale dhe tregtinë, si dhe krijuan kushtet për ngjitjen e fuqive revizioniste për të nisur një luftë botërore, impulse të ngjashme mund të krijojnë terrenin për fuqi të reja që të sfidojnë dhe të dëmtojnë rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga Amerika. Një administratë Trump izolacioniste mund të shohë oqeanet e mëdhenj në lindje dhe perëndim të saj, dhe të mendojë se fuqi gjithnjë e më ambicioze, si Rusia, Kina dhe Irani nuk përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë ndaj SHBA.
Por SHBA është ende një fuqi ekonomike dhe financiae globale, në një botë thellësisht të ndërlidhur. Nëse lihen të pakontrolluar, këta vende me kalimin e kohës do të jenë në gjendje që të vënë në rrezik interesat themelore ekonomike dhe të sigurisë të SHBA – brenda e jashtë vendit – sidomos nëse zgjerojnë kapacitetet e tyre bërthamore dhe kibernetike. Historia është e qartë: politikat proteksioniste, izolacioniste dhe “Amerika e para” janë një recetë për katastrofë ushtarake dhe ekonomike.-bota.al