Analisti Rama kundër kryeministrit Rama!
Nga Lutfi Dervishi/Në komunikimin javor përmes Facebook-ut kryeministri Rama, nisur nga debati me 6 analistë nga Kosova, mori në analizë gjendjen e medias dhe nënvizoi disa të vërteta të frikshme. Po i rendis sipas renditjes së vetë kryeministrit:
-kryengritje digjitale kundër analistëve
– shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës edhe… nga analistët!
– Opinioni publik ka mbetur pa ndërmjetësues se mediat, analistët, portalet janë parti politike që nuk votohet dhe nuk i jep llogari askujt.
– informimi publikut kërkesa e llogarisë ndaj politikës dhe partive të vërteta politike, për atë që thonë dhe për atë që bëjnë, hedhja e dritës mbi fakte dhe shifrat, apo në tërësi oponenca e argumentuar ndaj vendim marrjes dhe vendimmarrësve, janë qëllime të dorës së fundit.
– një “parti” (fjala për analistët dhe portalet), financohet me gjoba të paligjshme apo me shërbime të padeklaruar ndaj të tretëve të interesuar për të nxitur linçimin e kundërshtarëve të tyre në politikë apo në biznes, e cila prodhon tituj kriminalizues, editoriale diskretitues, dokumente false, histori të sajuara, fotomontazhe e çfarë të mundet, në një përpjekje të tërbuar ku nuk ka asnjë qetësi në gjykim, asnjë argumentim, asnjë ndershmëri në qëndrim.
– Gënjeshtra dhe e vërteta janë bërë një, shpifja dhe fakti janë shkrirë në një, ku të gjithë janë e njëjta gjë.
– Raporti i popullit, opinionit publik me këtë parti, që ka korruptuar esencën e misionit të medias, ka hyrë në një krizë të thellë”.
Nga fundi i ligjërimit kryeministri Rama bën edhe një parashikim që urojmë të jetë i vërtetë:
“kohës së njësimit të shpifjes me të vërtetën me tituj e lajme të përgatitura për të luftuar me dikë për llogari të dikujt tjetër e për të vënë gjoba në emër të lirisë së fjalës, po i vjen fundi.”
Në rreshtat e mësipërm, në mënyrë sintetike, kryeministri ka diagnostifikuar sëmundjen e medias sot. Parashikimi tij për të ardhmen e medias nuk mund të jetë i vërtetë sepse kura që ai ka propozuar dhe zbatuar prej kohësh është më e keqe se vetë sëmundja e medias.
Si publicist Rama ka të drejtë dhe me një frazë të vetme fshikullon bukur largimin e medias nga publiku dhe raportimin e cekët dhe sipërfaqësor. Madje edhe aty ku shfaqet si “investigative” media/gazetarët janë kërbaç apo instrument i dikujt tjetër për të demaskuar dhe njollosur jo vetëm politikanë por edhe biznese.
Si kryeministër Rama ka detyrën dhe përgjegjësinë të krijojë ambientin që media të jetë e lirë dhe e pavarur.
Por si kryeministër Rama i mbështetur edhe nga të tjerët ka vrarë raportimin. Gazetarët nuk raportojnë më për aktivitetin e kryeministrit.
Gazetarët nuk raportojnë më për aktivitetin e kryeministrit.
Gazetarët nuk raportojnë më për aktivitetin e kryetarit të parlamentit.
Gazetarët nuk raportojnë më për aktivitetin e kryetarit të bashkisë.
Gazetarët nuk raportojnë më për aktivitetin e liderit të opozitës.
Gazetarët nuk raportojnë më për OSHEE.
Gazetarët nuk raportojnë as për … këngëtarë! Ideja se gazetari është në punë vetëm për të bërë reklamë është ngulitur aq fort sa një këngëtare e njohur pasi bëri një lapsus para gazetarit të huaj i tha: këtë pjesë ti do ta presësh (heqësh).
Raportimi është vrarë. Si nuk raportojnë kur çdo ditë, madje 3 herë në ditë, madje edhe në fundjavë në mediat – kazan njerëzit shohin kronika për takimet e kryeministrit (dhe të tjerëve) nga njëri cep i Shqipërisë në tjetrin, nga një fshat në një stan, nga një kodrinë në një cektinë, nga një shesh në një kantier?!!
E pra, raportimin të sipërpërmendurit e bëjnë vetë! Kronikat televizive në formë janë shumë të mira. Në përmbajtje i ngjajnë kafesë që ka më shumë sheqer se ujë e kafe bashkë! Janë lajme ku teksti, figura dhe montazhi janë bërë në zyrat e kryeministrit, dhe… të të tjerëve. Televizionet vetëm i transmetojnë.
A ka hetim më interesant për gazetarinë se fakti që janë disa studio prodhimi lajmesh në kryeqytet dhe asnjëra nuk i përket televizioneve?!
Në gjithë analizën e saktë që kryeministri i bën medias, harroi të thotë se ka ende shpresë tek gazetaria hetimore. Për shembull mund të thoshte dy fjalë për emisionin e mbyllur “Publicus”. ose mund të pyeste pse nuk shkojnë më gazetarë në aktivitetet e tij?
Pse nuk ka më gazetarë në aktivitete?! Pse nuk ka më mikrofon me siglën e televizioneve nëpër aktivitete? Si erdhi dita që duhet të dyshosh nëse një aktivitet me siglën “live” po ndodh vërtet në atë moment apo ka ndodhur 24 orë më parë?!
Gjynah për ata gazetarë që u duhet ndonjëherë të lexojnë tekstet të tipit: kryeministri tha, kryeministri theksoi, kryeministri nënvizoi, kryeministri pohoi, kryeministri dëgjoi, kryeministri apeloi, kryeministri sqaroi, kryeministri mbështeti, kryeministri…. dhe të gjitha këto në një kronikë të vetme.
Nuk ka më gazetarë, nuk ka më pyetje, nuk ka më vëzhgim. Raportimi ka vdekur. Tani është radha e analizës, intervistuesve dhe drejtuesve të talk show. E keni vënë re ndonjë “politikan” që thotë në studio: ti do më pyesësh mua (dhe lexon pyetjen) por përgjigja ime është..
Analisti apo opinionisti e bazon analizën apo opinionin e tij mbi informacionet/raportimet që sheh apo lexon. Kur sheh në raportime vetëm fshatarë të lumtur, mësues të gëzuar, studentë që duartrokasin, kryetar bashkie që falënderojnë, fëmijë që më fort përqafojnë kryetarin se prindin, të papunë që festojnë hapjen e zyrave të punës, të pa shpresë që thonë: ti je shpresa jonë, – opinionistit i mbetet ose t’i bashkohet grupit mbështetës ose të buzëqeshë ose të revoltohet.
Është koha kur politika, biznesi dhe njerëzit e spektaklit duan të raportojnë pa ndërmjetësinë e gazetarëve. Aferim. Kjo gjë mund të bëhet në Facebook, Twitter, Instagram etj, por kur kjo bëhet edhe në median tradicionale: (televizion, gazetë, radio) atëherë pse duhen gazetarët?!
Pas pak muajsh futemi në fushatë elektorale. Janë partitë që raportojnë vetë fushatën dhe nuk lejojnë gazetarët t’u afrohen takimeve apo mitingjeve. Me një fjalë ka liri fjale dhe ka liri për median, por “mediat janë marrë vesh me njëra tjetrën që lajmet t’i bëj vetë qeveria se i gatuan më mirë”.
Koha më e mirë për gazetarët për të marrë lejet e zakonshme është fushata elektorale.
Kryeministri ka shumë të drejtë në analizën që i bën situatës së medias. Por si kryeministër paguhet edhe për të duruar teprimet e medias. Teprimet e medias janë çmimi që një shoqëri paguan për të qenë e lirë. Ka raste që duhet ndërhyrë, por këtë mund ta bëj gjykata dhe jo kryeministri.
Kryeministri ka vite që ushtron zejen e publicistit dhe janë të paktë ata që i venë në dyshim penën, por së fundmi ka shfaqur aftësinë e intervistuesit. Ish kancelari gjerman Shrëder i ftuar në Tiranë në konakun COD të kryeministrisë iu përgjigj pyetjeve të kryeministrit Rama. Pyetjet ishin shumë të mira. Diku në stilin e Tim Sebastian e diku të Andrew Marr. I vetmi problem është se kryeministri nuk paguhet për të bërë gazetarin, eskspertin apo intervistuesin. Paguhet për të bërë punën e kryeministrit.
Megjithëse është në muajt e fundit të mandatit të parë, kurrë nuk është vonë për të zgjedhur mes analistit dhe kryeministrit.
Përvoja ka treguar se mund të jesh vetë edhe spin-doctor, edhe gazetar, dhe PR. Por po nga përvoja kemi edhe një këshillë të urtë nga tironsit që thonë: o vil rrush o mbaj koshat!
Syri.net