ANALIZA/ Ç’na tregon për marrëveshjen e detit, provokimi i anijes Oruç Reis në Mesdhe

Nga Andi Bushati

Lundrimi i një anijeje sismiologjike turke, Oruç Reis, e shoqëruar nga të tjera me qëllime shumë më pak shkencore, përgjatë ujrave të Mesdheut lindor, është rasti tipik i një përplasjeje globale, që shërben për të ndriçuar një histori lokale.

Ndërsa ajo ka ndezur sinjalin e alarmit në hierarkinë e NATO-s, ndërsa ka nxitur një mbledhje urgjente të ministrave të jashtëm të BE dhe ka tërhequr vëmendjen e sekretarit të jashtëm, Pompeo, ajo përbën shumë interes edhe për Shqipërinë.

Në epiqendër të kësaj rritjeje të re të tensionit mes Athinës dhe Ankarasë, është konfliktiti i përhershëm për ndarjen e ujrave detarë mes dy shteteve, dhe reflekseve që ky debat shkakton në shumë vende të tjera.

Kronika e shkurtër e asaj që nisi prej kësaj të hëne, ngjan katërcipërisht me debatin e zhvilluar në Tiranë një dekadë më parë.

Në fillim të javës, Erdogan urdhëroi lundrimin e Oruç Reis, në ujrat greke, diku pranë bregut turistik të Antalias dhe mes Kretës e Qipros. Shteti turk nuk ka pranuar ti’a njohë fqinjit të vet këtë teritor që gjendet 550 km larg Greqisë kontinentale. Sfida bëhet edhe më grishëse po të mendohet se kjo zonë dyshohet si një hambar i konsiderueshëm gazi. Prandaj Ankaraja nuk pranon që zona detare greke të fillojë të matet nga skajet e ishujve të saj të shpërndarë në gjithë detin Egje.

Pikërisht për të imponuar kriteret e tyre për ndarjen e hapsirës ujore, edhe Ankaraja edhe Athina kanë nënshkruar marëveshje me Libinë dhe e dyta me Egjiptin. Kjo e fundit e, firmosur në 6 gusht, pa përfillur Turqinë, solli incidentin pranë ishullit Kastellórizo.

Pra debati ngjan si dy pika uji me atë të zhvilluar në Tiranë në vitet 2009- 2010, pasi Berisha dhe Micotakis nënshkruan në Tiranë marrëveshjen e detit mes dy vendeve. Pyetjet janë të njëjta: Si përcaktohet shelfi kontinental dhe zona ekonomike ekskluzive mes dy vendeve? Cili është roli i ishujve të vegjën në majtjen e largësive dhe deri në ç‘masë duhen përfillur ato? Sa komplikohet situata kur dyshohet se këto zona janë të pasura me hidrokarbure?

Në 2009, Berisha atë kohë kryeministër, krejtësisht i kompleksuar prej historisë së tij të shkuar me Greqinë dhe i frikësuar se mos Athina vinte veton për liberalizimin e vizave për shqiptarët, u tregua dorëlëshuar me kufijtë tanë detarë. Që marëveshja ishte në favor të Athinës këtë e nxorën në pah kabllogramet amerikanë të zbardhur nga Wikiliksi, ku del qartë se negociatorët shqiptarë raportonin pranë diplomatëve të SHBA se ata po negocionin të pabindur në favor të palës helene.

Por, një vit më pas ndodhi një kthesë e fortë rokamboleske. Pas një debati të ashpër publik, ku mbajti një peshë të madhe kolonel Myslym Pashaj, partia socialiste e çoi në gjykatë Kushtetuese marëveshjen dhe gjyqtarët e saj në unanimitet të plotë e hodhën poshtë atë.

Pikërisht, këtu filluan dhe teoritë konspirative. Gjithmone në qarqet greke dhe shqiptare ka ekzistuar pandehma se pas kësaj prapaskene qëndronte, Erdogani, i cili atë kohë ishte prishur përfundimisht me Berishën dhe po afrohej me Ramën. Ish kryeministri demokrat e ka lëshuar disa herë në publik këtë tezë, por ajo filloi të bëhej më e besueshme kur,Admirali turk tashmë në pension, Cihat Yayci, pohoi se vendi i tij kishte ndërhyrë për anullimin e saj, madje i pati nisur qeverisë shqiptare të kohës edhe një material sekret ku e paralajmëronte se po mashtrohej nga grekët.

A e ndikoi ky material turk mbi kryeministrin e kohës, Sali Berisha, që të përdorte influencën e tij mbi Gjykatën Kushtetuese, për të prishur marëveshjen që firmosi vetë? A përdori Erdogan Edi Ramën në opozitë, për ta çuar këtë çështje para drejtësisë dhe a fillon këtu lidhja e tyre e ngushtë dhe e dyshimtë? A u ndikuan apo u joshën nga Turqia gjyqtarët shqiptarë, që e hodhën poshtë marëveshjen?

Ish relatori i kësaj patateje të nxehtë në kushtetuese, Xhezair Zaganori, i ka hedhur poshtë këto hipoteza. Ai ka mbrojtur votën e tij dhe të kolegëve duke argumentuar se vendimi i tyre ka qenë i drejtë, sovran dhe i pa ndikuar. Por ndoshta kjo nuk mjafton për të hequr çdo dyshim.

Ne vërtet nuk kemi prova të prekshme për ndikimin e drejtëpërdrejtë të Erdoganit në rrëzimin e marëveshjes së keqe shqiptaro-greke, por ngjarjet e fundit na tregojnë, se në asnjë rast Turqia nuk mund të ketë ndejtur indiferente. Dërgimi i anijes Oruç Reis, pranë ishullit Kastellórizo, në mesdheun lindor, direkt pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një model të papranueshëm për Ankaranë për ndarjen e detit, këmbëngulja turke për të përdorur influencën në Libi për firmosjen e një versioni të ndryshëm, tregon se Erdogani është shumë i vëmendëshëm për percedentët që vendosen në rajon, për ndarjen e detit. E në këtë logjikë ai nuk kishte se si ta anashkalonte Shqipërinë dhe dhuratën që ajo po i bënte grekëve duke i konsideruar edhe ishujt e vegjël në ndarjen e hapsirave mes dy vendeve.

Pra, nëse kemi dyshime se cila ka qenë forca reale e Turqisë në përmbysjen e marëveshjes Berisha Micotaqis të dhjetë viteve më parë, ngjarjet e fundit na bëjnë të sigurtë për një gjë: Erdogan atëhere nuk ka ndejtur as pa lëvizur dhe as pa vepruar. /Lapsi.al/

SHKARKO APP