Analiza e dilplomatit Jorgji Kote: Opozita, si garanci për integrimin Euro-Atlantik!

Nga Dr. Jorgji KOTE*

Mungesën e një programi dhe alternative bindëse gjatë fushatës së tanishme zgjedhore, shumica qeverisëse po bën çmos ta zëvendësojë me sulme dhe insinuata të pandershme politike ndaj opozitës së bashkuar. Pa mohuar mungesat dhe vonesat e saj të njohura demokratike, do theksuar se kjo opozitë ka marrë ndëshkimin e duhur elektoral; ndaj, ajo ka çdo të drejtë të konkurojë dhe fitojë me alternativat që po shfaq bindshëm, tashmë sipas parimit « E treta e vërteta » Ndaj, shumica nuk ka e nuk mund të ketë monopolin e të vërtetës dhe të mirës absolute, siç po rreket të bëjë. Jo vetëm aq, por ajo është shumë inferiore dhe veç fushave të tjera me plot « kusure dhe zullume » mbi të gjitha në integrimit Euro – Atlantik. Qoftë dhe krahasimi kalimthi i performancës së tyre në këtë « top prioritet » në 30 vitet e fundit që po e bëjmë më poshtë nxjerr qartë në pah epërsinë e dallueshme të opozitës së bashkuar. Më konkretisht :
Vërtet që Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA dhe BE më 15 Mars 1991; ama kjo do të ishte e pamundur pa rolin kyç të PD-së dhe opozitës së atëhershme. Ndaj dhe në Uashington, në ceremoninë e rastit, krahas ish Ministrit të Jashtëm Muhamet Kapllani, në sallë ishin të pranishëm, të ftuar nga pala amerikane dy liderët e opozitës, Berisha dhe i ndjeri Pashko. Po kështu, vendosja e këtyre marrëdhënieve me BE-në dhe antarësimi në OSBE më 22 Qershor 1991, e në vijim me FMN dhe Bankën Botërore në shtator 1991 i dedikohen kryesisht rolit dhe pranisë së PD-së.
Më tej, në Prill 1992 ishte qeveria Meksi e cila nënshkroi të parën Marrëveshje ekonomike dhe financiare me BE-në; po atë vit, ajo bëri e para kërkesën zyrtare për antarësim në NATO; me mesazhe të fuqishme mbështetjeje, Sekretari i saj i Përgjithshëm, i ndjeri Manfred Verner viziti Shqipërinë pak më vonë.
Më tej, më 13 Korrik 1995, u pranuam më Këshillin e Europës, ndërsa një vit më vonë ishim në prag të nënshkrimit të një Marrëveshje Asociimi me BE-në.
Ky fillim i hovshëm Euro-Atlantik u ndërpre pas trazirave dhe rënies së shtetit më 1997, ku qeveria e atëhershme e PD-së u ndëshkua « me karton të kuq » për të gjitha fajet dhe përgjegjësitë e njohura.
Megjithatë, si në opozitë gjatë periudhës 1997 – 2005 e sidomos pas riardhjes në pushtet më 2005 – 2013, PD dhe LSI, bashkë dhe veç e veç, vazhduan kursin e tyre pro- perendimor, duke bërë dhe korrigjimet e gabimeve të mëparshme. Kështu, më 6 Qershor 2006 u nënshkrua në Luksemburg Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit; në fakt, ajo ishte bërë teknikisht gati qysh gjatë qeverisjes socialiste. Mirëpo, mungesa e besueshërisë për shkak të korrupsionit dhe të këqiave të tjera e shtynë nënshkrimin e saj.
Tejet e rëndësishme për t’u nënvizuar se në vitin 2007, qeveria e atëhershme, krahas interigrimit të saj Euro – Atlantik, intensifikoi demarshet diplomatike për shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës në të gjtha format dhe formatet, përfshi mbështetjen financiare dhe juridike.
Padyshim që kryearritja politike ishte vizita historike në Tiranë, më 10 Qershor 2007 e G.W.Bush ; i pari dhe i vetmi President amerikan në detyrë që bënte një gjë të tillë me mesazhet e mbështetjes për pranimin tonë në NATO dhe pavarësinë e Kosovës, me pohimin emblematik « Enough is enough ! » ose « Mjaft më » !!
Nuk vonoi dhe më 4 Prill 2009 Shqipëria u antarësua në NATO-s ; vërtet që ajo u arrit falë mbështetjes së SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë, por nuk do të ishte mundësuar pa punë dhe kontakte të panumurta në të gjitha nivelet nga qeveria e atëhershme Berisha. Kush ka punuar me institucione ndërkombëtare e sidomos me NATO-n dhe BE-në, e di mirë se sa shumë mund e punë duhet! E pse të mos e theksojmë këtu rolin e ish Ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Lulzim Basha !
Fill pas ngritjes së flamurit tonë kombëtar në selinë e NATO-s në Bruksel, Kryeministri Berisha shkoi në Pragë, ku i dorëzoi Presidencës çeke kërkesën zyrtare për antarësim në BE.
Pas antarësimit në NATO, arritja më e madhe dhe më e prekshme për këdo, të madh e të vogël, ishte dhe mbetet liberalizimi i vizave me BE-në, në dhjetor 2010. Për realizimin e këtyre objektivave madhore, politika dhe diplomacia jonë e asaj kohe hapi kudo në botë shumë » kantjere dhe sheshe diplomatike ndërtimi » që vazhdojnë të mbeten pika madhore referuese.
Në vijim, më 2012 u tentua të fitohej statusi kandidat dhe çelja e negociatave me BE-në. Ajo tentativë dështoi për shkak të bllokimit të padrejtë, pavarësisht nga rezervat të opozitës së atëhershme. Tani shkaqe dhe kusure për bllokim mund të gjesh sa të duash, sidomos protesta e 21 Janarit 2011. Gjithsesi, me një vizion më kurajoz, ajo situatë mund të ishte kaluar dhe sot ndoshta do të ishim shumë përpara ; madje, shumica e tanishme mund dhe t’i kishte përfunduar negociatat! Mirëpo, kështu ndodh kur ndjek « metodën e stërkëmbëshave » mbasi mendon gabimisht se në BE do të hyjë vetëm partia apo diplomacia dhe jo gjithë Shqipëria!
Duke kaluar te PS-ja, pa mohuar përpjekjet dhe disa arritje, sjellja, bilanci dhe performanca e saj në këtë fushë madhore është më inferiore dhe le vërtet shumë për të dëshiruar. Por, le të jemi konkretë pa dashur kursesi « t’i hymë asaj në hak » Po, më 1995 PS-ja tregoi emancipim politik kur dhe pse me liderin e saj në burg dha konsensusin për antarësimin në KiE ; po ashtu më 2008 pë pranimin tonë në NATO, edhe pse kjo e fundit ishte më tepër « bonus »për marrëveshjen Rama – Berisha më 1 prill 2009, duke anashkaluar dhe shpërthimin e Gërdecit.
Më tej, në Prill 1999, nën drejtimin e saj filloi Procesi historik i Stabilizim – Asociimit me BE-në; pati disa demarshe premtuese lidhur me antarësimin në NATO, etj. Mirëpo, këto përpjekje u lanë në hije dhe u sfumuan pas grindjeve të brendshme në PS-në e asaj kohe, çka shkaktoi dhe shtyrjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit. Ato rifilluan vetëm më 31 Janar 2003, pas vizitës dhe ndërhyrjes personale të ish Presidentit të Komisionit Europian, Romano Prodi. Siç u përmend më lart, ndonëse ishte gati ajo nuk u nënshkrua pas ardhjes në pushtet të PD-së, në qershor 2006.
Pas vitit 2013, hapat dhe arritjet drejt integrimit të mëtejshëm europian « numërohen me gishta » Vërtet që në qershor 2014 na u dha statusi kandidat që ishte pothuajse gati, por vetëm aq. Për fat të keq, pas tetë vitesh në pushtet të PS-së, jo vetëm nuk u çelën negociatat, por procesi është vështirësuar së tepërmi nga përshkallëzimi i kushteve ndaj nesh. Kjo odise e vërtetë filloi me tri, për t’u bërë pesë, Bundestagu i shtoi në nëntë, të tjerët në 12 plus dhe një tre nga Greqia dhe kështu u bënë plot 15 kushte, kërkesa apo kritere, quaji si të duash! Praktikisht, ato e kanë bërë çeljen e negociatave « një vrapim të gjatë me pengesa » Aq sa dhe kur i lexon ato, thua me vehte « hiç, hiç, po Abili vdiq » Ajo që e bën dhe më të zymtë gjendjen është se shumica jonë i « ka bërë dalje » negociatave, duke e hedhur topin në fushën e Brukselit dhe duke fajësuar të tjerët « armikun e brendshëm » dhe vende aleate të BE-së, të cilat na janë ndodhur pranë dhe këto 30 vitet e fundit. Shkurt, dhe vetë Kryeministri Rama « sheh qimen te tjetri deri në Paris, Hagë e gjetkë, por jo traun që i ka rënë para syve në Tiranë ». Për pasojë, askush brenda e sidomos jashtë vendit nuk ta thotë dot se kur mund të çelen negociatat; por, na qetësojnë me eufemizmin diplomatik që nuk të thotë gjë « ASAP ose në shqip « sa më shpejt të jetë e mundur » Për pasojë, edhe Kryenegociatori me ekipin e tij po bëjnë gati një vit që « presin në stol » duke na kujtuar proverbin « Peshku në det, tigani në zjarr »
Për pasojë dhe ndonjë arritje thjesht diplomatike e vitit të kaluar, si kryesimi i OSBE-së, hapja e bazës ushtarake në Kuçovë apo stërvitja e tanishme në kuadrin e NATO-s, megjithë rëndësinë e tyre nuk e ngrenë dot shumë « pjacën » dhe « stekën » e PS-së në këtë fushë.
Në këto kushte, shpresa e madhe për ta rivendosur antarësimin e shpejtë në BE në « shinat e duhura » mbetet riardhja në pushtet e opozitës së bashkuar. Objektivi i saj për çeljen e negociatave brenda vitit të parë të qeverisjes së saj është realist. Natyrisht që suksesi në këtë integrim nuk është « fjalë goje » ; ai përmban dhe kërkon realizimin e një mori objektivash, shifrash, aktesh, strategjish dhe demarshesh të shumta në politikën e jashtme, me sjelljen e duhur politike dhe me theks nga brenda. Pikërisht kjo e fundit është lënë pas dore vitet e fundit. Mirëpo siç shprehet ish – Kryeministri emblematik britanik Ëilliam E. Gladstone « parimi i parë në politikën e jashtme është mirëqeverisja e brendshme » Ja pse, pa predispozicion dhe përparim të vërtetë në këtë fushë, që kjo shumicë dështoi ta shfaqte në tetë vitet e fundit, gjithçka tjetër mbetet retorikë dhe propagandë boshe.

*Autori është diplomat karriere; në 25 vitet e fundit ka shërbyer si Përgjegjës Sektori në MPJ Tiranë, Këshilltar dhe Ministër Këshilltar në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel, në Ambasadën tonë në Berlin dhe në Belgjikë/Luksemburg. Është Antar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë. Autor i 6 librave mbi diplomacinë dhe i mbi 500 shkrimeve në shtypin e përditshëm mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, me theks të veçantë në integrimin Euro-Atlantik.

SHKARKO APP