Analiza e shifrave/ Ai bën dot PS 71 mandate pa LSI?

Nga Eduard Zaloshnja/

Burime nga brenda mbledhjes së sotme të Kryesisë së Partisë Socialiste i thanë Top Channel se, sipas Edi Ramës, “aleanca me LSI-në krijon një mazhorancë solide reformash, e jo thjesht një mazhorancë numrash – dhe reformat e jo numrat janë arsyet e koalicionit me Metën.

Por sipas Edi Ramës, “me votat e vitit 2013 dhe ndarjen aktuale të mandateve nëpër qarqe, koalicioni PS+PDIU+FRD+Etj. i merr 71 deputetë, nëse LSI del më vete, sepse e tillë është formula”.

Në fakt, nëse rezultatet e 2013-ës përsëriten në mënyrë identike në qershor të këtij viti, ky koalicion i merr 71 mandate (nëse LSI del më vete), por një përsëritje e tillë identike do të ishte një ngjarje me probabilitet të vogël. Një devijim fare i vogël i rezultateve, qoftë edhe në një qark të vetëm, do ta zbriste koalicionin në nivelin e 70 mandateve.

Nga një sondazh që zhvillova këto ditë më rezultonte se koalicioni PS+PDIU+FRD+Etj. (në qoftë se LSI garon më vete) do të merrte sot 48% të votave në rang kombëtar (marzhi gabimit statistikor plus/minus 3.2%). Për krahasim, koalicioni i Berishës, me 47% të votave në rang vendi më 2009-ën, siguroi 70 mandate, dhe ishte fare pranë mandatit të 71-të në Fier.

Pra, formula e llogartitjes së mandateve dhe ndarja e vendit në 12 zona elektorale e bën përcaktimin e mandateve shumë tekanjoz. Një koalicion mund të sigurojë 71 mandate, edhe me 47% të votave në rang vendi, por mund të përfundojë me vetëm 70 mandate, edhe me 51% të votave në rang vendi. Gjithçka varet nga mënyra sesi shpërndahen votat e koalicionit në 12 qarqet e Shqipërisë.

Vetëm nëse merr 53% të votave në rang vendi, koalicioni PS+PDIU+FRD+Etj., e ka pothuaj të sigurtë arritjen e 71 mandateve (nëse përballë ka dy koalicione më të vogla – gjegjësisht të PD-së dhe LSI-së).

Respublica.al/

SHKARKO APP