Andi Bejtja: Kaja nonën Shqipe!

 

Nga Andi Bejtja

Shqipëria sapo kaloi një situatë folklorike ballkanike, me rastin e kualifikimit të Kombëtares së Futbollit në Francë 2016, situatë nga ato që ka kaluar edhe herë të tjera, që dëshmojnë se Shqipëria me institucionet e saj, heronjtë e saj që lindin dhe vdesin brenda muajit, kanë mbetur aty ku kanë qenë gjithmonë edhe pse djemtë e kombëtares hynë në Europë.

Zgjodha këto tre personazhe, jo vetëm se dy të parët kanë qenë në garë të heshtur për lavdi me njëri-tjetrin, gjë që e dëshmon dhe post festa: janë vetëm këto dy emra që kanë zaptuar podiumet mediatike dhe emisionet televizive: Edi Rama dhe Ballist Morina, por dhe për faktin se rreth këtyre dy emrave sillet folklorizmi shqiptar.

Kryeministri Rama, gati-gati në mënyrë të dhunshme, e privatizoi kualifikimin e kësaj kombëtareje, duke hipur vetë në autobusin e kombëtares duke i marrë e duke i futur futbollistët së pari në një ceremoni të stërgjatë brenda mureve të kryeministrisë, duke i lënë shqiptarët nga të gjitha trevat të prisnin në shesh, duke i dhënë mesazhin se qeveria është e para dhe ju jeni të dytët.

Dhe e bën këtë me një kombëtare që në gjirin e saj nuk ka më shumë se 3 a 4 lojtarë nga Shqipëria, me një kombëtare që gati 90 për qind i përket Kosovës dhe deri diku dhe Shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe për ta përforcuar këtë, duke mos lënë dhe ata dashamirës të tij të mendojnë se kjo ishte thjesht një çmenduri tifozi e jo një strategji kryeministri, apo ishte thjesht një mungesë emocioni suksesi gjate kohës kur ai luante basketboll vetë, ai shkoi dhe më tej. Një ditë më pas në kohë kur djemtë e kombëtares ishin në Tv Klan në po të njëjtën orë ai zgjodhi të dalë në televizionin konkurrent në Top Channel.

Pra nuk bëri as më pak as më shumë, por të njëjtën gjë që u ka bërë konkurrentëve të tij politikë në vite që u dilte në të njëjtën orë në kanalin tjetër. Është fare e qartë që Rama dhe instinktivisht dhe forcërisht po kërkon te suksesi i kombëtares, suksesin e munguar në qeverisje.

Nuk ka si të jetë ndryshe përderisa dhe në takimet politike në Pragë kryeministri vazhdonte të fliste për suksesin e kombëtares së futbollit, si të ishte plotësimi I kritereve për anëtarësim.

Dhe kur konkurron djemtë e kombëtares, nuk ka si mos konkurrojë dhe ballist Morinën që me një shpikje të vogël inteligjente u bë më I famshëm, se ai edhe pse u tregua “nacionalist i madh” në Beograd, nuk e kapi dot famën e Morinës.

Janë ende të paqarta motivet e vërteta të arrestimit të Ballist Morinës, pikërisht dy ditë përpara ndeshjes, kur kishte muaj që ai vetë deklaronte se mbante pistoleta për t’u mbrojtur nga serbët që donin ta vrisnin. Me këtë arrestim qeveria prodhoi dhe po mban të gjallë një hero folklorik, emri i të cilit në shesh ishte po aq i brohoritur sa edhe emrat e lojtarëve të kombëtares.

Dhe folklorizmi vazhdon e vazhdon. Teksa një deputetet I LSI-së niset e shkon e takon gati gjysmë fshehtas Ballist Morinën në qeli, një ditë më pas opozita shqiptare, që ka kohë që vuan nga idetë, shkon zyrtarisht e takon në qeli dhe thërret gjithë kamerat me prononcime zyrtare. Ballist Morina është hero folklorik për shqiptarët, por aspak për vete. Përveç llogarive të hapura ku bën thirrje për ndihmë, ai ka regjistruar si patentë dhe flamurin “Autoktonus”, pra kushdo e përdor publikisht, prodhon bluza apo e shfaq në TV duhet ta paguajë Ballist Morinën. Kaja nonën Shqipe!

Gjithë këtij folklorizmi nuk i shpëtoi as një pjesë e mirë e medias shqiptare, ku sidomos përpara ndeshjes me Serbinë nuk munguan tituj të tillë “jetë a vdekje”, ku i vunë mbi shpinë 11 djemve gjithë historinë mijëvjeçare dhe u thanë luani futboll dhe fitoni.

Po simboli më i madh i folklorizmit mediatik ishte sjellja në vëmendje të publikut shqiptar, një komentatori arab, i cili sipas medias shqiptare gëzohet në mënyrë të pazakontë për golat e Shqipërisë ndaj Armenisë. Pashë dhe komente të tjera të këtij komentatori dhe të njëjtat ulërima kishte për golat e Palestinës, po edhe të Izraelit.

Ka shumë njerëz që mendojnë se imazhi i Shqipërisë do të përmirësohet shumë nga vajtja në Francë. Dhe unë mendoj që po, por në të njëjtën kohë them se do të ngelë këtu ku është për shkak të heronjve fals, që iu zënë podiumin heronjve të vërtetë.

SHKARKO APP