Andi Bushati: E majta që po vdes në llogoret e luftës
Nga Andi Bushati –
Një polemikë që rindizet në mënyrë ciklike për trashëgiminë e luftës së dytë botërore, po përpiqet ta mbajë me kokën nga e shkuara të majtën e sfilitur shqiptare. Që kur Edi Rama me një sjellje prej bandilli, i veshur me kostum të errët e me kollare të kuqe, u përkul mbi arkëmortin e Mid’hat Frashërit, e deri sot kur janë ndezur gjakrat pas publikimit të një liste me krimet e krerëve të partizanëve, opinioni është ndarë në dysh, mes atyre që kërkojnë rehabilitimin e kolaboracionistëve dhe të tjerëve që kanë marrë mbi supe mbrojtjen e trashëgimisë anti fashiste.
Nuk ka diskutim se këta të dytët, përfaqësojnë një komponent themelor të identitetit të së majtës. Renditja në krahun e duhur në konfliktin botëror, rreshtimi i vendit në anën e fitimtarëve, kundërvënia ndaj atyre që për të ruajtur privilegjet e botës së vjetër (dhe jo për të penguar komunizmin siç pretendojnë sot) u bënë bashkëpunëtorë të dy ushtrive pushtuese, mbeten edhe tani e gjithë ditën vlera që duhen ruajtur prej saj.
Por, e keqja e këtij debati që zhvillohet gjithnjë me të njëjtin pasion dhe që nxjerr në plan të parë të njëjtët korifej të një kohe të shkuar, është në fakt një kurth i padrejtë për këdo që e konsideron veten të majë; Sepse ai tenton ta përkufizojë atë si një qenie të mbetur peng në llogoret e luftës së dytë botërore; Sepse, sot, në kohën e reformave standarde, të politikave ultra liberale, të privatizimit agresiv të gjithçkaje dhe të rritjes galopante të pabarazive, të krijohet përshtypja sikur e vetmja vijë e qartë ndarëse, mes një të majti dhe kundërshtarëve të tij ideologjikë, është ajo që është skicuar treçerek shekulli më parë.
Sot të jesh i majtë nuk do të thotë të mbrosh vetëm trashëgiminë e partizanëve, por të ngresh krye kundër një regjimi që po super pasuron nëntë apo dhjetë vetë.
Sot të jesh i majtë, kupton para së gjithash, të kërkosh të shporrësh një lider që u mburret të huajve për parajsën pa sindikata, e prandaj në këtë vend nuk flet askush kur vdes një fakir që punon në miniera apo në ndërtim.
Sot të jesh i majtë, do të thotë të rrëzosh atë që erdhi me premtimin se nuk mund të jetohej më në një shoqëri ku 5% posedonin sa pjesa tjetër 95%-she e popullësisë dhe në gjashtë vite e thelloi këtë hendek.
Sot të jesh i majtë, do të thotë të refuzosh përrallën e një taksimi gjoja progresiv që në realitet më shumë ndëshkon punën sesa kapitalin.
Sot të jesh i majtë, nuk mund të durosh as reduktimin antikushtetues të dividentit që iu bë më të pasurve të këtij vendi, as ligjin për arsimin e lartë dhe as barbarët që hedhin në rrugë ata që strehohen në margjinat e një kryeqyteti që betonohet për ditë e më shumë.
Sepse në ditët tona të ndihesh i tillë, nuk majfton as të mbash në sallon foton e gjyshit dëshmor dhe as të bëhesh i gjallë në çdo 5 maj.
Ngulfosja e kësaj armate njerëzish, trashëgimtarësh dhe idealistësh të rinj në llogoret e një lufte të mbyllur 75 vite më parë është vrasja më perfide që mund t’i bësh të majtës moderne. Ajo është një përpjekje për të nderuar paraardhësit, por jo një betejë për të shpëtuar fëmijët.
Në këtë kuptim, kushdo që po e lufton atë me pathos, qoftë ky idealist i kulluar, qoftë idiot i dobishëm, apo qoftë kalkulues perfid, po ngul një gozhdë në arkivolin e së majtës reale. Me ndërgjegje ose jo, ai po i shërben atyre që më shumë sesa të zhvarrosin fantazmat e së shkuarës, duan të vizatojnë monumentet e oligarkëve të nesërm. Dhe për sa kohë debatohet për të parët dhe heshtet për të dytët, e majta është e vdekur. (Lapsi)