Andi Bushati: Lexo “Bild-in” dhe marsho drejt 30 qershorit

Placeholder Image

Nga Andi Bushati – Zbulimi i përgjimeve të vjedhjes së votave në Dibër, pas dëshmive të kasaphanës së Durrësit, tregon se Shqipëria ka përjetuar një masakër të vërtetë elektorale.

E reja e këtyre 16 regjistrimeve të sapo dala është se ato provuan pa pikë dyshimi që në krye të kësaj bande grabitësish qëndron vetë Edi Rama.

Nëse në rastin e Durrësit këtë përfundim e kishim me deduksion, si pasojë e lidhjes së fortë të Edit me Gjushin, tani askush nuk ka më dyshime.

Në historinë e vjedhjes së votave të Dibrës, e cila qëndron e varrosur në dosjen 184/2006 , në zyrën e Arat Markut, ne e dimë se truri i krahut të armatosur të kësaj bande është kryeministri.

Pasi votimet janë mbyllur, pasi rezultati ka ndryshuar me plus katër mijë në raport me zgjedhet e kaluara, ai dëgjohet të komunikojë me një drejtor të lartë policie, Arben Keshin.

Biseda telefonike që të kujton filmat me mafiozë të Scorceses, na e paraqet Ramën me zërin e një padrinoje të qetë, që trimëron trupat e tij, që pyet për komisionerët zgjedhorë dhe kërkon llogari për zbatimin e objektivave.

Se cilat janë këto objektiva na e qartësojnë 15 përgjimet e tjera. Polici Arben Keshi duhet të raportonte në fund tek Rama, se si kishte blerë vota, se si kishte intimiduar zgjedhësit e opozitës, se si kishte menaxhuar kriminelët për të arritur zgjedhjen e kryebashkiakut socialist, Muharrem Rama, që do të zëvendësonte Shukriun me brekë me vrimë.

Natyrisht, krahu i armatosur i kryeministrit, Arben Keshi, i ka kryer të gjitha këto. Prandaj, një ish deputet i PS i flet atij në emër të Ramës duke i thënë: “more pikët maksimale”.

Pse duhet që një drejtues i lartë policie të merrte pikët e maksimale në një palë zgjedhje vendore? Pikërisht për faktin se i kishte manipuluar ato. Pikërisht sepse Rama i dinte të gjitha krimet në të cilat kishte zhytur duart ai.

Kjo pra është fabula e 16 përgjimeve të reja të Bild e cila na tregon se grabitjet elektorale janë shndërruar në një praktikë të zakonshme të rilindjes.

Prej tyre ne kuptojmë më mirë se përse opozita doli nga kuvendi dhe po rrefuzon të shkojë drejt betejës lokale.

Prej tyre ne kuptojmë se përse Basha vazhdon të bërtasë slloganin: “Zgjedhje të tilla nuk mund të ketë në 30 qershor”

Prej tyre ne kuptojmë se përse Rama vazhdon të japë me firmën e tij PPP e koncesione sikur të jetë në ditët e popullaritetit më të madh.

Prej tyre ne kuptojmë se pse ai nuk pranon të tërhiqet dhe të shpallë një garë të barabartë me rregulla loje të ndershme për të gjithë.

Por mbi të gjitha, prej tyre ne kuptojmë se prse njeriu me tepsi në dorë, po shkon i vendosur drjt të vetmeve zgjedhje moniste që pas rënies së regjimit komunist. Kjo është ajo që ka ëndërruar, për të cilën është përpjekur, të cilën e realizoi brenda partisë më plurale të vendit, asaj socialiste dhe tani po e shtrin në të gjithë Shqipërinë.

Natyrisht, për të arritur deri këtu ai u detyrua të bëjë pakte me shumë dijaj, që nga banditët narkotrafikantë të tipit Avdylaj në Durrës e deri tek policë që duhet të ishin nën pranga si Arben Keshi.

Me bashkëpunimin e tyre ai prishi çdo mundësi për zgjdhje normale mbi këtë dhe. Prandaj tani po marshon i vetëm drejt 30 qershorit, ashtu sikurse kishte fantazuar në vegimet e tij më të çmendura.

Por fatmirësisht, tani, falë Bild ne e dimë se përse po ndodh kjo. Ne e dimë se 30 qershori nuk është as ditë zgjedhjesh, as ditë votimesh. Ajo është dita e emrit të një hajduti të shumfishtë.

Edi Rama është i dënuar të marshojë kokfortë drejt saj. Për një gjë është i sigurtë: Nuk mund të kryejë dot asnjë krim më shumë se sa ka bërë.

SHKARKO APP