Andi Bushati: Ne jemi në luftë, por komandanti na ka lënë
Nga Andi Bushati -Opozita dhe mediat kanë denoncuar sot një mashtrim skandaloz të Edi Ramës. i izoluar në bunkerin e Surrelit, kryeministri ka publikuar në Facebook një video të frikshme, e cila sipas tij zhvillohet në Spanjë, ku policia shpërndan me shkopa gome « tradhëtarët » që nuk i binden shtetrrethimit.
Në fakt, sekuencat e ripublikuara nga Rama janë një mashtrim, sepse ato i përkasin protestave të Algjerisë kundër ish presidentit Buteflika, falangat e të cilit i shpërndajnë me dhunë.
Në shënimin që Rama ka bërë për të shoqëruar gënjeshtrën me këto pamje të rënda aludohet qartë se të njëjtat masa do të ndëshkojnë edhe në Shqipëri « tadhëtarët » që nuk i binden videomesazheve që ai lëshon nga izolimi.
Ky spekullim sa fëmijënor aq edhe banal, i bashkëngjitur edhe me deklarata për përdorimin e gazit lotësjellës dhe daljen e blindave të armatosur me mitrolozë, sikur do asgjesonin me plumba koronën, i ka bërë shumë opozitarë të bërtasin për një devijim tiranik të panevojshëm.
Më të dalë videoja e publikuar nga kryeministri, opozita denoncoi këtë rëshkitje diktatoriale dhe theksoi se asnjë rregjim demokratik nuk mëton ti friksojë qytetarët e tij në një situatë të tillë.
Në fakt, po aq sa është një gafë amatoreske ajo që ka bërë kryeministri i izoluar, po aq e tillë është edhe qasja e PD-së për t’a politizuar atë.
Jo, Edi Rama nuk ka asnjë synim sot të thellojë autokracinë e tij. Ai nuk i ka nxjerrë ato sekuenca idiote për të na shtypur dhe tredhur ne të tjerëve.
Unë besoj vërtetë se në këtë situatë, me aq mundësi që ka, ai kërkon vërtet të bëjë më të mirën, të shpëtojë popullin e vet nga kjo pandemi.
Dhe në këtë konkluzion nuk kam arritur sepse besoj në ndonjë vlerë të Edi Ramës, por sepse kam bindjen se edhe tirani më gjakatar i rruzullit, do të sillej po njësoj në një situatë si kjo.
Pra çdo aluzion se Rama po e shfrtytëzon këtë gjendje të jashtëzakonshme për të na shtypur edhe më shumë, nuk qëndron.
Por me të halli është tjetër.
Edhe gafa me videon edhe të tjera të ngjashme që ka bërë këto ditë, të bëjnë të mendosh se problemi fshihet gjetkë.
Sa e sa vetë janë ata që kanë pyetur këto ditë se si i merr vendimet kryeministrit? Sa e sa të tjerë, nuk kanë arritur t’a kuptojnë se në ç’mënyrë të çakërdisur i ndryshon ai oraret dhe afatet e shtetrrerthimit, pa u konsultuar me kërkënd ?
Janë pikërisht këto masa të marra nga izolimi, pa kolegjialitet dhe pa mendimin e specialistëve, që sollën këtë të shtunë ankthin dhe frikën e qytetarëve të cilët duke mos qenë të qartë se si do të jetë e nesërmja e tyre, u dynndën si sardele drejt tregjeve, supermarketeve, dyqaneve të bukës dhe farmacive.
Pikërisht ky panik që rrjedh nga shkatërrimi i rutinës ditore të popullatës, si pasojë e vendimeve unilaterale që komunikohen nga Surreli, është thjeshtë i barabartë me më shumë të vdekur.
Po përse po ndodh kjo ?
Natyrisht jo për arsyet që thotë opozita.
Por, për të tjera që guxojnë ti thonë nën zë njerëz të niveleve të para dhe të dyta të qeverisë, që flasin për një kryeministër të trembur, të ankthosur, të panikuar.
Ata të tregojnë se prej ditësh Edi Rama i ka ndërprerë të gjitha marëdhëniet fizike me stafin dhe vartësit e vet. Se ai komunikon me ta vetëm përmes celularit dhe Whatsapp-it.
Dhe nga ana njerëzore për këtë ka plotësisht të drejtë. Sëmundja kronike nga e cila ai vuan, është në listën e atyre që shndërrohen në tragjedi, nëse preken nga covid – 19. Pra si qytetar, kryeministri ynë është plotësisht në të drejtën e tij, madje e ka për obligim, të qëndrojë i izoluar dhe larg njerëzve.
Por për pozicionin që ka, kjo përbën një problem. Pasi ai duhet të jetë në kontaktë të vazhdueshëm, të organizojë konsultime, të tërheqi sa më shumë mendime, në mënyrë që të marrë vendimet e duhura në këtë situatë.
Kështu janë të detyruar të veprojnë edhe Conte, Macron, apo Merkel, që kanë pas vetes një administratë shumë më pak të varur nga pushteti i njëshit.
Por, për hir të rrethanave shëndetësore kryeministri që na thotë se jemi në luftë, nuk e bën dot të njëjtën gjë. Ai ka mbetur peng i rrethit vicioz që mund të na marrë në qafe të gjithëve: në këtë betejë, ai as a mund të jetë komandanti që i qëndron pranë gjeneralëve të vet, as nga ana tjetër, nuk do ti lëshojë nga duart frenat e drejtimit.
Për këtë na ndodh që nga selia e komandës në Surrel dalin fermane të çartura, të pa konsultuara dhe ankthioze.
Pikërisht se është kështu, pikërisht se për arsye shëndetësore që e obligojnë të kujdeset më shumë për veten sesa për të tjerët, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen nga kryesimi i kësaj lufte. Ai duhet ti’a kalojë stafetën e komandimit, mundësisht një mjeku me personalitet dhe reputacion të padiskutueshëm, i cili ti komunikojë popullësisë vendime të ekuilibruara dhe të marra në mënyrë kolegjiale pas një debati të vërtetë ekspertësh.
Natyrisht, kjo thirrje, nuk duhet keqkuptuar si një mënyrë e ndryshme për të vënë në zbatim sloganin “Rama Ik”.
Jo, jo, kërkesa, si një klithmë në emër të interest të përbashkët, është që të dorëzojë rolin e gjeneralit të kësaj beteje. Kryeministër le të vazhdojë të rrijë, bashkë me kabinetin e tij. Lë të vazhdojë të shkojë po të dojë, në zyrën që e ka disifektuar pa pushim dhe që e ka zbrazuar nga çdo njeri. Le ta gëzojë postin qoftë edhe duke qëndruar në Surrel. Por, ama, nga kryesimi i betejës së pamundur me koronavirusin, të cilën nuk e përballon dot për arsye objektive, duhet të heqë dorë. Kjo do të jetë mirë për shëndetin e tij fizik dhe mendor.
Por mbi të gjitha do të jetë më mirë për shëndetin e gati 3 milionë shqiptarëve. Lapsi.al