Andrea Stefani replikon ashpër me Dritan Hilën
Nga Andrea Stefani
Dritani sapo me ka share në facebook. Do më kish pëlqyer të më kish kritikuar dhe jo sharë. Sepse kjo më detyron të bëj analizën e sharjes duke zbuluar hiletë e saj. Pra, Dritani më ka sharë për një kritikë që i bëra para pak ditësh shkrimtarit të shquar Ditero Agolli në lidhje me një vlerësim për Sali Berishën si politikan. Vetë shkrimtari i madh ma mirëkuptoi kritikën. Por Dritani i vogël jo. Sepse paska një dashuri aq të madhe për monumentet, sa nuk përmbahet dot para një sakrilegji të tillë sikundër qënka kritika e një “monumenti”. Në fakt, shtiret kinse i vjen keq për Dritëroin. Kjo është hileja e parë tij. Sepse në të vërtetë, nuk mbron Dritëroin (që s’ka nevojë ta mbrojë Dritani) por Berishën.
Kritikën time, Dritani, e quan injoracë që gjuan me gurë një monument si Dritëroi. Një tjetër hile kjo që kalon nëpër disa faza. Së pari, njeriun e gjallë e shndërron në monument. Së dyti, kritikën e shndërron në gur. Së treti, nga ngatërrimi me hile i këtyre premisave, arrin në konkluzionin hileqar se është gjuajtur me gur një monument! Në fakt, po kritikohej një njeri, që sado i madh, edhe mund të gabojë. Sepse të gabosh është njerëzore, “errare humanum est”.
Volteri ka thënë: e urrej pikëpamjen tënde por do ta mbroj me jetën time të drejtën që ke për ta shprehur atë. Vetë poeti i madh u ngrit në lartësinë e këtij volterizmi kur pas kritikës u shpreh: Eshtë liria e gazetarit! Por sipas Dritanit, që e mban veten për një lloj gazetari, paska ca raste qe kritika qënka mëkat. Madje, akoma më keq, një krim që "s’të lë të vdesësh". Por nuk është fare kështu. Kritika dhe cinizmi janë gjëra krejt të kundërta. Dhe po të kish prirjen për tu thelluar pak edhe Dritani do kuptonte se kritika ime për shkrimtarin e madh, nuk kërkonte poshtërimin e “monumentit” por mos zhyerjen e tij. Por, e përsëris, meraku për “monumentin”, është thjesht një hile, një lojë.
Problem i madh me disa njerëz qe hilet i shtyjne pa shpëtim drejt shtrembërimit të gjërave. Sepse nuk e kam kritikuar Agollin, sikundër me hile shkruan Dritani, pse nuk kritikon Berishën (gjë që në fakt Dritëroi e ka bërë ca kohë më pare, madje më fort se unë) por pse, në kontekstin e asaj interviste, e lëvdonte, në mendimin tim jo me meritë, atë. Shtrembëron, prapë me hile si dhe duke përvetësuar një akuzë që kanë vite që ma bëjnë fanatikët e Berishës, kur thotë se shaj Berishën. Në fakt, vetëm e kritikoj. Por berishistëve i duken kritikat si sharje nga dashuria fanatike që kanë për Berishën si për një monument. Dhe dashuria e fanatikëve për liderin mund të jetë veçse “monumentale”, e paluajtëshme, si ajo e Dritanit. Edhe ata mendojnë si Dritani që paska njerëz (në rastin e tyre Berisha) që është injorancë t’i kritikosh se kanë gjithmonë të drejtë. Si Duçja për shembull.
Ky është gjymtimi i fanatikëve dhe idhujtarëve të çdo ngjyre. Migjeni fliste për “idhuj pa krena”. Dritani kërcënon të mos preken “idhujt me krena”. Reagimi i Dritanit është fiks në një gjatësi vale jo vetëm me reagimet e fanatikeve të Berishes sa herë i gjuaj “me gure” “monumentit” te idhullit te tyre “me krena”, por edhe me sharjet që më lëshuan pikërisht sapo kritikova Agollin lidhur me vlerësimin për Berishën. Kam përshtypjen se nuk e ka nga që është fanatik i Dritëroit. Shtiret kinse i tillë. Dyshoj se kjo harmoni me berishistët i ka rrënjët në disa zhvillime të kohëve të fundit. Ndoshta me faktin se Dritani nuk është më zëvendësministër. Prandaj, më gjuan me gurë. Por objektivi është tjetërkund. Në kampin përballë Berishës. Gjithsesi i vjen më për mbarë të gjuaj me gurë një gazetar. Por sharja është si guri. Madje më e keqe. Siç thotë njê shprehje e vjetër: Gjuha eshtra ska po eshtra thyen. Dritani mendon se ka të drejtë të më gjuajë me gurë. Mesa duket nga që nuk jam një monument. Dritani respektoka vetëm monumentet. Se përsa i përket lirisë së kritikës, veti kjo e të gjallëve, shihet se nuk ka ndonjë rëndësi për Dritanin. Dhe nuk ka si të ketë. Ngase hileja nuk lyp të drejtë. Pra, as edhe liri. Sepse drejtësia dhe liria janë anë të së njëjtës medalje.