Anija që po mbytet dhe përpjekjet e dëshpëruara për ta shpëtuar
Në një lëvizje disi të papritur, Banka e Shqipërisë uli normën bazë në një nivel minimal historik prej 1.75%. Teksa të dhënat e shtatorit tregojnë një frenim të fortë të ekonomisë, reflektim më së shumti i presionit dhe frikës psikologjike, që ka shkaktuar aksioni antiinformalitet, kjo ngjan si një përpjekje e dëshpëruar e marinarit, që kërkon të riparojë të çarat e shumta, që janë bërë në anije nga një lëvizje e gabuar e kapitenit.
Nëse kthehemi sërish tek të dhënat e shtatorit, të publikuara zyrtarisht deri tani, ato janë zhgënjyese:
-Paraja gjithsej në qarkullim ka rënë me 4.5 miliardë lekë, duke reflektuar një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend dhe shpejtësisë me të cilën qarkullon ajo, çka nënkupton tkurrje të vëllimit të aktivitetit fizik të prodhimit e tregtisë.
-Komisioni Europian paralajmëroi se konsumi do të jetë i dobët përsa kohë që individët dhe bizneset do të jenë të pasigurt derisa politikat e qeverisë të jenë të paqarta.
-Euro ka rënë në nivelet më të ulëta në gati dy vjet, duke zbritur poshtë 139 lekë në fund të javës së kaluar, teksa tregtarët kanë stepur aktivitetin e tyre dhe kanë reduktuar blerjet jashtë vendit.
-Importet në shtator ranë me 7.4%, duke paralajmëruar për konsum të dobët.
-Zyrtarisht në dy tremujorët e parë të vitit, konsumi ka rënë përkatësisht me 1.1 dhe 3.2% dhe sinjalet, nisur nga shifrat e deritanshme, janë që kjo tendencë do të vazhdojë.
-Banka e Shqipërisë rishikoi sërish së fundmi me ulje rritjen ekonomike në 2.5%, ndërsa BERZH i uli më tej pritshmëritë në 2.3%. Edhe rritja prej rreth 2.7% në 6 – mujorin e parë ka qenë e nxitur nga elementë rastësorë e të paqëndrueshëm, si energjia në tremujorin e parë dhe ndërtimi (nga punët publike në prag të zgjedhjeve) në tremujorin e dytë.
-Eksportet kanë qenë në pikiatë për gjithë vitin dhe për 9 – mujorin tkurrja ishte gati 4%.
-Kredia e re për ekonominë ishte minimale në shtator, me huanë në euro që ishte në nivelin më të ulët të 10 viteve dhe atë në lekë, që nuk ishte parë nivele kaq të ulëta që prej 4 vitesh. Rënia e vazhdueshme e stokut të huasë në 7 nga 9 muajt e këtij viti është një tregues i qartë i frenimit të investimeve.
-Të ardhurat buxhetore për 9 – mujorin ishin 7 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar me ulje në mes të vitit dhe në muajt në vijim pritet të ndryshojnë pak, pavarësisht vrullit të aksionit. Në kahun tjetër kjo nënkupton se financat do të jenë të detyruara të kryejnë më pak shpenzime për të ruajtur deficitin buxhetor të pandryshueshëm, duke hedhur më pak para në ekonomi.
Në këtë panoramë dëshpëruese, Banka e Shqipërisë po përpiqet të nxjerrë me kova ujin nga anija që është duke u mbytur, duke ndjekur madje dhe një politikë kontradiktore (ulja në minimum e normës së interesit, në një kohë që shifrat zyrtare tregojnë se ekonomia ka hyrë në trajektore rritjeje).
Të dhënat historike afatgjata sugjerojnë që politikat lehtësuese monetare, të paharmonizuara me ato fiskale nuk ia kanë dalë të nxisin ekonominë. Që nga viti 2011, kur ka filluar lehtësimi monetar, norma bazë ka zbritur nga 5.25% në 1.75% aktualisht, por kjo ka ndikuar pak në nxitjen e kreditimit të ekonomisë, që është qëllimi kryesor i kësaj politike. Kjo sepse janë të tjera arsye më të rëndësishme se kosto e parasë, që bizneset nuk investojnë dhe konsumatorët nuk shpenzojnë, si mungesa e projekteve të mira, apo stepja për të investuar në një mjedis të paqëndrueshëm dhe të pasigurt, ku sjellja dhe politikat fiskale ndryshojnë vazhdimisht (kujtojmë presionin mbi biznesin e vogël për tu formalizuar dhe pajisur me kasa dhe premtimin e fundit për t’ia hequr fare taksat). Sado që tentohet të trajtohet dhe studiohet si shkencë, ekonomia nuk është matematikë dhe një ulje e normës bazës nuk të sjell korrelacionin e pritshëm në kredi, investime dhe konsum. Ambienti ekonomik është një faktor dhe më i rëndësishëm, që mund të shërbejnë si katalizator apo frenues në sjelljen e bizneseve dhe konsumatorëve. Dhe të dhënat e trishta të shtatorit, që përkojnë me nisjen e aksionit antiinformalitet, janë dëshmia më e mirë e kësaj. Terrori në emër të antiinformalitet po krijon një efekt psikologjik negativ, sidomos te bizneset, që po kthehet në një pengues të frikshëm të ekonomisë dhe investimeve e duhet ndalur sa nuk është vonë.(Monitor)