Ankthi i ngricës së madhe, thua do ngrijmë të gjithë?

Placeholder Image

“Sepse edhe sikur të dojë, Qeveria e di se Arka e Shtetit është bosh, ose kanë mbetur fare pak kacidhe aty brenda, kur duhen sëpaku disa dhjetëra miliona euro të taksave tona, që të shpenzohen me vrull dhe ndershmëri, që të kalojmë me dinjitet këtë sulm të ashpër të natyrës’…

Nga Artur Zheji

I ftohti Siberian do të zbresë si një mallkim tjetër më shumë, në Shqipëri. Bashkë me epideminë e gripit, të aksidenteve dhe të pasigurisë, kjo nuk pritej dhe nuk dëshirohej nga askush. Paniku gjarpëron në media dhe jo vetëm. Ministrat e qeverisë, thonë marrëzira të padëgjuara, që lidhen me spitalet dhe me ndërprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale, me aksidentet, me kripën që mungon për rrugët që do të bllokohen, për shkollat që do vijojnë të rrinë mbyllur.

Pyjet e mbetura do të priten me shpejtësi. Gazi do të shtrenjtohet nga spekulantët. Popullsia e varfër e të pastrehëve, do të dhjetohet. Ata që jetojnë në baraka dhe nëpër hangare apo haure që u vihet emri banesë, rrezikojnë të gdhihen të ngrirë, në temperaturat – 20 gradë celcus, për të cilat shqiptarët janë të papërgatitur. Sepse kjo temperaturë e majëmaleve, do të zbresë edhe në fushë.

Sepse s’kanë as rroba dhe as sistem ngrohjeje të përshtatshme. Me siguri, në kulmin e sulmit të Acarit të Janarit, do të ketë ndërprerje të shumta të energjisë elektrike. Sepse të gjithë do të ndezin gjithçka që munden, për të lejuar gjakun që të qarkullojë, sepse trupi duhet të ruajë temperaturën magjike 36,5 gradë që të jetojë, që zemra të rrahë dhe gjaku të rrjedhë natyrshëm.

Shoqëria dhe shteti ynë prej kartoni, pritet të marrë pra një goditje të fortë, që quhet Kallkanosja e përgjithshme, “po ku qëndron problem këtu?” Emergjenca Kombëtare pra, duhet të shpallet hapur, sepse llafi i keq ka dalë, që ngrica e madhe po vjen dhe që s’jemi dhe s’kemi qenë kurrë gati për një ndodhi të tillë të jashtëzakonshme.

Sigurisht më të pasurit dhe më të pushtetshmit, nuk janë aspak të rrezikuar, madje shumë prej tyre vazhdojnë pushimet e tyre jashtë Shqipërisë dhe bëjnë ski dhe s’kanë pse merakosen. Madje në këto ditë të acarta që janë te pragu, mund edhe t’ja mbathin në Dubai apo në Sharm el Sheikh, ku edhe të marrin rreze e vitaminën e çmuar D, që na jep aq bujarisht Dielli.

Në një vend normal, në këto raste mobilizohet Ushtria, që të mbajë hapur akset më kryesore rrugore! Po a kemi Ushtri? Askush nuk e di tamam këtë. Në këto raste hapet Fondi i Rezervës Kombëtare dhe Shteti vepron energjikisht dhe me dekrete të posaçme, ua blen energjinë privatëve, gaz, naftë, qymyr dhe ua jep lirë ose gratis shtresave në nevojë, në zonat ku goditja ekstreme e të ftohtit do të jetë më e ashpër dhe më jetëgjatë.

Në këto raste Shteti, blen, nëse nuk ka të depozituara në Rezervat e Shtetit, ushqime bazike dhe ilaçe të nevojës së parë dhe fillon urgjentisht shpërndarjen e tyre, nëpër bashkitë dhe komunat periferike, të cilat hartojnë listat e nevojtarëve, e të papunëve, e pensionistëve dhe të familjeve me shumë fëmijë.

 Në këto raste Shteti vendos në gatishmëri “luftarake”, flotën e helikopterëve të Ushtrisë, të Policisë, të Ministrisë së Shëndetësisë… po a e kemi dot një flotë të tillë? Se lekët e shtetit, janë bërë rrush e kumbulla për palma, për mobilje të shtrenjta, për “udhëtime zyrtare”, për vetura lluksoze, apo për të mbushur thasët me para, për pasurimin e çmendur të shtetarëve. Pra ankthi dhe paniku e ka një bazë reale, sepse jemi të zhveshur dhe lakuriq nga mjetet që duhen për të përballuar, këtë Ofensivë minus 20 gradëshe.

Dhe as që e kemi dot luksin e një Qeverie, minimalisht të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë, që të dalë e të thotë: “Punët janë keq dhe masat që do të ndërmarrim janë këto e ato!”. Sepse edhe sikur të dojë, Qeveria e di se Arka e Shtetit është bosh, ose kanë mbetur fare pak kacidhe aty brenda, kur duhen sëpaku disa dhjetëra miliona euro të taksave tona, që të shpenzohen me vrull dhe ndershmëri, që të kalojmë me dinjitet këtë sulm të ashpër të natyrës.

Rrini pra nëpër shtëpia. Blini ç’të mundni për disa ditë. Kthejuni çorapeve dhe trikove të leshit të gjysheve dhe lutjuni Zotit që besoni, që ta hedhim edhe këtë radhë.

360gradë.al

SHKARKO APP