Arbion Aliko, një aventurier “i sëmurë” dhe jo ekstremist i ISIS!
Nga policia thuhet se banda e Lazaratit dhe “grupi i zjarrit” që qëlloi ndaj RENEA-s mendohet se drejtohet nga Arbion Aliko. Ky i fundit është përfolur në media për afërsi me ekstremistët e ISIS, por banorë të Lazaratit tregojnë se e njohin si një aventurier më shumë se sa një njeri të lidhur me fenë.
Policia deri më tani i ka servirur publikut faktin se në Lazarat ka ekzistuar një bandë kriminale– pjesa më e madhe e cilës pas vrasjes së efektivit të policisë ka përfunduar në pranga, si të vetë-dorëzuar – por ende nuk është mësuar zyrtarisht se kush është kreu i kësaj bande dhe dora e cilit i mori jetën efektivit të policisë, Ibrahim Basha. Hetimet vazhdojnë, ndërkohë që ngjarja pritet të zbardhet pas dëshmive që do të japin të dorëzuarit e “grupit të zjarrit”, apo edhe 7 të tjerët që janë ende në lirë dhe pritet të bien së shpejti në pranga.
Dyshimet e para të policisë thonë se autori kryesor mund të jetë Arbion Aliko, vetëm 20 vjeç. Ende adoleshent, ai kuptohet se më tepër se kreu i ndonjë bande dhe në gjendje të sfidonte shtetin, ka qenë thjesht një aventurier që ishte rritur mes plantacioneve të kanabis sattiva dhe ndoshta duhet të ishte “rehabilituar” me kohë nga shteti, që kur nisi operacioni në Lazarat, për të shmangur tragjedinë e fundit me një polic të vrarë dhe dy të plagosur. Vetëm 3 muaj më parë, ai u përfshi në një incident tjetër me policinë në Lazarat. Ishte pikërisht ky momenti kur mediat publikuan foto të tij në FB, ku ai bënte edhe temenara ISIS-it.
Në Lazarat, Arbion Aliko njihet si ndër personat më problematikë, me një karakter tepër të vështirë, duke krijuar gjithmonë probleme. Raportet e tij me besimin nuk kanë qenë asnjëherë të konsoliduara; dhe më tepër se si besimtar, ai trajtohet nga ata që e njohin thjesht si një aventurier,
Është përfshirë rregullisht, në kultivim e shpërndarje lëndësh narkotike, e po ashtu dhe në vepra të tjera penale.
Gëzonte për këtë arsye autoritet ndër moshatarët e tjerë dhe me disa syresh ka arritur të përbëjë një grup, kryesisht me moshatarë të tij, që menduan se mund sfidonin shtetin.
Ajo që po mban të habitur banorë të shumtë të Lazaratit, është lënia e tij e lirë për kaq kohë që të lëvizë pa asnjë problem, ndërkohë që ishte shpallur edhe person në kërkim. Gjatë këtyre tre muajve, që prej incidentit të marsit, Arbion Aliko është parë të shkonte edhe në Gjirokastër, pa llogaritur faktin se në Lazarat e rrethina ai ka bërë një jetë në liri të plotë.
Banorët e Lazaratit thonë se ditën e zgjedhjeve ka shkuar nga njëra qendër votimi në tjetrën, pa asnjë fare droje ndaj shtetit, nga fakti se ishte person në kërkim. Prandaj edhe banorë të Lazaratit nuk kuptojnë se si ka mundësi që policia nuk ka mundur ta kapte më herët, Arbion Alikon?
Sipas tyre, edhe publikimet e fotove të ISIS-it, që ai, apo persona të tjerë që tashmë janë shpallur si të dyshuarit e sulmit të mëngjesit të 24 qershorit, nuk kanë të bëjnë me besimin e tyre fetar, por me zellin e tyre të sëmurë prej aventurierësh.
Sidoqoftë, “grupi i zjarrit” apo i aventurierëve të Lazaratit, duke mos llogaritur pasojat edhe nga mosha që kishin menduan se mund të sfidonin RENEA-n, të qëllonin madje ndaj tyre, të vrisnin ndonjërin dhe të frikësonin këta të fundit të tërhiqeshin një herë e mirë nga Lazarati. Albion Aliko me shokë, tashmë të rrethuar nga 400 forca speciale, duket se e kanë mbyllur aventurën e tyre këtu. Pasi të jenë arrestuar të gjithë, dhe pas hetimeve që do të zbardhin të vërtetën, përgjegjësit kryesorë “do të marrin ndëshkimin që meritojnë,” – kanë paralajmëruar autoritetet më të larta të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

