“Ardhja e Merkel në Tiranë, ripërfshirje e Gjermanisë në rajon. Minimizim i influencës ruse”
Florian Bieber nga Qendra e Studimeve për Europën Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri, i cili ndodhet në Tiranë, në një intervistë për Top Channel jep këtë opinion për vizitën e 8 korrikut të Kancelares Angela Merkel në Tiranë.
Nga Muhamed Veliu
“Mendoj se kjo vizitë lidhet me ripërfshirjen e Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor. Tani ne shohim një interes të shtuar të Gjermanisë, e cila i vlerëson si tejet të rëndësishme marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit. Gjermania tashmë e ka kuptuar rëndësinë e Ballkanit dhe dinamikën pozive të rajonit”, thotë Florian Bieber.
Top Channel: Por përse pikërisht tani ky interes në rritje nga Gjermania për rajonin e Ballkanit?
Florian Bieber: Mendoj se kjo bazohet më së shumti në të kuptuarin se zgjerimi BE-së nuk është duke funksionuar siç duhet për momentin. Dhe për këtë ne shikojmë disa vende antare që përfshihen në këtë çështje. Kështu, disa vende janë duke marrë rol udhëheqës. Një prej tyre është Gjermania, që ka kuptuar se nuk është e rëndësishme vetëm çuarja përpara e procesit të zgjerimit, por gjithashtu se ka edhe lojtarë të tjerë në këtë histori, siç është Rusia. Ne e dimë që marrëdhëniet e BE-së me Rusinë janë përkeqësuar dhe se Rusia mund të luajë një rol negativ në rajon dhe është nevoja në dërgimin e një sinjali të qartë se, me reforma dhe një bashkëpunim më të mirë rajonal këto vende mund të avancojnë rrugën e tyre drejt Unionit Europian dhe se nuk ka alternativa të tjera. Gjermania dhe BE-ja duan që rajoni të jetë në BE. Europa nuk e shikon me shqetësim pse investitorë rusë i afrohen Ballkanit. Problemi lidhet me frikën e aplikimit të modelit autoritar rus në rajon, të cilin ne e kemi parë në Maqedoni, ku Rusia është duke mbështetur qeverinë aktuale. Jo se ata janë pro Rusisë, por se duken më afër atij lloj autoritarizmi në Rusi. Prandaj, në këtë këndvështrim roli Rusisë në rajon shihet si negativ.
Ndërsa Gabriel Partosh, analist për rajonin në “The Economist Intelligent Unit” në Londër, jep këtë përkufizim për ardhjen e Merkel në rajon.
“Rëndësia e kësaj vizite të Kancelares Merkel lidhet me faktin se Gjermania tani është duke marrë një rol më pro-aktiv në Ballkanin Perëndimor. Këtë ne e pamë me Konferencën e Berlinit vitin e shkuar. Gjermania është duke dhënë inkurajimin e duhur për reformat në këto vende të rajonit për të përshpejtuar hapat e antarësimit në BE. Prandaj, mendoj se kjo vizitë, përfshihet në të tilla përpjekje që parashtrova më sipër që Gjermania tani është duke marrë një rol aktiv e të shtuar në rajon”, thekson Gabriel Partosh.
Top Channel: Përse ky rol aktiv dhe i shtuar nga Gjermania pikërisht tani?
Gabriel Partosh: Sepse askush në Europë nuk e ka vullnetin ta bëjë një gjë të tillë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshira me zhvillimet në Lindjen e Mesme. Unioni Europian është i tejmbushur me problemet e brendshme, si Greqia apo edhe Britania me referendumin. E gjithë kjo situatë e largon vëmendjen nga Ballkani përveç gjermanëve, të cilët edhe ata kanë probleme me BE-në, por të paktën tregojnë se kanë energji të merren me Ballkanin. Por përse dhe përse tani? E veçanërisht që prej vitit të shkuar. Mendoj se kjo lidhet me rrezikun që i kanoset BE-së, e në veçanti integrimit të vendeve aspirante, duke humbur shpejtësinë siç ndodhi me Maqedoninë, një vend që pret e pret pafundësisht, pasi ka 10 vite që është vend kandidat. E kështu, gjermanët mendojnë se ky mbase është rasti për t’u dhënë fund zvarritjeve të BE-së, duke u siguruar se progresi të paktën për Kosovën mund të arrihet. Prandaj Merkel do të vizitojë edhe Beogradin, dhe Tiranën, e në këtë rast merr rëndësi të posaçme. Merkel kërkon të sigurojë mbajtjen e premtive nga serbët dhe ata kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve. Nga ana tjetër, Shqipëria duhet të luajë një rol të përgjegjshëm në lidhje me shqiptarët e Kosovës, ata në Maqedoni dhe rajon.
Top Channel: Ardhja e Merkel në Tiranë e çon në tre numrin e takimeve me Ramën në harkun kohor të një viti. A mendoni se Merkel është duke kërkuar një lider për rajonin dhe se Edi Rama a mund ta përmbushë një rol të tillë?
Gabriel Partosh: Ajo nuk ka shumë zgjedhje në këtë rast. Qartësisht Edi Rama potencialisht mund të jetë një prej udhëheqësve. Natyrisht për Gjermaninë dhe rajonin, Serbia është padiskutim me rëndësi, është një prej vendeve më të forta, i cili është parë në citimet ruse me një lloj flirtimi në distancë. Merkel kërkon siguri që Serbia mos të dalë nga rrugëtimi europian. Vuçiç shihet si një kryeministër pragmatist. Unë nuk do t’i vendosja të gjitha paratë në një bast për Edi Ramën, për atë që ju më pyesni, por natyrisht për Merkel, Rama shihet si një figurë e rëndësishme në rajon, sëbashku me kryeministrin Vuçiç.