Ardian Hoxha: Rama duhet t’i japë fund agonisë për zhdukjen e tim ati

 

Nga Ardian Hoxha

Unë isha vetëm 14 vjeç kur Shërbimi Informativ Kombëtar, SHIK rrëmbeu babain tim më 21 tetor 1995, më shumë se 20 vjet më parë.

Në atë kohë, rrugët që të çonin në Shqipëri ishin më së shumti shtigje dhensh ndaj iu desh sime mëje dhe xhaxhallarëve 10 orë që të mbërrinin në Tiranë dhe të fillonin të trokisnin në dyert e institucioneve për të zbuluar ku e kishin çuar pasi morën një telefonatë që thoshte se ai ishte zhdukur.

Ky ishte fillimi i një historie të çuditshme ku, nën një regjim të ashpër post Enver Hoxha, në demokracinë e Sali Berishës, nëntë burra të shërbimit sekret erdhë në tre makina, morën tim atë nga fabrika e tij për “verifikim” dhe premtuan ta lirojnë atë pas 48 orësh – pastaj e vranë atë dhe i fshehën eshtrat.

Remzi Hoxha ishte një sipërmarrës që drejtonte një kompani të përpunimit. Familja jonë është marrë me prodhimin dhe tregtimin e bizhuve që nga viti 1965.

Kur Slobodan Millosheviç erdhi në pushtet në Serbi dhe ia mori Kosovës autonominë, babai im iu bashkua lëvizjes së rezistencës të thirrur Fronti për Rezistencë dhe Bashkim Kombëtar që më vonë u shkri në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. Teksa ai u bë një burrë i kërkuar nën regjimin e Millosheviçit, atij iu desh të largonte biznesin nga Kosova dhe të fillonte drejtimin e një fabrike të vogël në Shqipëri.

Sot e kësaj dite ne dyshojmë se shërbimet sekrete e shënjestruan babain tim sepse gjatë njërit prej udhëtimeve të tij të shpeshta në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, ai u has në një takim që po ndodhte mes Berishës, Kiro Gligorov, presidentit maqedonas dhe Millosheviçit më 31 maj 1993.

Ky takim ndodhi në Shën Naum, një resort liqenor në kufirin Maqedoni-Shqipëri.

Berisha konsiderohej “babai i kombit” dhe për shqiptarët patriotë si babai im dhe miqtë e tij, mundësia që Berisha po bënte marrëveshje me Millosheviçin ndërsa ai po nxiste luftën në Bosnje dhe po terrorizonte shqiptarët në Kosovë ishte një tradhti.

Në një tjetër rast, disa muaj më vonë, babai im dhe skuadra e tij e menaxhimit nga kompania shkoi të inspektojë një prej projekteve të tij në Shkodër, në veri të Shqipërisë.

Pasi mbaruan së punuari, ata shkuan për drekë në një restorant ku ata panë Bashkim Gazideden, kreun e Shërbimit Sekret Shqiptar, duke drekuar me Zeljko Raznatoviç “Arkanin”, krahun e djathtë të Millosheviçit.

Kolegët e tim eti e përshkruajnë atë krejtësisht të shokuar nga kjo pamje. Pas kësaj, ai telefonoi Pjetër Arbnorin, kryetarin e parlamentit në Shqipëri me të cilin ishte mik dhe e pyeti “Çfarë po ndodh? Teksa ne po përgatitemi të luftojmë me ta, njerëzit e tu hanë drekë me Arkanin dhe Millosheviçin.”

Babai im ishte i papërtueshëm. Ai e diskutoi këtë çështje me Ibrahim Rugovën, lideri i lëvizjes kosovare për pavarësi në atë kohë. Ne dyshojmë se Arbnori dhe Rugova e telefonuan Berishën për ta pyetur për këtë. Nuk është sekret që babai im ishte burimi që kishte parë këto takime. Babai im në këtë skenë dinte shumë dhe nuk do të tërhiqej nga kjo. Duke fshirë tim atë, ata do të fshinin të gjithë kujtesën nga këto takime.

Disa cinikë do të thoshin se disidentët, veçanërisht patriotët pasionantë si babai im, janë natyralisht të lidhur me paranojën rreth tradhtisë dhe hamendësojnë shumë rreth këtyre takimeve.

Por unë kam lexuar lajme të pafundme në median serbe, malazeze dhe ndërkombëtare që provojnë se liderët jugosllav në atë kohë, si Momir Bulatoviç i Malit të Zi flisnin haptazi rreth takimit me mikun Berisha, duke e nxitur atë të mbyllte një sy dhe të thyente embargon ndërkombëtare duke lejuar trafikimin në Jugosllavi.

A e mbylli Berisha njërin sy? Neë York Times raportoi në 1995 se Shqipëria, në veçanti Shqipëria veriore, bastioni i votuesve të Berishës, po e shkelte haptazi embargon e OKB kundër Jugosllavisë, duke furnizuar sasi të mëdha karburanti te tanket serbe që luftonin në Bosnje.

Artikulli shkruante se administrata amerikane e Bill Klinton madje po merrte në konsideratë dërgimin e një note diplomatike te Berisha, teksa Shqipëria po bëhej autostrada e karburantit të fqinjit të keq.

Ndërsa kjo njihej në shtypin ndërkombëtar, shqiptarët e Kosovës, gjithashtu nën sanksione, ende e shihnin Shqipërinë me romantizëm.

Patriotët si babai im që luftonin nga pas, duke u përgatitur për luftë, nuk e besonin kurrë veçse po ta shihnin me sytë e tyre, se figurat kyçe në Shqipëri po e thyenin me dijeni embargon dhe bënin tregti me Millosheviçin.

Berisha ka mohuar akuzat se ai e prishin embargon. Që nga zhdukja, Berisha është pyetur vazhdimisht për fatin e Remzi Hoxhës dhe ai ka mohuar të ketë dijeni. Bashkim Gazidede gjithashtu ka mohuar se SHIK kishte lidhje me zhdukjen e babait tim.

Por kjo nuk është ajo që mendon Xhavat Hana, prokurori i guximshëm i njësisë së krimeve të rënda në Shqipëri. Gjatë një gjyqi të gjatë që filloi në 2008 dhe mbaroi në 2012, prokurori argumentoi se pasi u dërgua në një ndërtesë të SHIK në Lezhë, në Shqipërinë veriore Hoxha vdiq si rezultat i plagëve të marra nga tortura.

Hana, drejtuesi i mbledhjes së provave në këtë çështje, vdiq nga një sëmundje enigmatike në janar 2012. Ndërsa shteti shqiptar që drejtohej nga Berisha pagoi për trajtimin nga kanceri të kreut të SHIK, Gazidede, në 2008, kërkesa e familjes së Hanës për ndihmë financiare nga shteti për trajtimin e tij jashtë hasi në heshtje.

Ndërsa bënte fushatë për drejtësi në lidhje me këtë çështje për 20 vitet e fundit, familja jonë mësoi se torturuesit donin të zhduknin çdo provë që babai im mund të kishte për këto takime polemike.

Plani mund të ketë qenë të nxirrnin provat prej tij dhe ta linin të largohej. Por ai nuk kishte. Atëherë nuk kishte smartfonë në atë kohë. Gjithë ç’ka mund të bënin është të rrisnin torturën derisa babai im vdiq, katër ose pesë ditë pas arrestimit të tij, pas të cilit ne dyshojmë se ata u përpoqën të fshehin trupin me shpresën se nëse nuk kishte trup, nuk kishte krim.

Në nëntor 2012, një gjykatë e shpalli Ilir Kumbaron, një nga katër zyrtarët e SHISH, fajtor për rrëmbimin dhe e dënoi atë në mungesë me 15 vite. Ironikisht, megjithatë, asnjë nga njerëzit e akuzuar për zhdukjen e babait tim nuk po vuan dënimin sot. Tre janë liruar teksa akuzat e tyre kanë rënë nën kategorinë e krimit të kapur nga amnistia, ndërsa Kumbaro besohet se jeton i lirë në Britani.

Kumbaro kërkoi azil në Britani në 1996 duke u shtirur si një refugjat kosovar dhe jeton që atëherë nën identitetin e rremë si Shaqa Shatri.

Pasi identiteti i tij u zbulua nga një gjykatë britanike dhe pasi Shqipëria kërkoi ekstradimin e tij, Kumbaro u zhduk dhe ai nuk është gjetur nga autoritetet britanike.

Megjithëse Amnesty International ka bërë fushatë për vite që përgjegjësit e zhdukjes me forcë të tim ati të sillen përpara drejtësisë, nuk ka ndodhur ndonjë gjë.

Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, ka provuar se që të zbatohet rendi ligjor, se mund t’i bëjë gjërat të ndodhin, duke luftuar me sukses lordët e drogës në Lazarat në Shqipërinë jugore dhe arrestoi me shpejtësi vrasësin e disa turistëve çekë në veri të Shqipërisë këtë vit.

Në rastin e babait tim, qeveria Rama, duhet të tregojë vullnet politik për të nxitur kërkimin e Kumbaros në Britani, ku ai u pa për herë të fundit.

Nuk ka aktualisht asnjë përpjekje nga institucionet në Shqipëri për të ekzekutuar vendimin për arrestin e Kumbaros. Fakti që kjo nuk ka ndodhur ngre pyetjen: është Kumbaro ende i mbrojtur nga disa njerëz në shtetin shqiptar?

Shumë qeveri kanë ndryshuar në Shqipëri që nga vrasja dhe secila nuk ia ka dalë të nxisë drejtësinë. Por, mbi të gjitha, përveç vënies në vend të drejtësisë formale, ne duam të gjejmë trupin e babait tim dhe ta varrosim atë që brezat e ardhshëm të kenë ku të çojnë lule.

Zgjidhja e krimit jo vetëm do t’i tregojë botës se Shqipëria është gati t’i bashkohet Europës, por edhe të heqë një barrë nga shpatulla e Shqipërisë dhe të tregojë se është në gjendje të merret me të shkuarën.

Është më e lehtë sesa më parë të zgjidhet ky krim i shëmtuar dhe i dhimbshëm, pasi ka një kriminel të dënuar dhe fati mbështetet vetëm në vullnetin politik të kryeministrit shqiptar Edi Rama.

SHKARKO APP