Armiqtë brenda nesh

Nga Ilva Tare

Do ta kem të vështirë të fshij nga kujtesa tingujt e dëshpërimit të një fëmije në videon amatore tek stacioni i metrosë Malbbek. Do ta kem edhe më të vështirë të ruaj qetësinë sa herë më duhet të ndërpres mbledhjen në dhomën e lajmeve për t’u futur në studio drejtpërsëdrejti për të përcjellë ngjarje tragjike që ofrojnë pamje prej ferri dhe dhimbje të shkaktuar nga njerëz të mbitokës që pretendojnë se veprojnë në emër të Allahut.

Sulmet terroriste të Brukselit, dëshmuan se Ankaraja, Stambolli, Parisi dhe dhjetra viktimat e pafajshme nuk janë më fatkeqësi të një ngjarjeje të jashtëzakonshme. Siguria e jetës është vënë në shenjestrën e terroristëve, të rritur dhe ekstremizuar në vende europiane që nuk ndajnë asfare vlerat e Europës për lirinë dhe bashkëjetesën. Vrasësit e tragjedisë së sotme janë ëndrra më e keqe e të nesërmes.

Ata nuk po ndalin vetëm zemra. Ata po mbjellin vdekje fizike dhe shpirtërore. Sepse ata na urrjenë ne, europianët e brenda dhe jashtë Bashkimit Europian dhe përtej. Ata, si e keqja më e zezë që po përjeton njerëzimi i gëzohen me ngërdheshje, tolerancës dhe harmonisë së predikuar fetare. Kamikazët e vdekjes, janë duke përfituar nga Europa burokatike që lëviz me ritëm breshke, që merr vendime konfuze, që është e ndarë dhe e pafuqishme për t’ju përgjigjur terrorit të një grupi njerëzish që vrasin në emër të shtetit islamik.

Kur raporton nga studio komode televizive psherëtimat dhe makthi që shprehin fytyrat e njerëzve të shokuar nga atentatet amplifikohen disafish në kufjet e transmetimit. Jetë njerëzish kthehen në bilance proviziore që përditësohen duke u konsideruar thjesht si numra, edhe pse pas tyre qëndron një jetë e ndërprerë padrejtësisht, fatalisht. Belgët ashtu si francezët apo turqit edhe sirianët, afrikanët, irakenët nuk e meritojnë të vdesin në emër të një asgjëje që propagandohet si luftë e shenjtë.

Thirrjet dhe mesazhet e liderëve botërorë që duket sikur dalin nga sirtarët e arkivave të tragjedive të mëparshme në vend që të inkurajojnë, shërbejnë si dëshmi e dështimit të politikave të tyre. Premtimi se terroristët do të kapen dhe terrori nuk do t’a mposht shpirtin dhe civilizimin europian është një demagogji që nuk bind askënd. Nëse nuk kanë forcë për të sjellë paqen të paktën të jenë të sinqertë dhe ta trajtojnë njerëzimin me kushtet dhe rregullat e një lufte të shpallur tashmë në të gjitha frontet.

Qyetetarët e Europës dhe të botës duhet ta dinë se kur ngrihen në mëngjes u rrezikohet jeta nga armiku që jeton brenda tyre. Ai ndodhet kudo. Në rrugë, në aeroport, në spital. Por armiku më i rrezikshëm, ai që i jep fund kuptimit të bashkëjetesës është ai që ka zënë rrënjë në ndërgjegjen qytetare përmes frikës dhe ankthit se nuk është më Zoti që ta merr jetën, por edhe disa agjentë të shtirur që luajnë me emrin e tij, duke përfituar nga dobësitë e kombeve dhe shteteve që tolerojnë terrorizmin në emër të interesave dhe përfitimeve të dyshimta.

SHKARKO APP