Arnat e politikës së re në xhaketat e vjetra

Nga Dr. Bledar Kurti –

“Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe.
Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy.”

Këto fjalë të thëna nga vetë Krishti kanë shërbyer prej dy mijë vitesh si udhërrëfim për njerëzimin mbi faktin se e reja dhe e vjetra nuk mund të bëhen kurrë bashkë.

Arna e re në xhaketën e vjetër e gris atë më shumë. Dhe vera e re në kacekë të vjetër e shpon enën dhe prish edhe vetë verën. Që do të thotë se teza e politikës së re si arnim për xhaketat e vjetra jo vetëm që nuk funksionon por hap edhe më shumë gropa për vendin. Si edhe idetë e reja nga goja e figurave të vjetra janë thjesht një fiasko apo mashtrim.

Gremina shtatë vjeçare e kësaj qeverisje nuk mbulohet aspak me premtime të reja.

Mendësia e vjetër e zhvatjes, pasurimit, korrupsionit, oligarkisë dhe diktaturës nuk mund të prodhojë një të ardhme të re. Vetëm një mendësi e re politike mund të prodhojë një realitet të ri.

Një politikë e re e cila e sheh qeverisjen si shërbim dhe jo sundim. Që ia kalon sovranitetin ekzekutiv dhe legjislativ popullit përmes referendumeve, duke ua lënë shqiptarëve të votojnë pro apo kundër nismave madhore për vendin apo ndryshimeve kushtetuese. Një politikë që ia heq privilegjet vetes por që ia shton lirirë dhe komperencat qytetarit. Një politikë që flet më pak e dëgjon e vepron më shumë. Një politikë që ka prioritet absolut të zgjidhë urgjentisht plagët më thella të shqiptarëve që janë çështja e pronave, siguria në pozicionet e punës, shëndetësia, arsimi, pensionet dhe punësimi i rinisë.

Për 30 vite shqiptarët e thjeshtë nuk arritën të marrin pronat e tyre. Gjëja e parë që bëri qeveria e “Rilindjes” ishte të bllokonte pronat në të gjithë bregdetin shqiptar dhe përmes Korporatës së Investimeve, e ngritur mbi një paketë ligjesh të rrëzuara nga Komisioni i Venecias si anti-kushtetuese dhe në shkejle të drejtave të njeriut, por të miratuara në mospërfillje ndaj saj nga parlamenti mono-partiak, të uzurponte çdo metër të sipërfaqeve private dhe publike në bregdet.

Tani “Rilindja” kërkon edhe katër vite të tjera. Për çfarë? Që të zhvasë edhe më shumë prona? Të zhvasë edhe ndonjë copë truall që ka mbetur pa e kullufitur ende?

A pretendon politika shqiptare se është novative, atëherë le lë zgjidhë çështjen e pronësisë. Le t’u japë shqiptarëve të zotërojnë pronat e gjyshërve të tyre. Kjo do ishte politikë e re për Shqipërinë.

Kapitali është themeli i zhvillimit. Dhe me kapitalin e sigurt të pronësisë një shqiptar i thjeshtë është më i aftē ta ndërtojë jetën e tij më mirë se çdo ministër finance i një qeverie që bën sikur interesohet për shaiotarët, e sidomos ministra të kësaj qeverie e cila jo vetëm punon për oligarkët por as nuk e ka sfiduar kurrë me ide dhe aftësi inteligjencën mesatare kombëtare.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për propagandën e një qeverie por për tokën dhe pronën e tyre sepse dinë më mirë se çdo kryeministër apo deputet si ta ndërtojnë me sukses të ardhmen e tyre.

Politikë e re është të gjenden mekanizma efektiv për pozicionin e punës në administratën publike që mos të përfundojnë në rrugë specialistët më të mirë vetëm se partia sjell analfabetë si drejtues. Që trupa e administratës të mos ndikohet nga presionet politike se për kë duhet të votojë.

Një administratë e pavarur dhe e respektuar e jo e zvetënuar si kjo e sotmja e cila detyrohet me kërcënime për vendin e punës dhe bukën e gojës që të votojë apo të plotësojë formularët me emrat e familjarëve që duhet të votojnë partinë në pushtet.

Politika e re ofron një shëndetësi dhe arsim më të mirë me strategji konkrete për një shërbim më të mirë shëndetësor, me mjekët që shtohen e jo largohen, me paga si ato të rajonit dhe jo vendeve afrikaneve, dhe një edukim që jep ndikim të drejtpërdrejtë dhe të prekshëm në zhvillimin e vendit ku universitetet të jenë vatrat e ideve, prodhuese të elitave si dhe motori i progresit.

Politika e re arrin të krijojë rritje pensionesh dhe paketa mbështetje financiare që asnjë i moshuar apo e moshuar në Republikën e Shqipërisë të mos i ngrysë ditët e fundit të jetës në varfëri siç ndodh sot me të gjithë pensionistët shqiptarë sot të cilët me pensionet qesharake që marrin nuk paguajnë dot as për medikamentet që marin e jo më për të jetuar.

Politika e re krijon punësim. Çfarë arne të re do i qepë kjo qeveri shtatë viteve qeverisje me zero vende të reja pune? Me zero investime të huaja? Madje në vend që të hapte vende të reja pune mbylli me mijëra ekzistuese dhe largoi rininë dhe shpopulloi vendin.

Këto sektorë janë gangrenat e vendit tonë të cilat nuk janë zgjidhur kurrë gjatë 30 viteve.

Çdo premtim mbi gjëra të tjera apo ide të reja mbi qeverisjen janë thjesht mashtrimet e radhës.

Ndaj duke iu kthyer arnës së re të xhaketave të vjetra, nuk duket të harrojmë e as besojmë kurrë se zhvatësit e pronave do ua kthejnë sërish të zotëve, as pushtetarët nuk do ua kthejnë pavarësinë administratës, as privilegjet e oligarkëve t’i ndajnë me pensionistët.

Varrmihësit e shpresës nuk duhen besuar kurrë kur premtojnë se do e rikthejnë atë. Pasi vrasësi nuk krijon kurrë jetë por vetëm vdekje.

E vetmja zgjidhje është një shpresë e re dhe horizont i ri, në të cilën nuk ka më asnjë hije, xhaketë apo kazan të vjetër.

Ndaj edhe 25 prilli është i rëndësishëm për vendin pasi atë ditë do vendoset nëse do jetë muzgu i radhës apo një agim i ri për shqiptarët.

Politika e vjetër i largoi shqiptarët, politika e re duhet t’i bëjë shqiptarët kudo që ndodhen të rikthehen në atdhe, në shtëpinë e tyre, e ta ndërtojnë këtu të ardhmen e fëmijëve dhe brezave që do të vijnë.

SHKARKO APP