Arsyeja e humbjes së Klintonit: Pensilvenia dhe Uinskonsin
Po ç’ndodhi kësaj here me këta dy shtete? Shtresa punëtore e bardhë e këtyre shteteve e ka pësuar nga transferimi i prodhimit industrial drejt vendeve si Meksika, Kina, etj. Dhe Trampi, me premtimin e tij për rikthimin e prodhimit industrial në SHBA, fitoi simpatinë e kësaj shtrese, që anonte më parë rregullisht nga demokratët…
Nga Eduard Zaloshnja
Në rang kombëtar, Klintoni mori rreth 300 mijë vota më shumë se Trampi, por mori rreth 100 mijë vota më pak se ai në Pensilvenia e Uinskonsin – dy shtete që vulosën humbjen e Klintonit. Në këta shtete, Klintoni pritej e duhej të fitonte patjetër, sepse janë shtete në të cilët kandidatët demokratë presidencialë kanë fituar vazhdimisht gjatë çerek shekullit të fundit – me një epërsi 5-10 pikë. Këta shtete ishin të rëndësishëm për Klintonin sepse dërgojnë 30 delegatë në kolegjin elektoral – pa ata 30 delegatë, Trampi mund mos ta arrinte dot numrin magjik të 270 votave në kolegjin elektoral.
Në çerek shekullin e fundit, vemendja ka qenë vazhdimisht e përqendruar te Florida, Ohajo dhe Karolina e Veriut, sepse ato herë kanë votuar për republikanët, e herë për demokratët (kësaj here votuan për kandidatin republikan). Ndërsa Pensilvenia dhe Uinskonsi konsideroheshin në të shkuarën të sigurta për demokratët, që pa filluar numërimi i votave.
Po ç’ndodhi kësaj here me këta dy shtete? Shtresa punëtore e bardhë e këtyre shteteve e ka pësuar nga transferimi i prodhimit industrial drejt vendeve si Meksika, Kina, etj. Dhe Trampi, me premtimin e tij për rikthimin e prodhimit industrial në SHBA, fitoi simpatinë e kësaj shtrese, që anonte më parë rregullisht nga demokratët. Në zgjedhjet e së martës, Trampi pati një epërsi prej 30 pikësh tek të bardhët pa arsim të lartë të këtyre dy shteteve. Në të shkuarën, demokratët kishin vazhdimisht një epërsi prej 6-8 pikësh tek kjo shtresë.
Shënim: Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe në Miçigan, por numërimi i votave atje nuk ka përfunduar ende. Klintoni udhëheq me 0.1% (kur janë numëruar 95% të votave), por edhe nëse ajo del fituese në këtë shtet në fund të numërimit, Trampi i ka siguruar tashmë 290 vota në kolegjin elektoral (nga 270 që i duhen). Respublica.al