Ngjela: “Arta Marku hyri në historinë 100 vjeçare te shtetit si femra që bën drejtësi”
Nga Spartak Ngjela.
Koncepti amerikan i garancisë në teknikën legjislative, po triumfon.
Prokuroria e Përgjithshme merr përsipër që të krijojë Seksione të Posaçme të përkohshme, në Prokurorinë për Krime të Rënda dhe në Prokuroritë e Rretheve gjyqësore, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Gjirokastër, Lezhë.
Dhe kjo strukturë do të funksionojë normalisht kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar deri sa të formohet SPAK-u
l.
Tani mund të thuhet se Reforma në Drejtësi u vendos në shinat normale ku do të ecë e sigurt, sepse dje u gjet formula për të eliminuar bllokimin e saj.
Korrupsioni i lartë është në panik, se Prokurorja e Përgjithshme dhe Këshilli i Prokurorisë krijuan apendiksin e ri në strukturën e prokurorisë me prokurorë të rinj specialë në hetimin e korrupsionit shtetëror shqiptar, derisa të krijohet SPAK-u.
Të gjithë prokurorët e korruptuar dolën jashtë karakterit special të prokurorisë.
Në funksion të kësaj:
Prokurorja e Përgjithshme dhe ministri i Brendshëm nënshkruan protokollin e tyre të parë të rëndësishëm. Kurse ambasadori amerikan, Donald Lu, u takua gjithashtu dje gjatë me kryeministrin shqiptar në zyrën e këtij fundit.
Gjithçka kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Prokurorja e Përgjithshme e dha provën e dytë të madhe që është me ligjin – dhe, me shqiptarët e për shqiptarët.
Që nga viti 1924; kjo është zonja e fortë që shenjat janë se do të hyjë në historinë e Shqipërisë si inisiatorja e vendosjes së drejtësisë. Dhe kjo nuk është pak për karierën individuale të një personaliteti shtetëror. Në fakt, shqiptarët kanë mëse një shekull që po e prisni një individ të tillë.
ll.
Tabloja e krimit në Shqipëri është një rrjedhojë direkte e kulturës së papërgjegjshmërisë në qeverisjet shqiptare. Kjo lloj kulture antiligj e qeverisjeve shqiptare ka krijuar në Shqipërinë njëqind vjeçare korrupsionin kryeministror, i cili në fakt kërkon tani që të likuidohet nga skena e sundimit të tij më anë të Reformës në Drejtësi.
Nga të gjithë eruditët shqiptarë që sigurisht se e njohin qartë këtë kulturë sunduese në Shqipëri, ka pasur mosbesim logjik për vetë Reformën, brenda pyetjes: si mund ta kryejnë një reformë antikrim ata të cilët i kap kjo Reformë?
Në fakt, kjo ka qenë arsyeja bazë e skepticizmit të përgjitshëm në Shqipëri.
Sigurisht që pyetja është e drejtë edhe logjika është e saktë; por ajo që kapërcehet në këtë rast logjik është fakti i politikës si natyrë. E pra, kjo po ndodh dhe do të ndodhë se është brenda natyrës dhe filozofisë së politikës.
Cila është kjo natyrë?
Është arsyeja e frikës. Na duhet të kujtohemi në këtë rast se arsyeja e frikës operon me një pragmatizëm invers: midis dy të këqijave zgjedh të keqen më të vogël. Sepse, në rast se nuk operon kështu, vetë individi shkon në shkatërrim.
Po në Shqipëri sot, kush e sjell politikën e lartë të individëve në pushtet qeverisës që ta pranojnë Reformën në Drejtësi si të keqen më të vogël të tyre?
Politika amerikane.
Megjithatë të tremburit bënë çmos që të bllokonin Reformën, dhe deri tani e kanë bllokuar. Por dje u gjet dhe zgjidhja që u nënshkrua nga ministri i Brendshëm dhe Prokurorja e Përgjithshme. Të dy e kanë treguar më fakte që janë të palëkundur për Reformën ; atëherë duhet të pranojmë se tani gjithçka është e zgjidhur.
Reforma nuk pengohet se, në funksion të frikës, krijimi dhe funksionimi i SPAK-ut është frikë më e vogël nga skema e re e Prokurores dhe ministrit të Brendshëm.
Për këtë arsye tani gjithçka është e sigurt që do të miratohet, sepse në funksion të luftës kundër korrupsionit akuza aktuale shqiptare dhe mbështetja e Policisë së Shtetit nuk ka më asnjë pengesë.
Koha hyri më në fund në hullinë e vet konkretë të luftës për drejtësinë shqiptare dhe kundër krimit abuzues të pushtetarëve.
Po, a do të ketë reaksion nga arradha e korrupsionit me pushtet. Po, do të ketë, por asgjë nuk do të bëjë dot. Në këtë luftë fiton ai që ka policinë me vete.
Koha për drejtësinë shqiptate, duket se ka mbërritur me akte konkrete, më në fund.