Artan Fuga: 10 pika për zgjidhjen e krizës në arsim
Nga Artan Fuga/Unë nuk po e përsëris prapë se çfarë mendoj për ligjin në fuqi për arsimin e lartë. Sa më parë të abrogohet, aq më të vogla dëmet që ai do të sjelli për dekadat e ardhshme.
Por, lidhur me krizën e sotme që prek shpirtin e maturantëve që i çojnë në degë që nuk i kanë kërkuar fare, pa qejf, ose kanë dyshime për drejtësinë e procesit, fajtor bëj ligjin.
Gjithçka ndodh sepse mes universiteteve dhe maturantëve kanë vendosur një agjenci burokratike për të vjelur të ardhura nga xhepat e familjeve, punësuar militantë, bërë privilegje elektorale, dhe mbajtur në presion rininë.
Mbetem thellësisht përgjegjës duke e njohur mirë atë që flas se, përndryshe nga ndodh, është krejt e mundur që :
- Të gjithë maturantët në universitet? Po është e mundur.
- Secili patjetër në njërën nga tre degë që përzgjedh? Po është e mundur.
- Çdo i futur në universitet, ka mundësi të ndjekë si mundësi së paku dy ose tre drejtime studimesh, jo një? Po, krejt e mundur.
- Kapacitet e universiteteve publike janë pa limit, kurse vazhdimi i kërkimi i kuotave bëhen për klientelën private? Po, sepse nuk ka kuptim tjetër, nuk mund që shteti të drejtojë klientët te privati. Absurde.
- Që studenti që hyn në universitet ta zgjedhi vetë kurrikulën e lëndëve universitare dhe drejtimin e diplomimit? Po, krejt e mundur. Universiteti nuk është kazermë.
- A ka mundësi që cdo maturant ta shohi e verifikojë vetë hap pas hapi procedurën e përzgjedhjes gjatë procesit pra ta kontrollojë atë personalisht on line? Po, krejt e mundur teknikisht.
- A është absurde që një maturanti t’i kërkohet të bëjë dhjetë përzgjedhje ? Krejt absurde. Eshtë njësoj si t’i thuash zgjidh se në fund më jep mundësi që çdo gjë që të jap e ke zgjedhur vetë ti.
- A i dëmton kjo edhe universitetet private? Po, sepse duke i detyruar të konkurrojnë jo në treg por në tavolinat e burokracisë, u jep mundësi klientëve të burokracisë të mundin të tjerët që nuk parapëlqehen prej saj. U thotë “Sus!” universiteteve private.
- Dëmton kjo procedurë e mbrapshtë kontaktin informativ të kandidatëve me degët ku duhet të shkojnë? Po. Ky shërbim mund të merret vetëm pranë universiteteve që privohen nga ligji të hyjnë në kontakt me të interesuarit.
- A mund të seleksionohen lëndë preferencale në vit të fundit? Jo, duhet qysh në sekondën e parë të vitit të parë të gjimnazit.
Sa kohë duhet të realizohen të gjitha këto?
Jo më shumë se tre muaj duheshin.
Më shumë seriozitet dhe zemër për rininë dhe respektimin e dëshirave të saj!