Artan Fuga: Çfarë pati të veçantë 2015-ta për mua?
Do ta mbaj mend, kurrë nuk do ta harroj, si vitin kur pushtetarë të lartë të vendit dhe të sektorit ku punoj, nga tribuna mbledhjesh publike, apo edhe nga foltorja e lartë e parlamentit shqiptar, duke abuzuar me pushtetin dhe etikën civile, derdhën sharje, fyerje, shpifje dhe kërcënime ndaj meje si person, në statusin tim të Profesorit dhe Akademikut.
Ata janë gjithçka sepse janë shteti, unë thjesht një individ me ca mendime në kokë.
Pse kjo frikë dhe ky alarm?
Po ashtu miqtë ose shërbyesit e tyre orkestruan një fushatë denigrimi dhe shpifjesh me anonimë të paguar ose vullnetarë.
Dhe përse e gjitha kjo?
Sepse si qytetar, si profesor, si kërkues shkencor, si pedagog i brezit të ri guxova t’i them : “JO”, pa ndrojtje dhe hezitim, që në 30 minutat e para pasi e lexova duke zënë kokën me duar, projektit për ligjin për arsimin e lartë që vazhdoj ta konsideroj krejt të gabuar, klientelist, të prapambetur, pa kulturë, dhe që e dënon rininë shqiptare me padije.
Ngjizja, origjina, mekanizmat e procedurave të tij, interesat pas tij, kulisat, buxhetet e harxhuara për ta shtyrë drejt votimit, janë skandaloze. Unë i di të gjitha.
Në fakt as heroizëm nuk bëra as ndonjë guxim i madh nuk duhej. Ose jemi në demokraci dhe çdokush ka të drejtën e kundërshtimit dhe të respektohet si kundërshtar, ose jemi në periudhën e ligjit penal, neni 55, i kodit të vjetër.
Ata mbase e kanë harruar, sepse ai ose ajo që tejkalon të drejtat me anë të forcës dhe shkel me patkojtë e kalit ku ka hipur këmbësorët që kryqëzon në rrugë, nuk shohin se çfarë bëjnë, por unë nuk e harroj kurrë këtë test që mat natyrën e forcës që ushtrohet si pushtet.
Nuk kam asnjë mllef, veçse trishtim, por edhe vendosmëri për ta pritur fundin e historisë. Historia është si përrallat, në fund gjithmonë mbyllet për mirë.
Mos ketë kush iluzionin se mund të ndodhi ndryshe. Më kanë sjellë vetëm gëzim dhe energji.
Në planin personal janë krejt të falur. Bënë atë që ditën, apo nuk ditën të bëjnë! Në të dyja rastet nuk kanë faj.
Trishtim sepse më vjen keq që u rikonfirmua për të mijtën herë që pushteti është si forca e ujit që zbret nga lart poshtë, duhen diga për ta vetëpërmbajtur, sepse pa diga, ai ujë përmbyt gjithçka. Automjeti pa frena që zbret rrëpirën nga lart – poshtë dëmton edhe udhëtarët që merr përpara, por edhe shoferin e vet.
Por, e gjitha propaganda vjetore kundër meje, si ajo kundër doktor Zhivagos, që përshkruan aq bukur Pasternaku në librin e tij të censuruar në kohën staliniane, nuk më ka dhënë veçse gëzim, dhe energji për ta pritur historinë deri në fundin e saj.
Abuzuesit e pushtetit me mua harruan fatkeqësisht që veç parimit hyjnor të Hipokratit që e detyron mjekun t’i qendrojë me çdo kusht te koka të sëmurit, është edhe parimi i Sokratit që e detyron filozofin të jetë besnik deri në fund i së vërtetës, dhe në këto kushte të pranojë pa u qarë, por me gëzim e qetësi absolute, si gjendje normale dhe konfirmimi i vetvetes, pikërisht furinë e akuzave dhe sharjeve e mallkimeve kundër tij.
Ardhshi të bardha !
Prandaj kanë gabuar…
Unë do t’i qendroj besnik me gëzim, për detyrë dhe për hobi qytetarit, miqve, studentëve, kolegëve!