Arti i të luftuarit dhe “heroizmi si mënyrë jetese”

 

Nga Halil Matoshi*

Luftëtarin e lidh me atë që është i njëjtë me të, fati i luftëtarit dhe ai, kurrë nuk kthehet në shtëpi, ky është fatumi i tyre.

Thjesht lufta është fat i parathënë.

Po ai fatumi antik grek.

Gjatë marrjes me historiografi kam hetuar se roli praktik i liderëve politikë, në fushëbeteja, sado që atyre u jepen merita nga historiografë koniunkturalë dhe shpesh emocionalë, ata shpesh janë të padukshëm, madje edhe të dyshimtë: Në luftën e Mërdarit, nuk dihet ku ishte vetë ideatori i Mbrojtjes Kombëtare, Hasan Prishtina, në luftën e Velegllavës, 32 vjet më vonë, Idriz Hajrullahu (Mulla Idrizi), sipas dëshmitarëve, nuk ka qenë në zonën e luftimeve, sikurse në luftën e fundit, ku na del se shumë nga komandantët që i kanë qitur vetes nam për luftën çlirimtare, objektivisht asokohe dhe ashiqare kanë ndenjur në hotelet e Tiranës!

Dhe kjo shpie në dy përfundime: E para, derisa në ballë të kryengritjeve për pavarësi 1908-1910 janë intelektualët dhe shtresa e kamur, (bejlerët e agallarët dhe shtresa e mesme) në kryengritjet gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore promotorë dhe pjesëmarrës janë kryesisht fshatarët shqiptarë, gjë që ka ndodhur edhe në luftën e fundit kundër forcave serbe të sigurisë.

Në Kosovë, pohon historiani Oliver Jens Schmitt, fshati është ngritur – në fuqi interpretimi të historisë – dhe ku është krijuar një kulturë kujtimi për trevën e Drenicës si qendër e shpirtit të pathyeshëm të shqiptarit të Kosovës. “Kjo është shprehje e pretendimit për pushtet të katundit mbi qytetin (…) përballë strukturave shoqërore urbane.” ( Schmitt, Jens Oliver: Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike; Botoi Koha, 2012; Fq. 283-284.)

Por ky postulat i “fshatarësisë” së kryengritjeve kosovare jo vetëm që tremb, por edhe fyen më shumë të gjallët se të vdekurit, ata që e kanë kapur pushtetin politik, pikërisht duke shfrytëzuar këso “të bëmash” fshatarësh.

Dhe përfundimi i dytë është se luftën e fundit në Kosovë e kanë fituar malet dhe fshatarët shqiptarë, duke qenë aleatë mes vete (kanë dalë të fituar pas bombardimeve të NATO-s mbi trupat serbe) kryesisht pinjollë të humbësve të Luftës së Dytë, përkatësisht pinjollët e atyre që e luftuan komunizmin!

Dhe ky fakt nuk i fyen ata.

Nëse shkojmë më thellë në histori, sipas historianit Oliver Jens Schmitt, natyra ishte aleatja e Skënderbeut. (Schmitt, Jens Oliver: Skënderbeu, botoi K&K, Tiranë 2009; Fq. 275.).

Duke cituar E. Deusch, Schmitt shkruan se kjo përbën një vazhdimësi në historinë shqiptare; edhe në fund të shekullit 19 luftëtarët e fiseve shqiptare të armatosur lehtë u bënë qëndresë të ngulmët e të efektshme; (Schmitt citon E. Deusch, “Der Aufstand in der Malësia e Mbishkodrës von 1883 und das Verhaltnis der albanischen Katholiken zu Osterreich – Ungarn”; Sudost-Forrschungen 63/64 (2004/05) 261-301.)

“Gjatë gjithë jetës së tij, Kastrioti mbeti një malësor, ai e kishte frikë detin dhe i donte malet”; Porse sipas Schmitt-it çështja e luftës së tij ishte më e fortë se kjo druajtje ndaj detit, ngase ai e kishte mposhtur këtë frikë duke lundruar disa herë kah Dalmacia apo Italia. Shqiptarët edhe në shekullin 20 përdoren aleancën e tyre me natyrën dhe sulmet e vrullshme, pra në vargmalet verilindore të kufirit të sotshëm të Kosovës, posaçërisht në luftën e Merdarit, Velegllavës, te Guri i Zi në Desivojcë etj.

Për veçantitë e mënyrës së të luftuarit të kryengritësve shqiptarë, Oliver Jens Schmitt e citon një manual ushtarak, të cilin e kishte hartuar ushtria austro-hungareze më shumë se 400 vjet pas vdekjes së Skënderbeut: “Lëvdojnë si veçori të tyren ushtarake ashpërsinë që kanë në luftimet e parregullta, si dhe në vendimet e shpejta që marrin. Vetëm se bindja e tyre ndaj prijësve zgjat aq shumë sa u kënaqen interesat. Pas luftimit merr fund çdo disiplinë dhe çdo udhëheqje. Shqiptarët i kanë shumë për zemër goditjet e papritura e të befasishme, janë shumë të shkathët në shfrytëzimin e terrenit dhe fluturakë në lëvizje. Hapin zjarr nga distanca të mëdha duke shpërdoruar së tepërmi municionet dhe kërkojnë ta trembin kundërshtarin me britma lufte. Sulmet i bëjnë me vrull të madh. Pleqtë, gratë dhe fëmijët i tërheqin të plagosurit, kujdesen për ushqime dhe marrin pjesë edhe vetë në luftë duke përdorur bateritë e gurëve. Robër shqiptarët bëjnë pak. Fitorja festohet me zjarrvënie dhe plaçkitje, por në rast se mposhten, shpërbëhen shumë lehtë.” (Schmitt, Jens Oliver:Po aty; Fq. 271. Militar-Geographie. Macedonisches Becken mit dem albaneischen Kustengebiete. Vjenë 1886, 122.).

Natyrisht se nuk vlejnë që të gjitha këto si rregulla, ka në to edhe pikëpamje raciste por edhe pandehma, mirëpo mënyrat e luftimit të shqiptarëve në shumë aspekte janë të tilla, siç përshkruhen në manualin e ushtrisë austro-hungareze.

Në këtë ese theksin dua ta vë tek sulmet e vrullshme, mosdisiplina sipas rendit ushtarak (që, siç përshkruhej në një dokument të Wermachtit, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të mobilizuarit shqiptarë nga gjermanët, – forcat e Bedri Pejanit – “kishin qejf t’i hedhin përgatitjet ushtarake dhe të shkojnë për fundjavë në katundet e tyre, tek gratë…”) dhe shpërbërja e lehtë në rast të humbjes. Kjo veti del në shesh skajshmërisht duke analizuar mënyrën e luftimit në luftërat e Mërdarit, Velegllavës, Ferizajt dhe Gjilanit, përgjatë shekullit 20.

Krerët jo vetëm që lënë të shpërbëhen repartet luftarake, por ata rëndom ikin, madje edhe duke kërkuar azil në shtetet e tjera.

Këtë qëllimshëm po e ilustrojmë me të dhënat që sjell Schmitt për kryeheroin e shqiptarëve – Skënderbeun.

Ky autor argumenton se pas vitit 1460 Skënderbeu i thyer dhe i dëshpëruar u përpoq sidomos që të siguronte shtëpi në Dalmacinë jugore si në territorin raguzian ashtu edhe në territor venedikas.

Më 4 prill 1461 ai ia drejtoi një lutje zyrtare Këshillit të Raguzës: lutej që “të pranohej shpura e tij në ishujt tanë, në qoftë se do ta mposhtnin turqit, që Zoti mos e dhëntë! Tri javë më vonë po bëheshin bisedime për ishullin Mrkan/Mercana, por që tekefundit Senati raguzian ia refuzoi. Çështja e azilit u bë e ngutshme në kohën e përgatitjeve për sulmin e madh kundër Mehmetit II në shtator 1463. Venediku e siguroi Skënderbeun për këtë gjë, më konkretisht në ishujt Hvar/Lesina dhe Korčula/Curzola, në veri të Raguzës, të lehta për t’u arritur nga portet e Arbërisë.

Skënderbeu u sigurua në mënyrë të disafishtë; më 1465 iu dha edhe një vendstrehim tjetër, në ishullin Mljet/Melita, në territor raguzian. Ai qysh më parë ishte interesuar të blinte një shtëpi në Zadar/Zarë. (Schmitt, Oliver Jens: Po aty; Fq. 273.)

Mirëpo, fati i tij ishte humbja dhe vetmia e mjerimi, sëmundja e shtriu përdhe për tri ditë dhe vdekja erdhi më në fund në Lezhë më 17 janar 1468.

E sot, për dikë që sheh një storie televizive ku Shefki Gashi, ish-luftëtari dhe zyrtari i lartë i LDK-së dhe i Komunës së Prishtinës, shihet në fermën e tij dhe pa hezitim, por plot buzëqeshje del në fotografi me dele e desh, para se të pozojë në plazh, do t’i duket vërtet një fshatar.

Mirëpo ideja e luftës për liri, për këtë pinjoll luftëtarësh është më e fortë gjithnjë se përkatësia e tij fshatare.

Dhe kjo koincidencë e ky krahasim me Skënderbeun është vetëm e rrafshit simbolik.

Po ashtu duhet të vihet në spikamë p.sh. lehtësia e padurueshme e shqiptarëve për t’i pranuar të vërteta e të gatshme, pa kurrfarë qasjeje kritike; me vite të tëra dhe nga goja e kinse dëshmitarëve është thënë se Isa Boletini ishte i shitur, tradhtar, bashkëpunëtor i serbëve etj. Por fakti i luftës së tij kundër Armatës së Tretë serbe në Merdar, mu në kohën kur pandehej për aleatë të serbëve, e demanton këtë mallkim;

Tjetër gjë ishte fakti se Boletini ishte një fshatar dhe i pashkolluar…

Historiani Noel Malcolm megjithatë dëshmon se Boletini nuk e kishte tradhtuar lëvizjen kryengritëse shqiptare.

“Por lidhjen kryesore Beogradi e kishte mbajtur me Isa Boletinin, për të cilin dihej se kishte një dashamirësi ndaj serbëve: tek ai kishin dërguar emisarë të ndryshëm serbë, enkas për të biseduar më të, ndër të cilët edhe kolonelin famëkeq Slobodan Јоvanoviq “Apis”, të lëvizjes nacionaliste serbe “Dora e zezë”. Në gushtin e vitit 1912, Isa Boletinit iu dërgua një sasi e madhe armësh; po kështu qe përhapur fjala se Serbia ia kishte paguar atij një shumë të madhe parash; por, siç do të tregojnë ngjarjet, nderi i tij nuk blihej aq lehtë.( Malcolm, Noel: Po aty; Fq. 261.)

*Koha Ditore

SHKARKO APP