Artur Zheji: Dhëmbët e Pushtetit të Katërt

 

Nga Artur Zheji

Mediat thirren ndryshe edhe Pushteti i Katërt. Termi Media, ka hyrë në gjuhën shqipe, ashtu si edhe në shumicën dërmuese të gjuhëve, nga italishtja “mediare”, që do të thotë ndërmjetësim, diçka që rri në “mes”, të dy apo më shumë palëve. E në të vërtetë Media, qëndron, ndërmjet asaj që ndodh dhe njerëzve, që e marrin vesh atë që ndodh.

Media, është pra ndërmjetësja, që qëndron në mes të realitetit dhe pasqyrimit të dukshëm të tij. Kaq e vërtetë është kjo, saqë edhe thuhet në slangun e studiuesve të strategjive të komunikimit, se në qytetërimin e sotshëm: “që të Jesh, do të thotë të Jesh në Media!”, e pra në sytë e njerëzve, por gjithsesi në mënyrën se si Media të paraqet aty. Kështuqë mund të thuhet kësisoj, se në mënyrën se si paraqitesh në Sytë e Njerëzve, ai është edhe perceptimi që njerëzit do të kenë për ty. Pavarësisht nëse ky perceptim që ofrohet për t’u ngrënë si supë, si sapun apo si djathë, kjo paraqitje pra, është e rreme apo e vërtetë.

Këtë rol, rol të frikshëm padyshim, e luan Media. Në të gjithë botën. E pra, edhe në Shqipëri. Simbas një studimi që kam bërë disa vite më parë, duke përjashtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë ligje shumë të forta kundër shpifjes dhe pasaktësive mediatike, e ndoshta edhe gjykatat më të “pamëshirshme” dhe më eficientet në planet, Vendet e zhvilluara ekonomikisht dhe sidomos ish- Perandoritë, kanë bërë një Zgjidhje Publike të zhvillimit të Mediave në truallin e tyre.

Anglia, apo Britania e Madhe, shumë në modë këto kohë në Fshatin tonë, nga Tony Blair, te ‘Crown Agents’, te studimet masive londineze të pinjollëve të “Elitës” shqiptare e deri tek preferenca ndaj markës britanike të makinave Jaguar, ka, dy Mbretëresha: Elizabetën dhe BBC.

100% publike.

Franca, në konstelacionin e Kanaleve TV Publike, përfshi dhe të famshmen agjenci France Press, ka një raport rreth 70% me 30% në favor të publikes gjithashtu. Gjermania, ka tre gjigantë publikë që dominojnë tregun mediatik, ARD, ZDF dhe DW. Në Austri mbretëron ORF, publike edhe ajo. Në Itali, tregu është i ndarë 50% me 50%. Dhe kjo konsiderohet e papranueshme dhe e dëmshme.

Në Shqipëri, në matjet më të fundit tregu mediatik është 98% me 2%, në favor të kontrollit absolut të mediave private.

Pa hyrë në debatin se sa e lirë do të mund të ishte një Media Publike në Shqipëri, gjë që është padiskutim në kufirin e të pamundurës, e pra në disfavor të Medias Publike, gjithsesi kështu shpjegohet, forca tejmase e tashmë diktatit që mediat private ushtrojnë ndaj klasës politike shqiptare. Duke e nënshtruar pothuajse këtë klasë politike dhe duke i kërkuar në mënyrë të paligjshme shpesh e shpeshherë, favore çdo ditë e më shumë kërcitëse.

Sepse në mungesë të ligjeve të rrepta, si në SHBA, si edhe në mungesë të një drejtësie të shpejtë dhe të drejtë, politikanët shqiptarë janë të detyruar, ose të përdhunuar të marrin me qera taksitë mediatike, përditë e më të shtrenjta, përditë e më arrogante dhe përditë e më gjobëvënëse.

Kjo injorancë në fushën e trajtimit të Mediave, zgjidhja e problemeve fushatë mbas fushate, e ka shndërruar Pushtetin e Katërt, në një pushtet ambicioz, që kërkon të jetë një Pushtet i Parë. Sigurisht niveli shumë i lartë i korrupsionit politik, e bën krejt më të brishtë rezistencën e klasës politike ndaj gjobëvënies mediatike dhe gjithmonë e më të lartë çmimin e gjobës mediatike.

Ky është një ekuacion tregu. I qartë dhe cinik.

Habitem me mbivendosjen e ekuacioneve morale që disa kolegë, sinqerisht të shqetësuar, kanë në raste të caktuara. Përderisa Mediat lejohen t’i thonë të Zezës të Bardhë, sa herë ka një tender, një licencë apo një përfitim të madh në mes, nuk kuptoj se ku është këtu e habitshmja apo e Reja.

Pa një Pakt Politik trasversal, për dënim të rreptë të shpifjes apo të publikimit të akuzave pa një set provash bindëse, si edhe ndodh në SHBA, ku mbizotëron tregu mediatik privat, rrumpalla dhe prepotenca do të ecin paralel.

Pavarësisht se si emërtohet media, apo se si e ka emrin pronari i saj. Në 25 vite, shteti shqiptar ka humbur sistematikisht beteja shumë më të thjeshta se kjo.

Ndërsa me Pushtetin e Katërt, që konkurron për t’u bërë Pushtet i Parë, në mungesë të një Kushtetute të Re, për rindërtimin e sistemit mediatik dhe Ligjit të tij rregullator, si edhe Vullnetin për ta rregulluar, kjo që po ndodh do të mbetet një Luftë Çetash.

Kjo Luftë Çetash, sado trimërore dhe sado morale të jetë, është e paracaktuar të humbitet, përderisa interesat politike për përbaltjen e kundërshtarit, apo për çbaltosjen e Mikut, të jenë në rendin e ditës dhe të kenë një Buxhet të Majmë, për financimet e paligjshme të Mediave, si dhe të partive, janë në të vërtetë, Ligjësia jonë e sotme.

MAPO

SHKARKO APP