Artur Zheji: Dimër, byçka dhe breçka

 

Nga Artur Zheji

Esse- 14 tetuer 2015

“Po vjen dimri me kosë në dorë, struku struku i shkreti plak…”, shkruante shumë vite më parë Gjergj Fishta i harruem, n’vargjet e tija t’mrekullueshme, t’shkrueme n’guhë t’malsorëve.

Dhe dimri po vjen me kosë në dorë, ashtu si edhe e përshkruante Fishta 100 vite më parë. Një dimër që kosit dhe vendos në vështirësi njerëzit dhe shtetin adoleshent të shqiptarëve. Një paradhënie të vockël e dha do ditë më parë, kur tri ditë shi gjunjëzuan disa qytete shqiptare dhe lanë pa drita, pa hidrovore e pompa, qindra fshatra të përmbytura. Por nëse këto pamje dhe këto lajme të vjetra, të vjetra sepse të ripërsëritura vit mbas viti në të njëjtën masë dhe formë, në këso kronika dhe me këto pamje bardh e zi pra, do t’i nënshtroheshin testit të klikimeve, do të ishin shumë më poshtë se interesimi për byçkat e Bleonës hokatare, apo për një varg byçkash të tjera që përmbysin, me kthesat, harqet e tyre dhe lakuriqësinë e tyre, faqet tona on line. Që janë, padyshim edhe faqet e interesit të shfaqur publik, ku përqendrohet energjia kombëtare e vëmendjes.

Më bën shumë përshtypje, kur ndonjëherë, në të vërtetë rrallëherë, marr në sy të lexoj komentet e lexonjësve dhe të klikonjësve, poshtë shkrimeve. Të miave apo të kolegëve. Sharje, fyerje, perversitete, dëshpërim, e rrallë e tek ndonjë vlerësim, për ne që shkruajmë e flasim. Bla, bla. Ndoshta e meritojmë këtë ndëshkim, për bablaizmin tonë, nga një ushtri e padukshme njerëzish të fshehur poshtë anonimitetit, që lëshojnë pshurrje dhe gëlbaza mbi këto, përfshirë edhe mua.

Por ndoshta edhe jo. Sepse “ata”, “të Padukshmit”, kjo ushtri të dëshpëruarish që dynden të na shajnë, duke lehtësuar kësisoj dhe përkohësisht brengat e vetes, ndjehet në thelb e pafuqishme të ndryshojë, qoftë edhe fare pak, realitetin përreth tyre. Dhe po këta, klikonjës e gëlbazëpshurrës, dynden në kërkim e rënkim, pas ca bythfijeve të hatashme, që “On Line”-t, vendosin andej-këtej si karrema t’rritjes së Klik-Klikut.

Po me dimrin, ç’do të bëjnë? Ata, “t’pafajshmit” dhe Ne “fajtorët”, që shkruajmë e që flasim ekraneve?

Dimri vjen gjithsesi. I ashpër. I ftohtë. Dhe na gjen të pambrojtur. Si çdo vit.

Sepse të gjithë e dinë, ndonëse të gjithë veç e pëshpëritin, që kriza ekonomike e këtyre viteve vazhdon edhe ajo. E panënshtrueshme. Si korrupsioni dhe si ndërrimi i stinëve. Të pashmangshme në këtë vend, që të dyja. Prandaj edhe dimri që vjen të tremb. Me borë, stuhi, shi dhe na gjen me xhepa të grabitur. Vit mbas viti.

Do të jetë ftohtë, parashikojnë meteorologët.

Por, a kemi një rrjet energjetik që ta përballojë? Askush nuk shkruan për këtë. Nuk ka klikime. Duhen byçka dhe telenovela, ato po sigurojnë Klik Klikun Magjik.

A kemi një sistem ngrohjeje alternative? Bah, gaz e qymyr do ketë. Edhe djegie, edhe shpërthime bombolash të pakolauduara. Askush nuk shkruan. Buzka, Byçka dhe Breçka. Klikime, bum bum.

A do të vijojnë të priten pyjet edhe këtë vit, për të mbyllur ciklin e shfarosjes së tyre kombëtare? Për t’u ngrohur plaku dhe plaka, çuni dhe goca? Sigurisht që po, sëpatat dhe sharrat kumbojnë ngado, por kush pyet? 0 Klikime, e pra, 0 Vëmendje.

A do të ketë prapë Përmbytje? Ouuuu! Asgjë e re edhe kjo. Byçka, Breçka, Bythfije. Të ngopet syri, kjo është çështja. Rekord klikimesh.

Mirëpo në këtë vrap të përjetimit të kësaj orgazme kolektive, në trinitetin e ri, Byçka, Breçka, Bythfije, në dhe nën këtë fasadë erotike nacionale, që ka kampionët dhe kampionet e veta, lëvrin edhe një jetë tjetër e padukshme.

Ngjethesh tek shikon e dëgjon, dënesa nënash dhe lot të helmuar baballarësh, për fëmijë që vdesin spitaleve. Që i mbyt lumi, apo i vret rruga. Që ndjehen të braktisur nga robi dhe nga Zoti. Lëre pastaj nëse nisesh e vete vetë ndër fshatra më të largëta, 50 km larg nga kupola e rreme e plot ngjyra e kryeqytetit.

Pothuajse skllevërit, ky popull i padukur dhe i padukshëm, janë shumica.

Të pashikueshëm dhe të pazëshëm. Të humbur dhe të pangushëllueshëm. Dhe që kanë frikë, shumë frikë nga dimri që po vjen.

Sepse ata, ky popull i fshehur e përtej syrit tonë, janë të Zeroklikueshëm, në dëshpërimin dhe hallin e tyre! Të deklaruar të tepërt, dhe pra të Shëmtuar! Jo estetikisht të pranueshëm për “Faqet” tona me ngjyra të ndezura dhe luksoze dixhitale.

Me brekë fanellate, ndën pantallona shajaku. Apo me fustane gabi, mbi tri herë të shitura dhe mbi tri herë të blera, prej stofi të trashë leshi, të ashpër e të zbërdhylët nga shumë vite larjesh e shplarjesh në govata katundesh, me emra të vështirë për t’u shqiptuar e për t’u përmendur.

Banorë të Humbëtirës dhe Zero Seksi. Zero Seksi, Zero Interes, Zero Breçka, Zero Klikime.

Sepse ata nuk Kanë, e prandaj dhe nuk Janë! Nuk i kap pra, radari i vëmendjes sonë kolektive. Sepse në qytetërimin që ne jetojmë, pa u kuptuar dhe pa u votuar, është vendosur dhe ka hipur në fuqi një Kushtetutë e Re! E cila Kushtetutë, në Nenin e saj nr. 1, shkruan:

Duhet të Kesh, që të Jesh!

E kush nuk Ka, nuk Është, e kush nuk Është, nuk Duket, e kush nuk Duket, mund të vuajë a të vdesë, si një kafshë, jashtë vëmendjes dhe përlotjes publike. E të varroset më pas i vetmuar, pa asnjë Klik Klik!

Nga pluhuri në pluhur dhe nga Hiçi në Hiç pra, pa ndërmjetësinë e shqisave tona.

Sepse kush nuk i ka dhënë ende një përgjigje lëndore e tringëlluese ekuacionit ekzistencial: të Kesh apo të mos Kesh, nuk ka të drejtë qytetarie dhe ekzistence, në Universin e Ri Virtual, të këtij qytetërimi. Ku mbretërojnë e sundojnë, jashtë çdo dyshimi, amazonat e bythfijeve.

Po vjen dimri me kosë në dorë, struku struku i shkreti plak!…

I madh ky Gjergj Fishta!

MAPO

 

SHKARKO APP