Artur Zheji: Henri Çili, ish-mbështetësi i Berishës që kërkon mandat tjetër për Ramën
Portali 360gardë.al i publicistit Artur Zheji ka analizuar sot qëndrimin e gazetarit dhe pronarit të UET-, Henri Çili, i cili në një artikull në të përditshmen “Mapo” theksonte nevojën e një mandati tjetër për Qeverinë e Kryeministrit Rama.
Ja si e komenton këtë qëndrim portali i Zhejit.
“Rikthehet Henri Cili, pronar i UET, ish gazetar dhe ish mbështetës i flaktë i PD. Në disa raunde, Cili, ka qenë një nga të paktët mbështetës, deri në ditën e fundit të ish kryeministrit Berisha. Madje duke hedhur “tezën”, se mandati i Dytë i Berishës, duhet të prodhojë Mandatin e tij të Tretë.
Mirëpo si mjaft biznesmenë të tjerë, mbas rrëzimit të zhurmshëm elektoral të PD në vitin 2013, hodhën me nxitim ura afrimi me Qeverinë e re dhe ju gëzuan “mikpritjes” së kryeministrit të ri. Nëse biznesmenët e tjerë të fushës së mediave, kanë vënë në shërbim të Ramës, televizionet apo mediat e tyre, Henri bën një përjashtim cilësor. Përveç asaj që bëjnë sipërmarrësit e tjerë, që lëpihen edhe më shumë se ay, në dyert e qeveritarëve të rinj, Cili, shkruan vetë, duke cndryshkur pa sukses, penën e tij prej ish-gazetari të mirë.
Dhe ashtu si e ka zakon, del një hap përpara, në “guximin” promovues të kryeministrit të radhës, kësaj radhe të Ramës! Duke “shpjeguar” përmes një “analize” të gjatë dhe te turbullt, se përse Rama, duhet të ketë edhe një mandat të dytë qeverisës.
Dhe “guximi” intelektual, i bossit 10 vjeçar, të Universitetit privat, shkon deri aty, saqë e mbiquan kryeministrin aktual: “Një investim Kombëtar!”. I cili, simbas Cilit, duhet ruajtur dhe duhet mbështetur, ashtu si vetë ay, Cili pra, po e mbështet prej 3 vitesh atë. Duket se Henri, është i shumëkënaqur nga mirënjohja kryeministrore e Ramës dhe i ka lindur nevoja, për ta afishuar atë, në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Dhe në të vërtetë, kryeministri aktual, është rrëfyer qëllimshëm më i përzemërt me “dezertorët” që vijnë nga PD, ku Henri, është njeri prej tyre.
Ja çfarë shkruan ndër të tjera Cili, në të përditshmen, pronë të tij, Gazeta Mapo: “Edi Rama është investim i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare, të gjithë ata që e kanë mbështetur, madje dhe ata që e kanë kundërshtuar kanë krijuar një figurë politike me fuqi të madhe, bashkuar dhe me ambicien e tij të rëndësishme si individi dhe siç e thekson ai vetë “për të mbetur në histori”.Ky potencial duhet shfrytëzuar në dobi të shoqërisë shqiptare dhe interesit publik dhe si i tillë cikli historik i nisur nga Rama duhet të vazhdojë përtej një mandati. Duke e kthyer prozhektorin në diçka tjetër. Me gjithë respektin për shpirtin protestues, kontestues, për këdo aktor të shoqërisë shqiptare, duke i quajtur legjitime arsyet e çdokujt nga ato të opozitës politike deri te kredot intelektuale në këtë vend, prozhektorët duhet të orientohen gjetkë: Presion publik Edi Ramës që cikli i tij reformues të kapë të gjithë elementët e jetës së vendit dhe të mbrohet dhe të mos impaktohet nga populizmi. Masat do ta kuptojnë, publiku do ta votonte. Kush e di publikun dritëshkurtër është i gabuar.
Publiku në shumicën e tij, përtej ekstremeve apo grupeve skajshmërisht të impaktuara apo emocionale, do ta mbështeste një mandat të dytë, me kusht që ai të ishte reformues dhe dobisjellës për të gjithë”