Artur Zheji: Përse Ramës i ndodhi ajo që nuk duhej t’i ndodhte?! Sa keq që…
Nga Artur ZHEJI
Rama është tashmë padyshim, njeriu kyç i tranzicionit të rraskapitshëm shqiptar. Është ky rezultat, në mënyrë të padiskutueshme, një rezultat parësor në karrierën e tij personale.
Ai ka ecur, ka vrapuar, është ngjitur apo është kacavjerur, është gërvishtur dhe është plagosur shumë herë, në këtë të përpjetë! Askush nuk e kish kuptuar dot më parë, as miqtë, as bashkëpuntorët apo dhe as armiqtë e aleatët e tij, se ku, Ay, Marshalli i ardhshëm, na e kish fshehur gjithë këtë ambicie…
Por kjo është një temë tjetër, për një herë tjetër!
Për hir të së vërtetës, të cilën armiqtë e tij të shumtë tashmë, nuk e pranojnë publikisht, por e diskutojnë tavolinave në mënyrë të vazhdueshme, mjaft prej tyre, kanë një admirim të fshehtë ndaj tij. Marshalli e di këtë dhe e shijon edhe Ay, në vetminë e tij, admirimin e tyre të fshehtë…
Vetmia e Marshallit, është në të vërtetë një shpellë, që mund të nxerë vetëm një Ujk të vetëm të vetmjaftueshëm dhe thellësisht asocial!
Sepse Ay, në thelb është shumë i vetmuar, pavarësisht se me sa çakenj, Ay, rrethohet, në tufën e tij luftarake …
Por edhe kjo është një çështje tjetër, një temë për një herë tjetër!
Shumëkush, miqtë, Ay, Marshalli, madje dhe armiqtë apo kundërshtarët e tij, harrojnë se popullit me “P” të madhe dhe me qese të vogël dhe që bën një gjumë të shqetësuar me ëndrra të pamundura, Populli pra, nuk i pret dhe aq hollë arsyetimet mbi gojëtarinë dhe look-un e Marshallit (i patë gjyslykët e tija të reja të diellit, flakë në modë? Apo ngjyrat e xhaketave të kadifenjta e më the e të thashë?)
Sepse Populli i ëndrrave të shqetësuara, shumë i madh në numër dhe mjerisht edhe në varfërinë e tij, nuk e di dhe refuzon të dijë se çfarë është vaniteti i modës, kur ka kaq shqetësim për të nesërmen e foshnjave që lindin më pak, nga frika egzistenciale e arsyeshme e prindërve të tyre…
Ata pra, që të gjithë sëbashku thirren Popull, po gjejnë gjithmonë e më pak arsye që t’i beojnë nevojës së madhe të Marshallit, për një mandat të tretë!
Aq më tepër kur shoqërohet në votëkërkimin e tij, nga ca ministra kaq të njollosur e të përfolur, që nuk kanë parfum tjetër përreth tyre, përveç aromën e tipografisë së thasëve me kartmonedha që kanë trafikuar tërë jetën e tyre…
Kësaj pra, Ay, nuk i shpëtoi dot, rrudhjes së buzëve dhe tkurrjes së shpatullave të të shumtëve që e shohin, tashmë pa asnjë kureshtje! Sado të mëdhaja dhe premtuese të jenë Rrenat e tij, ato nuk ngjisin më, sepse të paktën rrenat e reja, duan njerëz dhe ekip të ri!
Porse Ay, si edhe të mëparshmit, nuk mundet të çlirohet dot, nga ata, me të cilët ka ndarë pushtet dhe shumë të mira materiale (po ruajmë elegancën këtu…)
Përse Ramës, i ndodhi ajo që nuk duhej t’i ndodhte?!
Zvetënimi i përditshëm, të bërit i rëndomtë në përditshëmrinë e tij, dhe pamundësia për të gjetur gënjeshtra magjike si gjithë këto vite…
Sa keq, vërtet keq!