Artur Zheji: Pse Rama nuk shkarkon gjithë LSI nga qeveria?

“Nëse kryeministri i gjithë ditur dhe i gjithë pushtetshëm, e ka edhe ai seriozisht këtë “çarje trapi!” që i vjen nga LSI, përse nuk e shkarkon edhe LSI-në nga qeveria si edhe shkarkoi Ylli Manjanin?..”

 Nga Artur Zheji

Shkarkimi i Manjanit dhe “rrëfimi i tij publik” se çfarë mendon për ish kryeministrin e tij, është padyshim pika e hapur më e nxehtë dhe sprova më e rrezikshme e jetëgjatësisë së Koalicionit Rama-Meta. Një bashkëqeverisje e vuajtur dhe më e helmuara në historinë e bashkëqeverisjeve shqiptare të këtyre 26 viteve të fundit.

Në të vërtetë, sidomos gjatë vitit 2016 dhe në këtë vit që sapo filloi, LSI, nuk ngjan më me një qingj të butë që pi dy nëna, por dukshëm është një parti e egërsuar në kërkim të një Identiteti të ri. Ministrat e Metës, në qeverinë e Ramës, ankohen of records, se nuk kanë buxhetet e duhura, në ministritë e tyre, që janë edhe ministritë e njerkës, të cilat nuk duhet të kenë shkëlqim në asnjë drejtim. Përkundrazi duhet të jenë të kujdesur, se për ata ka monitorime speciale dhe dashakeqe. Nga ana tjetër, kupola e re e PS, në çdo rrethanë mbledh buzët, tund kokën apo ngre supet me bezdi, kur flet për kolegët e LSI, të cilët sipas tyre, janë të paaftë, të korruptuar dhe joefiçientë.

Në këtë rrumpallhanë krejtësisht pa dinjitet dhe pa moralitet, si gjel fuqiplotë, qëndron kryeministri që dikton gjithçka, përmes mijëra SMS-ve në Whatsup, që edhe ai ankohet me të gjithë, përfshi edhe gazetarët që ka xhan-xhan, se nuk se çfarë t’i bëjë Ilir Metës, që dhe është gangrena e qeverisjes dhe e qeverisë së tij.

Nëse kryeministri i gjithë ditur dhe i gjithë pushtetshëm, e ka edhe ai seriozisht këtë “çarje trapi!” që i vjen nga LSI, përse nuk e shkarkon edhe LSI-në nga qeveria si edhe shkarkoi Ylli Manjanin?

Ai gjithashtu mburret me vartësit e tij dhe me gazetarët që ka xhan-xhan, se ai, Rama pra, i ka numrat për të qeverisur i vetëm dhe me xhan-xhan PDIU-në dhe me deputetë shtegtarë, në mbarim të karrierës së tyre politike, që janë gati të bëjnë vetëshitjen e rradhës.

Atëherë?

Përse nuk ja bën “Bam!” dhe ta zgjidhë me tehun e shpatës apo ta shqisë me bisturinë e kirurgut, këtë koalicion kaq të sëmurë terminal, që është shtruar në spitalin e sëmundjeve të rënda, por edhe në çmendinë dhe krejt i pashpresë?

Aq më tepër që Meta, me qetësinë e tij taktike që shpalos në publik, nuk rresht së acaruari, përmes titullarëve të partisë së vet, kryeshefin e qeverisë?

Duke e nervozuar atë dhe duke i bluajtur ditë pas dite, sistemin nervor, ekuilibrat në PS dhe duke i shpuar me ironi dhe cinizëm tullumbacet e retorikës kryeministrore?

Nga ana tjetër, kryeministri dhe stafi i tij më i ngushtë dhe më i specializuar, nuk rresht së ngrituri kurthe nga më të ndryshmet dhe nga më perfektet, për të vrarë politikisht dhe përfundimisht aleatin e tij të “dashur”?!

Sepse nuk është sekret për askënd, që Rama, ëndrrën e tij të preferuar politike përpara gjumit, e ka me një kile portokalle dhe një stekë cigare në dorë, duke vizituar mundësisht në burg, mikun e tij të vjetër Meta, që e ngriti në karrierë vit pas viti, tanimë prej 17 vjetësh.

Sepse sipas Ramës dhe edhe kjo nuk është sekret, e vetmja pengesë që deri tash sheh në horizont, për një pushtet absolut dhe jashtë çdo kontrolli është vetëm Ilir Meta. Bashkëjetesa apo lufta Rama-Meta, ngjan tanimë me një “Duel të heshtur” në anijen që po mbytet të qeverisjes rrumpallë që ka sot Shqipëria. 360gradë.al

SHKARKO APP