Asgjë e re nga zgjedhjet e vjetëra shqiptare

 

Nga Mero Baze

Fushata elektorale u mbyll sot dhe vendi po shkon drejtë zgjedhjeve të së djelës, pa ndonjë suprizë politike dhe pa incidente domethënëse në fushatë. Shumica në pushtet ka tejzmadhuar koalicionin duke e bërë dëshpërues për kundërshtarët e vet, ndërsa opozita po përpiqet të prodhojë një skemë bllokimi për zgjedhjet në disa zona në Shqipëri të mesme, me shpresë se mund t’ia dalë t’i njollosë ato. Sipas njoftimeve gati në formë zyrtare, Partia Demokratike po përgatitet të bllokojë zgjedhjet në tre qendra në qytetin e Kavajës, tek një qendër pranë stadiumit, një tek Shkolla “3 Dëshmorët” dhe e treta tek një piceri. Po ashtu ajo ka marrë masa të bllokojë votimin në 5 qendra në qytetin e Durrësit si dhe të bllokojë tërësisht votimet në bashkinë e Laçit, duke përdorur komisionerët e PD-së si bllokues të procesit.

Skenari, i cili mund të jetë dhe ngjarja më e keqe e procesit, mund të bëhet i rrezikshëm në Laç, ku në krye të punëve duket se do të jenë njerëzit e kandidatit Fufi, që nuk u lejua nga KQZ të rregjistrohej. Në zgjedhjet e shkuara të 23 Qershorit, i njëti grup u përfshi në përplasje me armë me mbështetës të LSI-së nga ku mbeti dhe një i vrarë.

Përtej këtij skenari, situata zgjedhore është e qetë dhe natyrisht pa shumë nerv në shumicën e bashkive, ku fitorja e së majtës duket e sigurtë.

Politikisht priten surpriza në Veri dhe në Jug të Shqipërisë.

Në very, surprizë mund të jetë Shkodra, ku Bazhdari i është afruar bindshëm rivales së saj të PD-së dhe që mund të prodhojë lajm pas 24 vjetësh sundimi të PD-së në atë Bashki. Pra surpriza e vetme është një fitore e mundshme e Bazhdarit, ndërsa fitorja e PD-së është një ngjarje rutinë.

Një tjetër surprizë politike duket se po përgatitet në Jug të vendit, ku Partia Demokratike po rritë shanset në orët e fundit të fitojë bashkinë e Sarandës nga një koalicion gjysmë ilegal me PBDNJ-në.

Për shkak të një mungese konsesusi reale nga Partia Socialiste për të mbështetur kandidatin e PBDNJ-së në Vurg, Jani Babi, PBDNJ ka kthyer sytë nga Partia Demokratike, e cila ka tërhequr sot kandidatin e saj në Vurg nën premtimin se Dule do të mbështetë Kreshnik Bozhon në Sarandë.

Konflikti ndodhi pasi, edhe pse zyrtarisht Rama pranoi që Dule të kandidonte Jani Babin, Kokëdhima propozoi një tjetër kandidat në emër të partisë Mega dhe mbështeti zyrtarisht atë. Kjo prodhoi konflikt dhe me sa duket në fund të fushatës beteja po kthehet pro dhe kundër Koço Kokëdhimës dhe jo pro dhe kundër PS-së.

Pra, politikisht surprizat elektorale të këtyre zgjedhjeve, mund të jenë fitorja e PD-së në Sarandë dhe fitorja e PS-së në Shkodër me Bazhdarin, ndërsa zhurma e këtyre zgjedhjeve duket se është përgatitur në zonën e nxehtë nga Kavaja në Laç.

Vora, një tjetër vatër konflikti gjatë fushatës, mes kandiadatit të PD-së Fiqiri Ismaili dhe atij të LSI-së, duket sikur është qetësuar ditët e fundit dhe po shkon drej normalitetit në zgjedhje. Fushatës i kanë dhënë zjarr deklaratat politike të Patozit dhe Mediut dhe kundërpërgjigjet e Ilir Metës, ndërsa dy kandidatët real nuk janë përfshirë publikisht në debat.

Pjesa e bashkive që ka rivalitet është po ashtu surprizë. Në jug janë ende në garë për të pasur surpriza Përmeti dhe Memaliaj, për shkak të kandidatëve të pavarur, ndërsa në veri Tropoja dhe Kukësi, për shkak të faktit që e majta ka huazuar kandidatë që më parë kanë qenë të PD-së, por ndoshta dhe arrestimit të një të kërkuari që ishte duke u përdorur për presion në zgjedhje.

PD duket se do të ruajë rezultatin në Bashkinë e Bushatit, Dibrës dhe Malësi të Madhe, ndërsa po përpiqet të bëjë një lojë të dyfishtë dhe në Himarë, duke mbështetur kandidatin e PBDNJ-së që është në garë përballë Goros.

Në tërësi kjo është fushata më e qetë dhe më pak e kushtueshme që është bërë në Shqipëri dhjetë vitet e fundit falë edhe zhvillimit të rrjeteve sociale, ndërsa politikisht është fushata më pa rëndësi. Lulzim Basha ka bërë kujdes të mos e konsideroj humbjen e thellë si një rast për ndëshkim të tij, ndërsa Rama duket se as ka ndërmend ta përdorë si revansh për të provuar se ka qeverisur drejtë. Jo më larg se dje, ai pranoi se qeveria ka prodhuar probleme dhe u angazhua se do të vazhdojë, që deri në fund të mandatit të mbajë premtimet e bëra.

Kështu që më 22 Qershor nuk pritet të ketë ngjarje politike, por fillimin e një sfide të re për të qeverisur Shqipërinë e rindarë në 61 Bashki, e cila deri më sot është e vetmja gjë e re e këtyre zgjedhjeve. Gjithë të tjerat janë përsëritje e gjithë asaj çfarë ndodh në çdo palë zgjedhje, por të minimizuara.

Tema

SHKARKO APP