Asnjë qeveri nuk ka mandat për t’u zvarritur

 

Nga Astrit Patozi*

Për cdo shtet me nivel të lartë korrupsioni, si Shqipëria, cdo përmirësim në cilësinë e auditimit do të ishte i rëndësishëm dhe i mirëpritur. Por unë nuk mendoj aspak se ligji, që po shqyrtojmë sot, do t'i shërbente këtij qëllimi, sepse ne nuk po vuajmë nga korrupsioni për shkak të ndonjë vakumi legjislativ, por nga mungesa e qartë e vullnetit politik për ta goditur atë. Po përpiqem ta aktualizoj pak këtë problem me gjendjen dëshpëruese, që po kalon vendi.

Sic po e shohim të gjithë ka një nervozizëm dhe sensibilitet të fortë në arenën e politikës, sa herë që përmendet CEZ-I, dhe kjo nuk po ndodh rrallë. Dhe megjithë qetësimin e përkohshëm të Spartak Brahos, duket se kjo histori do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Partia Demokratike është në të drejtën e saj kur thotë se do t'i shkojë të vërtetës deri në fund, pasi bëhet fjalë për një aferë gjigande, nga e cila janë grabitur qindra milion euro. Por unë kam një ide tjetër, jo thjesht i nxitur nga skepticizmi, që buron nga fakti se Republika jonë nuk para e ka qejf zbardhjen e të vërtetave përvëluese. Por se, cilido qoftë fati i mëtejshëm i hetimit, gjithmonë nëse do të ketë një të tillë, cështja e CEZ-it i ka prodhuar tashmë efektet e veta politike. Qoftë edhe me paqartësitë, që krijohen nga lëvizjet dhe deklaratat kaotike të atyre, që u djeg më shumë, të cilët mendoj se janë tërësisht të ekspozuar para publikut.

Unë, natyrisht, që nuk mund ta di ekzaktësisht sot se cili është përfituesi më i madh i kësaj afere dhe sa është shuma, që ka përlarë ai me një dorë, por di me siguri se prej kohësh kjo qeveri nuk ekziston më, jo thjesht në kuptimin që ka një ekip ministrash në një vend normal. Sigurisht, që ajo po zvarritet dhe mund ta vazhdojë ta bëjë këtë edhe për një farë kohe, por kurrësesi për shumë gjatë. Por problemi është se kjo krijon një kosto aq të rëndë sa mund t'ia kalojë disafish gropës së frikshme të CEZ-it, megjithë respektin që kam për shumën, që pretendohet se është zhvatur në këtë rast. Ndaj edhe mendoj se fokusi ynë kryesor nuk duhet të jetë thjesht hetimi dhe zbardhja e skandalit, por humnera ku kemi rënë, pasi u hap kutia e Pandorës. Sepse cdo ditë që kalon me një qeverië rrëzuar është një faturë e stërmadhe për një vend si i yni, i cili e ka të vështirë ta mbajë drejt timonin edhe kur nuk është në krizë, jo më në këto kushte.

Për sa kohë që ne vetë kemi kërkuar një ekip ndërkombëtar për të hetuar, unë e kam të vështirë të akuzoj që sot përgjegjësit e supervjedhjes, ndonëse e kam shumë të qartë se cilët janë ata. Por jam tërësisht i përligjur t'u drejtohem dy bashkëkryetarëve të një mazhorance, që nuk ekziston më, se, nëse e kanë të pamundur të heqin thonjtë nga gryka e njëri-tjetrit, vendin nuk mund ta mbajnë më peng. Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë mandat për të rrokullisur Shqipërinë, sepse ata janë votuar për të qeverisur. Gjë që në fakt nuk e bënë për asnjë ditë të vetme, edhe kur ishin në paqe, e jo më tani që janë në luftë të hapur dhe gati publike.

Dy vjet më parë ata u mburrën se morën 1 milion vota, të cilat i konvertuan në shuplaka kundër nesh! Sot askush nuk i përmend më ato, jo thjesht se nuk dihet sa kanë mbetur, por më shumë për faktin se ato janë duke qëlluar me të gjithë fuqinë njëra-tjetrën. Deputeti i deklasuar socialist Ben Blushi fliste para ca muajsh për funeralin e ‘Rilindjes”, por unë nuk jam fare dakord me të. Sepse nuk mund të vdesë dicka, që nuk ka lindur kurrë. Sepse "Rilindja" nuk ka ekzistuar asnjë sekondë, bile as në ditët e para të krushqisë famëkeqe të 1 prillit. Sepse, jo "Rilindje" që nuk mund të ketë, por as stanjacion, inerci dhe normalitet nuk mund të presësh po të përpiqesh ta qeverisësh vendin me mentalitetin dhe me rregullat mafias. Kështu na ka ndodhur ne në këto dy vjet, ndaj edhe kemi mbërritur në këtë pikë sot.

Ka shumë njerëz që sot, jo pa logjikë, janë të bindur se cështja e CEZ-it, duke përfshirë shuma marramendëse, ka pasur efektin e tërmetit dhe i ka tronditur në mënyrë të pariparueshme themelet e kësaj maxhorance. Unë nuk mendoj kështu. Por them se CEZ-i ishte thjesht derdhja e kupës në një rivalitet të egër, që nuk ka asgjë të përbashkët me rregullat e një loje normale politike.

Sepse këta e shqyen në mes Shqipërinë që ditën e parë të pushtetit të tyre, duke tërhequr secili nga vetja për të rrëmbyer pjesën më të madhe. Sepse, përgjatë dy vjetëve grabitën pa mëshirë gjithcka në këtë tokë, duke përgjuar dhe u xhelozuar për njëri-tjetrin dhe sot ngjajnë me dy banda mafioze, që nuk mund të bashkëjetojnë më në të njëjtin territor, sepse ose njëra duhet ta vrasë tjetrën, ose e dyta duhet të pranojë pushtetin e të parës. Mënyrë tjetër nuk ka dhe kjo është ligjësi e kësaj bote të errët në gjithë globin.

Sepse e mbushën parlamentin, por jo vetëm atë, me persona me precedentë të rëndë penalë, brenda dhe jashtë vendit, dhe u thonë shqiptarëve që të presin pikërisht prej kësaj salle reformën e shumëkëkruar në drejtësi dhe punë të tjera të mira për vendin.

Kjo qeveri ka rënë dhe po zvarritet në agoni të thellë, jo për shkak të opozitës, pavarësisht se gishti po tregohet edhe nga ne, që kjo mazhorancë fiktive t'i japë më shumë oksigjen vetes për të mbijetuar. Do të më pëlqente shumë që të ishte e kundërta, por dua të jem realist. Ne mund të kemi merita, për të cilat nuk na është dhënë ende haku, apo mëkate, për të cilat nuk e kemi marrë ende atë që meritojmë, por këtë nuk e kemi bërë.

Kjo qeveri nuk ka rënë prej nesh, por për shkak se është e pamundur të mbash gjatë dy lukuni të ndryshme, që vërsulen pa mëshirë mbi trupin e vobekët të një vendi të varfër. Kjo qeveri ka rënë se nuk mund të jesh kurrësesi njëkohësisht edhe shteti, edhe mafia, edhe qeveria, edhe krimi apo korrupsioni.

Kjo qeveri ka rënë sepse nuk ngjalli asnjë ditë shpresë dhe frymëzim, që kur rilindasit gjasme u ulën për herë të parë të zyrat e shtetit, e deri më sot, që po flasim. Eshtë e vetmja ndoshta, që nga 1912-a që nuk e ka bërë këtë, sepse për vetë natyrën e politikës, ditët e para të pushtetit ta japin si bonus prishtshmërinë pozitive tek publiku. Madje kështu ka ndodhur edhe me qeverinë e pas 1997-ës, ndonëse vendi sapo kishte dalë nga një konflikt i armatosur, që gati përfundoi në luftë civile.

Kjo qeveri ka rënë, sepse e ktheu Shqipërinë me një shpejtësi marramendëse në një vend qesharak, ku mungojnë edhe skrupujt më minimalë për një shtet serioz. Pak ditë më parë kryetari i Komisionit të Sigurisë të parlamentit shpalli shqetësimin e një konspiracioni të madh dhe ogurzi, qe synonte destabilizimin e vendit. Në qendër të përbetimit, sipas tij, ishin një deputet i defaktorizuarpolitikisht dhe një person aktualisht i papunë? Si deputet i këtij Kuvendi më takon që të jem mbrojtës i paepur i stabilitetit të vendit, pavarësisht në jam në pushtet apo opozitë. Por më ndjeni që po e them, që ato ditë kam menduar se, nëse kjo do të ishte e vërtetë, në djall të shkonte stabiliteti, dhe le të pëmbysej Republika, po qe se ajo varej realisht në dorë të Tom Doshit dhe Dritan Priftit. Dhe vetëm pasi ky alarm u kombëtarizua dhe u mor seriozisht, të shqetësuarit morën frymë lirisht dhe thanë se “destabilizimi po qetësohej”, një shprehje kjo edhe më qesharake se vetë cështja, a thua se bëhej fjalë për një kafshë që ishte tërbuar papritmas dhe pastaj e kishin vaksinuar.

Kjo qeveri ka rënë dhe cdo ditë që kalon e bën më të rëndë situatën, sepse hordhitë e të dy palëve sulen që sa zbardh dita mbi financat e brishta të shtetit, sikur të ishin në ditën e fundit të pushtetit të tyre. Dhe s'kanë faj, sepse askush se di se c'do të sjellë e nesërmja, me një qeveri, gjysma e së cilës, kërkon të likuidojë gjysmën tjetër. Kjo qeveri ka rënë, sepse asaj po i ikën populli i vet, gati me të njëjtat ritme me sirianët, që janë prej vitesh në luftë të përgjakshme.

Unë nuk jam aq naiv sa të mendoj se kjo qeveri ka rënë për shkak se Edi Rama nuk shkon mirë me Ilir Metën. Sepse pretendoj të bëj pjesë tek njerëzit që e pranojnë debatin edhe brenda një partie, e jo më mes forcave të ndryshme politike. Po ata të dy dhe cetat që kanë nga pas, nuk kanë debat midis tyre, por një llogari të hapur me njëri-tjetrin për interesa okulte dhe korruptive, në dëm të qytetarëve shqiptarë dhe të atdheut tonë të përbashkët, sic thotë shpesh Gramoz Ruci.

Cdo ditë që kalon nën cadrën e kësaj qeverie e zbeh vlerën që mund të ketë edhe në rast se zbardhet e gjithë afera e CEZ-it, madje dhe sikur paratë e vjedhura të kthehen tek i zoti (përrallë shumë e bukur për t'u besuar kjo). Sepse kjo kllapi qeverisëse vecse e shumëfishon rrënimin e ekonomisë kombëtare dhe e bën shumë më të vështirë ringritjen e saj. Ne nuk mund t'i lemë fatet e mbi tre milion shqiptarëve në mëshirën e llogarive të forcave dhe të humorit të sekserëve të Edi Ramës dhe Ilir Metës, që paguhen cach apo në natyrë, për cdo ditë më shumë të kësaj bashkëjetese të sforcuar, tipike për familjet mafoze.

Ndaj edhe dhe pse kjo qeveri është vetërrëzuar, kjo nuk e zbeh aspak rolin aktiv të opozitës. Në këtë Shqipëri depresive, që tkurret dita-ditës nga mungesa e perspektivës, i takon Partisë Demokratike që të marrë flamurin e kthimit të besimit të publikut tek politika. E cila nuk mund të ketë asnjë shans, nëse nuk mbështetet tek disa vlera dhe parime, apo tek një minimum humanizmi, i cili sot mungon gati plotësisht. Nuk them se është mision i lehtë, por është e vetmja rrugë.

Ne nuk duhet të mendojmë për asnjë cast se do të marrim një ditë pushtetin, sepse nuk ka kush të vijë tjetër. Po qe se do të presim që të na vijë radha, kurrë mos ardhshim edhe ne, se nuk do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe. Do të iki një palë, e do të vijë një palë tjetër.

Por ne duhet ti bindim që sot shqiptarët se nuk do të qeverisim asnjë ditë si këta, që realisht do ta ndryshojmë këtë kënetë, që sa vjen e bëhet më e ndotur, ndoshta edhe me kontributin tonë, për aq sa na takon, me veprimet dhe mosveprimet tona. Dhe për këtë nuk ka nevojë të tundim historinë tonë të lavdishme, sepse ajo nuk mjafton. Ajo nuk sjell asgjë të re, edhe për faktin se për të i kemi marrë një herë, si spaletat, ashtu edhe ndëshkimin. Madje ne duhet t'u krijojmë që tani bindje njerëzve se nuk do të përsërisim kurrësesi edhe gabimet tona të qeverisjes, se është jashtë cdo dyshimi që të tilla kemi pasur plot.

Por që të shkundësh shqiptarin e neveritur nga përkeqësimi i cdo standarti në këtë vend, natyrisht, që nuk mjaftojnë fjalët e bukura, sepse po të ishte për to, ky kryeministër, që ende kemi, do të qëndronte gjithë jetën në atë karrige, sepse atij, për hir të së vërtetës, nuk i calon gomari nga gjuha. Mendoj se prej nesh pritet akte dhe gjeste të forta dhe jam shumë i sigurt se suksesi do të jetë i shpejtë dhe se kjo betejë ia vlen.

Qeveritë nuk mund të jenë për këtë vend si fatkeqësi natyrore, para të cilave njeriu është i pafuqishëm. Shikoni Malin e Zi sot! Për shkak të bindjeve politike, por edhe të formimit tim, e fundmja gjë që më shkon ndër mend për të ndërruar pushtetin është dhuna dhe revolucioni. Por nuk mund të mos e them se shqiptarët kanë sot shumë më tepër arsye se malazezët për të qenë të revoltuar dhe se cfarëdo skenarësh konspirativë dhe gjeolitikë të fshihen pas trazirave në Podgoricë, asgjë nuk do të ishte e mundur në rast se atje nuk do të kishte një majisje të pakënaqësisë popullore për korrupsionn e qeverisë.

Të nderuar kolegë të të gjithë flamurëve,

Për gjitha sa thashë më lart, kjo është një qeveri e vdekur dhe dihet prej mijëra vjetësh që kufomat zakonisht varrosen të nesërmen. Kjo është në të mirën e të gjithëve, duke përfshirë edhe atë që ka ndërruar jetë.

*Fjala e mbajtur sot në Kuvendin e Shqipërisë

SHKARKO APP