Assad, vizitë surprizë në Rusi

 

Presidenti sirian, Bashar al-Assad ka zhvilluar bisedime me homologun e tij rus, Vladimir Putin, pas një vizite të panjoftuar më parë të kryer në Moskë.

Dy udhëheqësit e Rusisë dhe Sirisë kanë diskutuar mbi luftën kundër grupeve terroriste, vazhdimin e sulmeve ajrore ruse dhe planet që ka vetë Damasku për trupat e tij, bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Peskov.

Rusia i nisi sulmet ajrore në Siri gjatë fundit të muajit të kaluar. Moska pretendon se po shënjestron objektivat e Shtetit Islamik dhe militantët e tjerë xhihadistë, që luftojnë kundër trupave qeveritare të Presidentit Assad.

Kjo ishte e para vizitë jashtë vendin e bërë nga Assadi, që pas shpërthimit të luftës civile në Siri në vitin 2011, bëjnë të ditur raportime të televizioneve siriane. Në një transkript të komenteve të dy krerëve, të publikuar nga Kremlini, Putini ka falënderuar Assadin për vizitën, pavarësisht “situatës dramatike” që ekziston në vendin e tij.

Ai besohet të ketë thënë se, Rusia “po ofronte asistencë efektive” ndaj popullit sirian, i cili kishte mbetur “thuajse i vetëm, duke u rezistuar luftrave ndaj terrorizmit ndërkombëtar prej disa vitesh”. “Ata kanë pësuar humbje të konsiderueshme, por së fundi kanë arritur të korrin rezultate pozitive në këtë luftë”, ka thënë Presidenti rus.

Nga ana e tij, Presidenti sirian Assad ka falënderuar Rusinë që po qëndron “krah unitetit të Sirisë dhe pavarësisë së saj”, duke shtuar se rebelët mund të kishin grabitur më shumë territore, nëse Moska nuk do të kishte ndërhyrë.

Të dy udhëheqësit kanë shprehur besimin e tyre se terrorizmi duhet mposhtur dhe se një zgjidhje politike duhej gjetur për t’i dhënë fund konfliktit disavjeçar./TCH

SHKARKO APP