Astrit Patozi: Është e vetmja gjë që ata nuk duan

Nga Astrit Patozi-

Nëse thua çdo ditë se kjo është një qeveri e korruptuar, arrogante, e kriminalizuar dhe e stërkonsumuar, nuk bën ndonjë përshtypje të madhe, por kam frikë se edhe ndonjë efekt të rëndësishëm nuk ka.

Është kaq i ngulitur ky perceptim në Shqipëri, saqë e pranojnë edhe vetë kuajtë e lodhur të Edi Ramës, natyrisht nëse nuk janë para kamerave apo në publik. Por edhe nëse ankohesh gjithë kohën për opozitën e squllët, të kompromentuar dhe pa ide të Lulzim Bashës, nuk është se ke thënë ndonjë gjë të re.

Mund ta quash te paaftë, në rastin më të mirë, apo mund ta konsiderosh edhe të shitur, në versionin radikal, por prapë nuk është se do të tronditet njeri, aq të mësuar ngjajnë me këtë realitet demokratikas.

Mund edhe të kalosh pastaj në regjistër më të lartë duke thënë që janë bashkë, janë të dy njësoj, kanë marrëveshje midis tyre dhe e kanë lënë t’i hipin me radhë kalit të pushtetit, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë.

Madje atyre vetë, jo vetëm nuk u prishet ndonjë punë nga kjo, por jam i bindur se u intereson. Sepse i bie që në Shqipërinë e kapur prej tyre, mund të shash gjithë ditën shefat e mëdhenj dhe askush nuk të vret. Të cilën mund të na e shesin edhe si një provë të madhe lirie dhe demokracie.

Ndërkohë, ka një mënyrë tjetër, jo thjesht për t’u prishur terezinë udhëheqësveve të mëdhenj, por për ta trazuar realisht moçalin politik në Shqipëri.

T’u dalësh përballë në zgjedhje si një alternativë tjetër, që kërkon dhe mund ta sjellë ndryshimin dhe jo vetëm rotacionin. I cili mund të mos arrihet në një ditë, por është ngjarje e sigurt se do të vijë shpejt, nëse do t’u imponohemi me vizion, me projekt dhe në fund fare me vota, duke filluar që nga 25 prilli.

Është e vetmja gjë që ata nuk duan, ndaj është edhe e vetmja punë që ne duhet të bëjmë.

SHKARKO APP