Astrit Patozi: Koha për t’i bashkuar forcat në një front të madh për ndryshimin e Shqipërisë

Nga Astrit Patozi:

ATA NA E KANË BËRË MË TË LEHTË RRUGËN

(Për të gjithë ata që e duan realisht ndryshimin fusha është e hapur)

E mirëkuptoj plotësisht çudinë, mërzinë, dëshpërimin dhe zemërimin e shumë njerëzve, kur u shpall se doli “tymi i bardhë” i një dakordësie okulte për ta lënë siç është Shqipërinë e korrupsionit, padrejtësisë, lidhjeve të politikës me krimin dhe abuzimeve të rënda me pushtetin. Por, më besoni që nuk ka aspak vend për t’u dekurajuar. Përkundrazi, kjo është një arsye e fortë më shumë se përse ndryshimi është i domosdoshëm dhe se për të ia vlen të luftosh deri në fund.
Tashmë nuk ka më asnjë mëdyshje se ky vend është i marrë peng nga dy çeta keqbërësish për llogari të komandantëve të tyre, që nuk janë më shumë se gishtat e njërës dorë. Ata e konsiderojnë Shqipërinë një konçension të madh me 1 euro, që e kanë fituar për 99 vjet, ndaj edhe nuk mund të presësh asgjë të mirë prej tyre, sa kohë që ta kenë në dorë. Po ta lemë fatin tonë në mëshirën dhe vullnetin e tyre, duhet të mendojmë që tani se ndoshta pas 30 apo 40 vjetësh do të ulen që të bëjnë marrëveshje Zaho me njërën nga vajzat e Lulit. Sepse të tillë e konceptojnë ata politikën dhe raportin e saj me pushtetin.
Por besoj se qysh prej të premtes në darkë ata kanë bindur edhe më trushplarin se e duan këtë vend vetëm për ta zhvatur dhe për ta shqyer, pa asnjë ndryshim nga njëri-tjetri, pavarësisht në janë në pushtet apo në opozitë. Kjo do të thotë se shqiptarët kundër tyre janë bërë më shumë dhe akoma më tepër do të shtohen në të ardhmen. Dhe kjo masë gjigande njerëzish të lirë duhet të përfaqësohet patjetër politikisht, sepse ajo është opozita reale në këtë vend.
Ata që kanë pritur rezultat tjetër nga tryeza e tyre dhe janë të zhgënjyer, nuk duhet të shqetësohen dhe as të frikësohen nga ajo që ka ndodhur. Sepse “të fortët” kanë dalë shumë herë më të dobët prej asaj marrëveshje të pistë edhe për faktin që tani i kanë sqaruar të gjithë se gjithçka kanë thënë dhe kanë bërë gjithë këto vite ka qenë veçse një teatër i shpifur dhe banal.
Ndaj edhe kushdo që mendon dhe beson tek ndryshimi nuk ka asnjë motiv për ta lënë në mes betejën e tij për shkak se zoti Luli Basha dhe zoti Edi Rama janë bërë prapë bashkë. Edhe për faktin e thjeshtë se bashkë kanë qenë edhe më parë.
Nuk ka rëndësi në është parti, shoqatë, lëvizje, një grup i caktuar interesi, biznez i madh, apo person fizik, madje oferta duhet të vlejë edhe për atë që është fillikat i vetëm në shtëpinë e tij. Kontributi i kujtdo duhet të jetë i mirëpritur, sepse e vetmja mënyrë për t’iu imponuar atyre është që të bëhemi shumë dhe të numurohemi në zgjedhje. Ne duhet t’i ndalim ata me votë, në rastin e parë që të paraqitet.
Të gjithë ata që janë prononcuar publikisht, kanë mbledhur firma, apo janë përpjekur në mënyrën e tyre të bëjnë diçka, nuk duhet të mendojnë asnjëherë se marrëveshja e zotit Luli me zotin Edi e ka bërë më të vështirë sipërmarrjen për rrëzimin e tyre. E kundërta është e vërtetë. ata na e kanë bërë më të lehtë rrugën.
Nuk ka kauzë më të bukur dhe më fituese sot se sa të luftosh për ndryshimin e Shqipërisë, në kushtet e një pazari të ndyrë dhe të qartë tashmë për këdo mes dy sulltanëve të politikës për të mos e prishur qetësinë e moçalit dhe të pisllëkut që na ka zënë frymën.
Ne mund të kemi të diferenca, mund të kemi nuanca të forta që na dallojnë nga njëri tjetri, mund të kemi edhe mospajtime të mëdha për çështje të veçanta, por të gjitha këto nuk kanë asnjë rëndësi përpara faktit që kemi vendosur të luftojmë për ndryshimin dhe jo thjesht për rotacionin në këtë vend.
Ndaj edhe është koha për t’i bashkuar forcat në një front të madh për ndryshimin e Shqipërisë, në të cilin duhet të ketë vend për këdo, që nuk pajtohet me ruajtjen e statuskuosë dhe me kryetarokracinë si model oriental dhe mesjetar sundimi mbi shqiptarët.
Jam i sigurt se pas kësaj, nuk do të ketë më pazar apo tender të korruptuar politik, listë të mbyllur apo sistem të kalbur, komisioner apo numurues militant të partive të vjetra që mund ta frenojë vërshimin e zemërimit të shqiptarëve, të cilët e duan dhe do të votojnë votojnë ndryshimin në këto zgjedhje.

SHKARKO APP