Astrit Patozi: Kot nuk e shpallën që tani edhe rezultatin e zgjedhjeve

Nga Astrit Patozi
Ngaqë e dija paraprakisht se nuk do të ndryshonin asgjë, që kur u ulën për herë të parë në tryezën e Këshillit Politik, nuk kisha ndonjë kureshtje për ta parë se çfarë kishin gatuar në detaje, kur “mrekullia” ndodhi.
Por sot e lexova rastësisht atë që Edi Rama e quan marrëveshje me opozitën, ndërkombëtarët e konsiderojnë reformë zgjedhore, ndërsa zoti Luli Basha e thërret dakordësim me qeverinë, ngaqë ka marrë tmerr nga efektet publike të pazarit të 17 majit.
Dhe ishte edhe më qesharake, seç e mendoja. Sepse në treçerekun e tekstit këta trimat, që po vijojnë të bërtasin “fitore”, që arritën me shumë sakrifica të na linin ashtu siç ishim, paskan vendosur se çfarë do të bëjmë pas 5 vjetësh për zgjedhjet, ndërkohë që edhe për etikë duhet të përmbaheshin pak.
Sepse sa herë shkohet tek populli për t’u votuar, duhet të prezumosh se e ka ai në dorë se kush do të fitojë dhe kush do të humbasë, kush do të jetë i pari, por dhe të tjerët pas tij.
Mirëpo këta na paskan shkruar se do të jenë sërish të njëjtët, kur do të ulen prapë, ndoshta edhe pas 100 vjetësh, ndaj edhe i kanë rënë shkurt dhe na e kanë vënë kufirin te thana qysh sot. Nuk e kanë menduar keq, në fakt, edhe pse kjo është njësoj sikur qeveria e sotme të miratonte buxhetin e vitit 2025.
Por që ta kishin bërë tamam, meqë e kishin në dorë dhe ishin njëqind përqind të sigurt, çuditem pse nuk shpallën edhe rezultatin e zgjedhjeve, që të kishin mbledhur mendjen që tani njerëzit, mos prisnin kot edhe një vit.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?