Astrit Patozi: Teatër “Ba(Sh)Balesh” në Bulevard

Sot pamë “live”, me zë e me figurë, me dron dhe pa dron, shfaqjen e rreme në kryeqytet të Babaleve, që na udheheqin.

Të atyre, që janë në qeveri, dhe të tjerëve që janë në opozitë.

Ndaj ashtu si në të gjitha betejat e gënjeshtërta, mos prisni më kot që të ketë fitues.

Swiss Digital Desktop Reklama

Do të dëgjoni, nga njëra anë, se protestës në bulevard ju bashkuan 1 milion shqiptarë, kurse, nga ana tjetër, që aty nuk ishin më shumë se 500 vetë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sepse kaq të largët e kanë distancën me të vërtetën Babalet, që na drejtojnë, s’ka rëndësi nëse janë në pushtet, apo në opozitë.

Ndaj e vetmja këshillë është të mos i dëgjoni seç thonë, por shikojini vetë pamjet, me dron e pa dron, njësoj si në ato ndeshjet e rëndësishme të Champions League, kur në momente delikate, nuk ke pse e dëgjon fare komentatorin, është apo nuk është penallti.

Babalja në opozitë thotē se ka dalë me sukses, sepse atë di që ka për detyrë, që të shtyjë ditët e veta dhe të bëjë sikur po ngre ne këmbë popullin e revoltuar.

Një Zot e di ku e gjen forcën dhe guximin, që të bëjë prapë si i fortë, edhe pse e di që të gjithë kanë televizor në shtëpi dhe e kane parë gjithçka me sytë e tyre.

Babalja në qeveri po rreh gjoksin prej disa orësh dhe po mburret për dështimin e vëllait të vet ne opozitë.

Por gëzohet kot, sepse kjo nuk ka asnjë lidhje me njerëzit dhe atë vetë.

Sepse e vetmja meritë e Babales së fortë në këtë mes është që ai tjetri nuk ekziston.

Vini re sa të ngjashëm janë edhe kur shahen dhe tregojnë me gisht njëri-tjetrin dhe bëjnë sikur tashmë janë në gjak.

Po akuzohen reciprokisht dhe me shumë tërsëllëmë dhe pasion si shkaktarë të refuzimit të Europës. Dhe kjo per ata është arsyeja më e fortë e kësaj “lufte epike”, për të mos thënë që është e vetmja arsye.

Sepse për ta nuk ka rëndësi se si jetohet nga brenda Shqipëria, por vetëm se si duket ajo nga jashtë.

A thua se kjo është një fotografi apo një video e shkurtër reklame, që duhet ta shohin për disa çaste të huajt, sa për të krijuar një ide.

Dhe jo si i vetmi atdhe që kemi, ku gdhijnë dhe ngrysin ditë shumë të veshtira për shkak të keqqeverisjes miliona shqiptarë.

Mes dy Babaleve, që zihen për pushtet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, jam i sigurt se shumica e shqiptarëve sot nuk zgjedh asnjërin.

Atij më të dobëtit, që bën kinse si i fortë, ia numëruan brinjët sot, me zë e me figurë, me dron dhe pa dron.

Saqë më mori malli për protestat e Shaban Memisë para vitit 2000, kur PD ishte në vështirësi. Na dukeshin të vogla atëherë, por e keqja nuk paska fund.

Por edhe ai më i forti të mos trimërohet kot, vetëm nga dobësia apo kapja e tjetrit.

Sot kishim mundësi t’i numëronim vetëm policët atij, por do të vijë shpejt dita që të testohen edhe njerëzit që e mbështesin.

Shqipëria nuk mund ta lërë fatin e vet në dorë të Babaleve dhe as të marrëdhënieve që mund të kenë ata me njëri-tjetrin, pavarësisht se kush prej tyre bie në burg dhe kush nuk i dërgon tjetrit një paketë cigare.

Për rastësi ose jo, fiks si sot një vit më parë pala sulmuese dorëzonte me triumfalizëm listën e fitores mbi rivalen e vet, pas romance të fortë dashurie joplatonike.

Ndaj kjo e bën edhe më të shëmtuar e të neveritshëm teatrin e sotëm në bulevard.

Shqiptarët kanë nevojë për një alternative të re politike, që nuk ka asnjë lidhje me Babalet e sotme, që na udhëheqin, disa në qeveri dhe të kënaqur, ndërsa të tjerët, në opozitë, duke bërë si të mërzitur.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?