Ata do e humbasin këtë betejë

 

Nga Roland Nelles, "Spiegel"

Evropa duhet të mbrojë veten kundër terrorit. Me të gjitha mjetet? Më shumë bomba dhe polici nuk e zgjidh problemin. Bëhet fjalë për shumë më tepër …

Ky është saktësisht skenari, të cilit i druheshim më shumë pasi ndodhi “Charlie Hebdo”.

Sulme në një ndeshje miqësore, në një koncert, mbi njerëz të pafajshëm në kafenetë e rrugëve të Parisit- ky është përshkallëzimi i luftës së terroristëve kundër Francës dhe krejt Europës.

Me këtë strategji të pabesë, terroristët duan të na trembin, të nxisin kaosin politik dhe të shkatërrojnë stilin tonë të lirë të jetesës.

Kjo është e trishtueshme dhe revoltuese njëkohësisht.

Këto sulme do e ndryshojnë Francën dhe Europën si asnjë sulm tjetër më përpara.

Cila është përgjigja e duhur ndaj terrorit?

Do ketë nga ata që do kërkojnë më shumë polici. Ata do kërkojnë po ashtu një ndërhyrje më të ashpër në Siri. Më shumë armë, bomba dhe ndoshta edhe dërgimin e trupave tokësore kundër xhihadistëve.

Mund të bëhen të gjitha.

Por a është kjo diçka e mençur?

Ekziston koncepti i “demokracisë së ashpër” dhe pikërisht kjo po kërkohet tani.

Por të jesh i ashpër nuk do të thotë që të godasësh si një njeri i egër ose të ndërtosh një shtet oruellian.

Duhet ta mbrojmë veten me forcë kundër armiqve- por duhet të tregojmë inteligjencë dhe mençuri, pa hequr dorë nga parimet tona.

Natyrisht që problemi i terrorizmit islamik duhet të trajtohet sot në rrënjë.

Por kjo nuk do thotë se do zgjidhet brenda natës me përgjigje të lehta.

Duhet të kemi parasysh se ky është një proces i gjatë dhe do ketë akoma shumë vdekje, ndoshta edhe mes nesh.

Europa dhe Franca duhet të vazhdojnë përpara hap pas hapi.

Këtu përfshihet edhe një plan paqeje për Sirinë, me palët e tjera të përfshira (Rusia, Irani, Arabia Saudite) për të izoluar më tej Shtetin Islamik.

Këtu përfshihet edhe një bashkëpunim më i mirë i autoriteteve të sigurisë në Europë, një ndjekje më e rreptë e rrjeteve islamike tek ne.

Kjo do të thotë për shembull që të bëjmë më shumë kundër mungesës së shpresës, frustrimit dhe brutalitetit ndaj disa pjesëve të shoqërisë europiane.

Shumë prej luftëtarëve të Shtetit Islamik vijnë nga sisteme shkollore gjermane, franceze ose britanike dhe nga rrethinat.

Edhe këtu duhet fituar një betejë, me më shumë angazhim social, integrim dhe oferta për punë.

Uniteti i shumëlavdëruar në Europë- është më shumë se i nevojshëm tani.

Dhe islamikët nuk duhet ta nënvlerësojnë vendosmërinë e demokratëve.

Ata nuk e dinë, por këtë betejë e kanë të humbur.

SHKARKO APP