Ata që nuk kënduan…

Nga: Lufti Dervishi

Çfarë do të ndodhte nëse do të reagonim po aq shpejt dhe fuqishëm për disa që nuk janë larguar nga Shqipëria me dëshirë, por janë përballuar me presione dhe ndëshkime?

Edvin Prifti, është një kardiokirurg. Profesioni tij lidhet me shpëtimin e jetëve. Është i pari që foli për pandeminë dhe vaksinat, por që sot përballet me drejtësinë pas katër vjet hetimesh dhe përgjimesh. Është mjeku që ka operuar 7300 pacientë. Asnjë ditë me pushtet, asnjë tender apo abuzim me fonde publike. Mbi të sot rëndojnë katër akuza. Mbi ne rëndon indiferenca.

Ilir Allkja, mjeku që ngriti zërin për kushtet në spitale, dhe u përjashtua nga puna. Kur atij ju komunikua pushimi nga puna ne ishim me pushime

Emiliano Nuhu, oficeri i policisë që denoncoi abuzimet dhe rreziqet që vijnë nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, nga lidhja e bandave m politikën. Sot ka fituar azil politik. Ai nuk heshti, por heshtëm ne.

Antoneta Sevdari, një prokurore që guxoi të jetë e ndershme dhe e pavarur në një sistem drejtësie të kalbur do të ishte sot pa punë nëse nuk do të ishte Gjykata e Strasburgut. Asnjë zë për të mbrojtur atë. Asnjë përgjegjësi për ata që e “dhunuan”

Dritan Zaganin, oficeri që denoncoi lidhjet e krimit me politikën, si shpërblim u përball me persekutim të paprecedentë publik deri edhe nga kryeministri. Sot është azilant politik. Ne bëmë melodrama me denoncimet e tij.

Agron Tufa, poet, shkrimtar mund të ishte sot këtu. Por kërcënimet me jetë për punën e tij si drejtues i Instituti të Përndjekurve Politik e detyruan të kërkonte azil. Heshtëm.

Pal Trashaj i dha fund jetës pas vitesh trokitje në dyert e drejtësisë shqiptare. Po ta kishim dëgjuar sot do të ishte mes nesh.

Ervin Salianji është deputet që po bën burg për “kallëzim të rremë publik”. Është i pari që vuan dënimin ekstrem për këtë “vepër penale”. Për këtë heshtja është e “justifikuar” sepse ky është politikan.

Apostol Vaso, një mjek i rrallë që u largua nga puna për “Mungesë kreditesh” ndërkohë që kishte punime shkencore të botuara në revistat më prestigjoze të mjeksisë. Eshtë mjek që shëron dhimbjet, por ne jemi të mpirë dhe nuk ndjejmë më dhimbjen tonë le pastaj të tjetrit.

Këta individë (sigurisht që ka edhe të tjerë) nuk janë thjesht emra; janë simbol i indiferencës dhe mungesës se kurajos për të ngritur zërin ndaj së keqes.Ata nuk zgjodhën të largoheshin, por të shërbenin. Nëse nuk do të kishim heshtur a do të kishte për ta shpërfillje, përbuzje dhe akuza? Nëse do të kishim protestuar për ta ndoshta do të kishim tharë moçalin ku heronjtë zhduken dhe nostalgjia kthehet në dekor për indiferencën tone gjenetike që aktori njohur Mehdi Malkaj e sintetizoi në pyetjen: “e ç’më duhet mua”? ”Gjarperi që nuk më kafshon mua paste jetën e gjatë”. Apo si Shvejku “e ç’më duhet mua se ç’bëj unë?” Bëjmë shumë mirë që flasim për ata që ikin, por gjynah që nuk ngremë zërin edhe për ata që nuk e kanë zërin e bukur për të kënduar.

SHKARKO APP