Ata që po guxojnë të përflasin Amerikën nga Tirana

Nga Astrit Patozi –

Është për të vënë kujën, kur lexon apo dëgjon delirantë dhe sharlatanë nga anët tona, që përflasin këto ditë me kaq shumë pasion zgjedhjet amerikane.
Në shumicën e rasteve nuk e kanë nga budallallëku apo nga injoranca. Sepse më të zellshmit prej tyre janë hajdutët recidivë të votave, të cilët kërkojnë të gjejnë shokët e tyre edhe aty ku s’janë. Ngaqë duan të na mbushin mendjen se kështu është kudo në botë, ndaj edhe nuk kemi pse ua marrim për të madhe vesin e tyre çdo dy vjet, sa herë që votohet në Shqipëri.
Natyrisht, nuk kam rrjedhur ende që të hyj në debat me ta për vlerat e çertifikuara amerikane dhe perëndimore, sepse do të ishte mundim i kotë. Fakti që guxojnë të heqin paralele mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, i mbyll vetë të gjitha diskutimet.
Por meqë jemi tek kjo temë, ia vlen të shikosh vetëm një moment, se si po numurohet në qendrat e Xhorxhias dhe të Pensilvanisë, ku po vendoset në një farë mënyre, jo vetëm e ardhmja e Amerikës, por e gjithë botës mbarë.
Secili numurues, në punë të vet, që ndan kapicën e votave, pa i hedhur sytë fare nga kolegu përbri, ndërkohë që vendoset me një diferencë tmerrësisht të ngushtë për njeriun më të pushtetshëm të globit.
Përfytyro tavolinat tona të numurimit me 4 apo më shumë çakenj, që ruajnë dhe vjedhin njëri-tjetrin, por më shumë ata që nuk kanë fare përfaqësues, për të zgjedhur këshilltarin e bashkisë së Këlcyrës apo për deputetin e Libofshës.
Ndaj edhe ata që po qësëndisin këto ditë zgjedhjet amerikane janë kryesisht nga kategoria e atyre që i duan patjetër militantë politikë komisionerët dhe numuruesit e proceseve tona të shëmtuara dhe të manipuluara elektorale.

SHKARKO APP