Ata që Prifti nxori lakuriq

 

 

Lufta politike në Shqipëri ka shpërfaqur të mërkurën një tjetër shkallë të degjenerimit të saj flagrant. Imazhet e ndaluara të një ish ministri dhe deputeti, në shtratin e kënaqësive të tij seksuale, përbëjnë pa dyshim një goditje të ulët, që nuk ka lidhje as me programe, as me ide, as me denoncim korrupsioni apo konkurencë brenda llojit. Dritan Prifti është bërë pre e një shantazhi dhe hakmarrjeje kafshërore brenda llojit.

Le ta themi që në fillim. Imazhet e bëra publike janë të njëjtat me ato që i mbante Spartak Braho në çantën e zezë që merrte nga pas në studiot televizive. Janë po ato që Baba Taku i shpinte redaksi më redaksi për t’ua treguar gazetarëve, menjëherë pas publikimit të videos Meta- Prifti. Janë po të njëjtat që u panë edhe nga shumë politikanë të së djathtës, madje që u kundruan me kërshëri dhe ekstazë edhe nga vetë Sali Berisha në natën e darkës së famshme në familjen Meta, një ditë para procesit në gjykatën e lartë.

Pra, shkurt dhe troç ato janë pamjet që i ka "gjuajtur", seleksionuar, arkivuar dhe më në fund nxjerrë në publik LSI-a.

Dhe këtu hyjmë te thelbi i problemit: a mund të përdoret çdo mjet dhe çdo formë për të gogitur qoftë dhe një kundërshtar politik të padenjë? A i interesojnë kujt epshet seksuale të një ish ministri, jeta e devotshme apo libertine e tij, marëdhëniet që ka me seksin e dobët apo me familjen? Ç'të re sjell kjo në debatin politik?

Në këtë kuptim, kjo goditje ndaj Dritan Priftit nuk është as një sjellje me dashuri, as me qetësi. Ajo tregon humbje të arsyes, inat të verbër dhe mbi të gjitha një hakmarje mjerane të denjë për organizata dhe mendësi mafioze.

Sepse me anë të saj, një kalë i ngordhur politikisht, u godit për tu friksuar dhe shantazhuar dhe jo për tu konkuruar. Fotot e publikuara të Priftit dhe videot nga janë nxjerrë ato, nuk janë një armë në betejën politike, ato janë një ushqim për popullin e shumtë vuajerist, që i mbetur papunë, kalon ditën duke lundruar në internet.

Publikimi i tyre përpara se ti shërbejë interesit publik, bën lojën e njerzve që duan të fashisin debatin për vjedhjet dhe korrupsionin në CEZ. Ai i shërben atyre që duan ti mbivendosin kuriozitetit për humbjen e parave publike, tërheqjen nga intriga seksuale. Ai i shërben atyre që para pyetjes se kush e polli Kastriot Ismailajn, kërkojnë të nxitet enigma: Kush qe gruaja në shtratin e Dritanit.

Natyrisht ne të Lapsit e dimë kush është ajo grua të cilës ndryshe nga ndonjë media tjetër ia mbuluam fytyrën dhe nuk ia publikuam emrin. Edhe foton që doli më pas e kishim prej disa orësh, që kur nxjerrësit e saj vendosën ta shpërndajnë. Por ne vendosëm fillimisht mos e botojmë, pikërisht të nisur nga ky parim: se ajo nuk i shërbente askujt. Vetëm pasi mediat pranë Metës e bënë publike, vendimi ynë ndryshoi, jo vetëm "për të dhënë lajmin" por edhe për të treguar se kush po e prodhon atë.

Dhe natyrisht ky nuk qe një kujdes ndaj Dritan Priftit. Për shumëkënd ai e meritonte një ndëshkim të tillë. Por për çdo mendje normale, ndëshkimi për të duhet të qe i tjetërllojtë. Ai duhet të përgjigjej për akuzat e fshehjes së pasurisë, që i ka denoncuar aq fort opozita e djeshme sot në qeveri. Ai ndoshta duhet të përgjigjej, për mënyërën se si është sjellë, sipas radhës me Nanon, Ramën dhe Metën. Ai ndoshta duhej të jepte llogari, për një tjetër video, atë të kohës kur si ministër i LSI-së u vetëfilmua duke ndarë shuma maramendëse parash me zv/ministrin e po kësaj partie.

Për të gjitha këto Prifti nuk është një personazh që meriton ti dalësh për zot. Por këtu çështja e kapërcen atë. Sepse spiunimi në "shtratin e tij të mëkatit" është një ngjarje që duhet të na friksojë të gjithëve. Sepse ai është një sinjal i mafiozllëkut të politikës. I përdorimit të saj për shantazh dhe presion. Sepse ai më shumë se sa na tregon lakuriq një kalë të ngordhur, na dëshmon për rrezikshmërinë e atyre që vazhdojnë të bëjnë politikë, të fshehur nën kostum.

SHKARKO APP