Atdheu të vret për dy gisht arë e për dy gisht fytyrë

Atdheu që s’më pret

Nga Helena Halilaj, pedagoge

Sot ditët e Shqipërisë janë të vështira për tu shkruar me ngjyra, qarkullojnë pritjet dhe shpresat ne demokracinë tonë si në shina që lëvizin njësoj si dje. Pranverë protestash dhe zgjedhjesh, shqiptarë që dëshirat e tyre sikur dremiten, as nuk flenë, as nuk zgjohen si bota ku duam të shkojmë. Njerëz që duan të ikin, të marrin rrugët e arratisjes, braktisjes së vendit për ditë më të sigurta. Sot atdheu im zgjohet me pasiguri. Fëmijë që kanë emigruar herët. Të njomë deri në asht, të paditur deri në ëndërrime përrallash, të trembur deri dhimbje, lutshëm shtegtuar për rrugë të reja. Fëmijë që përqafuan pasigurinë se çfarë do gjenin dhe të sigurte çfarë lanë pas…lanë atdheun e migruar ndër vete, e mbytur në gërshetime paragjykimesh, kulturash dhe pamundësisë. Atje lart këta djem të parritur lanë sytë me lot të nënës, lot për birin që se di ku po shkon, lot prej ditëve plot sakrificë e vetmohim. Sakrifice nënë shqiptare deri në asnjë limit që mbajnë librat psikologjik dhe social. Asnjë ndarje nuk është e lehte. Fëmijë që nuk mësuan dashurinë, familjen, që u burrëruan fëmije e nuk fëmijëruan asnjëherë. Aje pas ata lanë motrën dhe vëllezërit që rrinë në paqe me fatin se lindën në këtë vend të vështirë. Fëmijët tanë veshën rrugët e botës, Londrës, Evropës, ata në vegjëli mësojnë se atje larg, atje shumë larg ka shpresë. Ata herët mësojnë se të ikësh është shpëtim prej atdheut që të lind e s’të rrit. Ata dinë se të ikësh fëmijë është më mirë, është si të rritesh degët e jo vetëm frutat. E dinë se do ikin një ditë, e atë ditë e afrojnë, edhe kur janë trembëdhjetë apo katërmbëdhjetë vjeç. Po po, aq janë, të paformuar ne inde humane dhe sociale marrin nismat e sakrificave të mëdha, peripecive që as filmat si pasqyrojnë dot, në emër të jetës. Fëmijë të panumërt janë në Angli dhe jo vetëm, që rriten në familje krejt larg asaj ç’farë kishin në atdhe. Përplasje të panumërta kulturash, botëkuptimesh, formimesh, marrëdhëniesh, një botë e lenë përgjysmë, një e dytë e nisur nga gjysma. Fëmijë që edhe kur emigrojnë janë të pafuqishëm për tu realizuar. Të udhëtosh në pak vite të tyre është një udhëtim plot ngjarje, kujtime që sikur hakmerren në sinkron me fatin e vështirë të tyre. Kur flet me ta gjen menjëherë ngurrimin për tu rikthyer. Ata lanë pas nënën që priste djalin ti rritej e shkollohej, dikush të formonte familje. Dikush atje larg ka lënë nënën në konflikt fizik dhe emocional me babain, në borxhe se luante bixhoz apo pinte deri vonë, motrat e vëllezërit që dëshmitare të mërzisë së tyre janë vetë dhe Zoti. Se duan kthimin se i presin borxhet që nuk i paguan babai i papunë, apo nëna që paguhet më pak se në çdo vend tjetër. Te kthehet gjen vendin e vet që nuk i dëshmon asgjë më shumë se ankesës për punë, paragjykimit dhe mungesës së besimit. Fëmijë që janë kthyer në fe tjetër, janë bërë të besimit katolik dhe shoqëria i pret me gijotinë të idhët të përjashtimit, ku besimin nuk e shohin si zgjedhje po si trashëgimi fisnore. Raste ka plot ku janë përveshur mëngët e fjalës deri në poshtërime ekstreme. Ambienti që lanë pas nuk është pranues po paragjykues. Atdheu të vret për dy gisht arë e për dy gisht fytyrë burrnie mundet edhe të fal gjakun. Atdheu tyre e do faljen tek tjetri por vetë të vret për borxhet që nuk lanë babai, për një varëse me kryq ushqehesh me përçmim. Ky është atdheu që folenë e lumturisë e ka të pambushur me mundësi të reja. Nuk dinë sa do arrijnë atje ku janë por dinë që nuk mund të kthehen drejt vendit që të vret e s’të rrit. Që të mbyt me të vogla e të rrit me të pavërteta, gënjeshtra, mashtrime dhe pabesi. Ku fëmija është çdo gjë po nuk i sigurohet aq sa i duhet për tu lulëzuar. Gëzimi kolektiv nuk është më në shoqërinë ku po mungon humaniteti. Fëmijë që pa njohur praninë e nënës dhe babait njohën bashkëjetesat në familje askund te ngjashme me ata çfarë lanë. Ku me fis vendosim fatin tënd, bëjmë shumatoren e jetës dhe individualisht vuajmë pasojat. Ku mënd kemi të gjithë e zgjidhje askund. Ku të gjithë bëjnë politike e s’dinë të drejtojnë varkat e vogla të familjes së tyre në detin e pafundmë të së nesërmes. Fëmijë që ajo që i pret nuk ka stoli me u frymëzuar për kthim. Si mund të vihet në një vend thoshte një i ri i emigruar ku puna nuk të sigurohet, ku minimumi i jetesës është i papërfillshëm. Sot të rinjtë tanë të emigruar në vendet e huaja e shikojnë stacionin në të cilin nuk do zbresin më atdheun në të cilin lindën dhe shpresuan që një ditë do lulëzonte me gjithë bukurinë që ka, me resurset e shumta. Ata përtej largësisë janë integruar në një komoditet tjetër, kanë marrë formim profesional ndryshe dhe pse në moshë të re. Kthimi nuk ju jep shanse të njëjta sepse nuk janë angazhuar në parti politike. Vendi të cilin e ruajnë në mëndje dhe zëmër nuk ju jep asnjë formë të ngjashme me jetesën ku ata janë. Fati i emigruar i të rinjve tanë është fati i qindrave që e përqafuan herët ikjen nga atdheu për të mos mbetur peng i pamundësisë së madhe që s’po e zvogëlon shoqëria jonë ende.

SHKARKO APP