Atentati për Doshin u porosit në muajin kur u vra miku i tij Santo

 

Nga shtypi i dites

Pas deklaratës së fortë të deputetit të përjashtuar nga PS Tom Doshi, se eksponentë të lartë të politikës kishin përgatitur eliminimin fizik të tij, dhe për këtë ishte paguar një person, Policia e Shtetit reagoi duke ndaluar të vetmin të dyshuar deri më tani, Durim Bami.

Ndalimi i tij u bë teksa po tentonte të kalonte pikën kufitare të Hanit të Hotit drejt Malit të Zi. Pas arrestimit u fut në veprim edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila tashmë kishte nisur hetimet kryesisht.

Gjatë gjithë pasdites së djeshme dhe orëve të vona të mbrëmjes Durim Bami u mor në pyetje nga dy prokurorë të Krimeve të rënda dhe në prani të oficerëve të policisë gjyqësore. Burime të sigurta nga Policia bëjnë me dije se pas marrjes në pyetje dhe verifikimit të të dhënave Durim Bami aktualisht është personi i vetëm i ndaluar për përfshirjen e tij në këtë ngjarje.

Të njëjtat burime argumentuan se dyshimet për lidhjen e Bamit me tentativën për eliminimin e Tom Doshit u verifikuan pas marrjes në pyetje dhe paraqitjes së videos e cila deri në këto momente ka shërbyer si indicje për hetimin por ende nuk është vendosur nëse do të merret ose jo si provë.

Atentati për Doshin u porosit në muajin kur u vra miku i tij Santo

Fakte mjaft të habitshme dalin nga dëshmia e Durim Bamit, personit që ka pranuar se ka marrë përsipër atentatin e Tom Doshit. Për tre orë me radhë Durim Bami i arrestuar si personi që është kontraktuar me 600 mijë euro për të vrarë dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ka pranuar para prokurorëve dhe hetuesve të policisë se ishte ai që kishte marrë një porosi për vrasjen e deputetit të PS Tom Doshit.

Në dëshminë e gjatë, Bami ka pohuar se porosinë për eleminimin fizik të deputetit të PS Tom Doshi dhe atij të PD Mëhill Fufi, e ka marrë nga një bisnesmen i quajtur “Toni” dhe që administron një nga lokalet më të njohur në zonën e ish-bllokut në kryeqytet. Takimim e ka bërë rreth muajit Qershor. Me “Tonin”, jemi takuar disa herë, ku bashkë me ne ka qënë një miku i përbashkët ish-efektiv policie. Sipas tij takimi është bërë në ambjentet e një lokali, ndërkohë që pasi kemi rënë dakord “Toni” më ka dhënë si paradhënie 80 mijë euro.

”…Kjo është vetëm sa për fillimin…” – me tha pasi pjesa tjetër do më paguhej pasi të ishte përfunduar porosia. Emrin e personit që i duhej i vdekur nuk ma ka treguar në takimin e parë, ndërkohë që emrin e tij e kam mësuar vetëm kur më ka pohuar se për këtë porosi do merja 500 mijë euro”- mesohet te kete thene Bami. Ndërsa për vrasjen e deputetit Fufi, Bami ka treguar se i janë vënë në dispozicion 100 mijë euro. Sipas Bamit kjo vrasje është kërkuar nga “Toni”, por nuk e di se kush kishte interes për eleminimin e tyre.

Lidhja me vrasjen e Santos

Një detaj nga hetimet që ka nxjerrë në media gazetari investigativ Artan Hoxha, ku thotë se: “Durim Bami ka thënë se në takim ka qenë dhe një person tjetër, që e thërisnin “Rezi” dhe që do kontrollonte veprimet e dy deputetëve me motorr. Pra sipas së njëjtës skemë që u përdor për vrasjen e bankierit Santo, me një motor”. Ky element së bashku me deklarimin tjetër të bërë nga Bami se porosia për vrasjen e Tom Doshit dhe Mëhill Fufit u dha në muajin Qershor, kohë në të cilën u vra bankieri Artan Santo, krijojnë një lidhje midis dy ngjarjeve.

A ka mundësi që porositësit të jenë të njëjtit njerëz dhe për të njëjtën çështje? Kjo nuk mund të dihet në këtë moment, por ajo që dihet është se Tom Doshi e Artan Santo kishin një miqësi me njëri-tjetrin. Madje nga sa dihet në muajin Qershor bankieri dhe deputeti kishin filluar prej kohësh bisedime serioze për disa biznese të përbashkëta. A u vra Santo se dështoi atentati për Tom Doshin, apo si bankieri dhe deputeti ishin llogaritur për t’u vrarë të dy, kjo enigmë mbetet për t’u zbardhur. 

Tritoli tek makina

Në rrëfimin e tij, Durim Bami ka pohuar se ka survejuar për një kohë të gjatë lëvizjet e deputetit Tom Doshi, ndërkohë që siç dhe kishte rënë dakord me personin e quajtur “Toni” ka vendosur sasinë e tritolit poshtë makinës së deputetit Tom Doshi. Arsyet ende janë të paqarta se pse Bami nuk ka arritur të aktivizojë sasinë e tritolit, ndërkohë që vetë më pas ka shkuar dhe ka treguar gjithçka, tek vetë personi që kishte futur në objektiv për ta ekzekutuar, pra tek Doshi.

Bami përballë prokurorëve dhe oficerëve të policisë ka treguar se nuk ka dijeni se kujt i interesonte vrasja e deputetit Tom Doshi. Më tej ai ka shtuar se krimin e ka denoncuar vetë tek Tom Doshi, dhe se së bashku kanë shkuar dhe kanë takuar Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Ikja e porositësit

Biznesmeni me emrin “Toni” që përmendet në dëshminë e Durim Bamit ka zhdukur çdo gjurmë, duke lënë Shqipërinë disa muaj më parë. Ky person ka dalë nga Shqipëria nga aeroporti i Rinasit duke udhëtuar në drejtim të Gjermanisë. Po kështu edhe personi tjetër misterioz, i quajturi “Rezi” është larguar jashtë vendit. Pas kësaj situate, nuk ka qenë në gjëndje të thërrasë dhe të pyesje këtë person, ndërkohë që mësohet se tashmë ai është shpallur në kërkim.

Dëshmitari kyç

Durim Bami, është njeriu që deputeti i Shkodrës Tom Doshi e konsideron si dëshmitarin kyç dhe si vrasësin e kontraktuar nga Ilir Meta, por tashmë të penduar dhe i kthyer në favor të tij. Emri i tij për Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Përgjithshme njihej prej shumë vitesh si i përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.

Por për policinë dhe prokurorinë emri i Durim Bamit u bë akoma dhe më i njohur 6 muaj më parë, kur vetë deputeti Tom Doshi, u ka deklaruar zyrtarëve më të lartë të shtetit por edhe të agjensive ligjzbatuese se Bami kishte nënshruar një kontratë shumë të majme për të vrarë jo vetëm deputetin e PS Tom Doshi, por edhe deputetin e PD Mhill Fufi.

Fill pas bërjes publike të ktyre fakteve, dhe 10 ditë pasi kishte shpëtuar nga një atentat me tritol, Durim Bami ka vendosur të largohet nga Shqipëria, duke tentuar të hyjë në shtetin e Malit të Zi. Por pikërisht në këtë moment ai është urdhëruar të ndalohet dhe shoqërohet në Policinë e Tiranës, si i dyshuari kryesor për dy ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në Fushë-Krujë.

Arratia në mesnatë

Nga sa mësohet njeriu që ishte paguar për të vrarë Tom Doshin dhe deputetin e PD Mhill Fufin, ka tentuar të arratiset në mesnatën e të hënës. Pavarësisht kësaj, ai ka qënë në vëzhgim të rreptë nga policia dhe për pasojë është mbajtur i lokalizuar. Burime pranë policisë thanë se ai në orën 12:30 është ndaluar në automjetin e tij në pikën kufitare të Hanit të Hotit për të shkuar në Malin e Zi.

Menjëherë pas ndalimit, ai është shoqëruar në masa të forta sigurie, duke u transportuar me një autoblindë të repartit special RENEA. Gjatë momentit të ndalimit mësohet se Durim Bani nuk ka bërë asnjë rezistencë, ndërkohë që ka kërkuar sqarime se përse e kishin arrestuar. Trupa e policisë, nuk i ka dhënë asnjë shpjegim ndërkohë që është transportuar në Tiranë, për tia vënë në shërbim grupit të hetimit.

(marre nga shqiptarja.com)

SHKARKO APP