Atentatorët e Ramës dhe ca salinj nëpër këmbë

 

Nga Ardit Rada 

Shqipëria është parajsë kur vjen puna për të krijuar kauza afatgjata, por ka pasur fatkeqësinë më të madhe nga çdo komb. Është një vend që politikën e kanë mbajtur pezull për vite të tëra dy-tre emra për t’u pasuruar e për të larë duart si Pons Pilati, ndërsa prifen për mandatin e radhës që ‘u takon’ sipas parimit se “Nuk të lë Amerika më shumë se 8 vite në pushtet”.

Rasti i studentëve, të cilët qëlluan kryeministrin Rama, ishte një akt domosdo i parapërgatitur dhe mbi të gjitha i paralajmëruar duke qenë se grupimi i sotëm kishte muaj të tërë që kundërshtone reformën në arsimin e lartë. Në këto rrethana, për cilindo që i njeh djemtë e vajzat e shoqëruara në Polici, do ta kuptonte se guximi i tyre buron nga ideali tek i cili besojnë, sikurse e kanë pritur edhe ndalimin e tyre nga forcat e rendit.

Ulrike Majnhof, aktiviste e majtë në Gjermaninë Perëndimore, shkruante se: “Hedhja e një guri është vepër penale. Hedhja e shumë gurëve është akt politik”. Kësisoj, veprimi i studentëve më mirë të mbetet një formë e rezistencës sipas metodave që ata dijnë, sesa një akt rrugaçërie. Kjo do t’i jepte vlerë demokratike mbarë shoqërisë dhe vetë studentëve shqiptarë, të cilëve që në vitin 1990 nuk u ishte ndjerë zëri kurrkund.

Dhe paralel me këtë grupim të vogël ecin antivlerat të udhëhequra, sikurse e thashë në krye, nga lukunia e pengmarrësve të skenës politike. E pra shkurt, saktë e shqip, studentët e sotëm nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike, me Aleancën Kuqezi dhe ndonjë lëvizje tjetër me djem, vajza. burra e gra që rendin pas rasteve për të marrë flamurin në dorë. Nuk kanë lidhje as në pikëpamjet ideologjike dhe as në ato klasore sa i përket gjendjes ekonomike të studentit me këtë soj e sorrollop.

Për ata që nuk e dinë, studentët që Berisha sot i quajti trima, janë komunistë me yll në ballë. Kanë një grupim të majtë ekstrem që quhet ‘Organizata Politike’ dhe që simbol kanë grushtin, sikurse e kanë ngritur në çdo protestë. Organizojnë prej vitesh 1 Majin e punëtorëve, që parti si PD nuk e kanë fort për zemër.

Janë ato emra studentësh që i ngritën gishtin e mesit Sali Berishës, kur ai tentoi dëshmpërimisht t’i bashkohej kauzës së armëve kimike, për t’ua gllabëruar rastin.

Mirëpo skena nuk mbyllet me kaq, sepse paralel me ndalimin e tyre, ecën Albana Vokshi që nuk le derë komisariati pa shkelur në raste arrestimesh. Bërtet gjithashtu Basha, që i pyetur dy ditë më parë, nuk e dinte ende se kur do t’i niste opozita protestat. Rend kuqeziu dhe të tjerë që kërcëjnë nga lumi Radika te droga e Lazaratit, e plot politikanë amorfë që vetëm studentin s’e kanë dashur kurrë.

E pra, angazhimi i kësaj sëre nuk është kurrsesi solidaritet, kur disa rendin për grevë te dera e Policisë që në emër të mbështetjes të dalin në televizor disa ditë me radhe, e disa në emër të opozitarizmit u marrin datat dhe kauzat atyre duke qenë se vetë nuk e dine ende ku janë. Lërini studentët të bëjnë punën e studentit, sepse vezë ka për të gjithë.(javanews.al)

SHKARKO APP