Atvrasja, Basha thikë pas shpinës Berishës

Nga Lorenc Vangjeli/

Nuk është gjë e re. Atvrasja është e vjetër sa vetë bota. Është e vjetër sa vetë lufta për pushtet. Shembujt janë të panumërt. I fundit fare në radhë është akti e atentati që kryetari i ri i PD­së po tenton të bëjë ndaj kryetarit të vjetër të saj. Tërësisht hapur. Tërësisht pa ndrojë. Domethënë, Lulzim Basha kundër Sali Berishës. Edhe pse ngjan e pamundur në thelb e në formë, provat dhe faktet janë kokëfortë dhe provojnë një tentativë të shtrirë në kohë për të dëmtuar Doktorin. Sot për sot, Sali Berisha, njeriu që mundi me radhë Ramiz Alinë, Fatos Nanon, Ilir Metën, Edi Ramën dhe u mund në fund nga Edi Rama e Ilir Meta, kërcënohet nga krijesa e tij politike më shumë se nga kundështarët. Vështirë të merret me mend zhgënjimi i tij kur sheh aktin me thikë në dorë e E­Mail­e të fshehtë në media, të Bashës, të cilin e ka pasur bir për shpirt politik. Që e zgjodhi, e formatoi, e klonoi, e përdori, e rriti, e tkurri, i qeshi, e shau, bëri sikur i besoi dhe së fundi i la edhe karrigen e tij në parti. Në fakt, Lulzim Basha është në të drejtën e tij. Ai ka të gjitha arsyet ta bëjë një gjë të tillë. Ai e di që nën hije rritet vetëm bar dhe barin mund ta shkelë edhe Jozefina, edhe gjithë ata që nuk e deshën kurrë dhe që ai nuk i ka besuar kurrë edhe tani që bashkëjeton me detyrim me ta. E vetmja mënyrë mbijetese dhe vijimësie në fronin e PD­së, është të dalë nga hija e rëndë e Doktorit, për shkak të së cilës nuk e merr askush seriozisht. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë një gjë të tillë, është goditja e Doktorit.

Në pikën ku ai është më i ndjeshëm. Tek paratë. Ato që janë pis. Basha hapi një histori të vjetër dhe nxjorri nga hija një nga ato të fshehtat e kasafortës së Doktorit dhe të ca njerëzve pranë tij. Aferën gjigante të CEZ­it dhe milionave të zhdukur – si banditët me kravata – në drejtim tërësisht të ditur, nuk e njeh askush më mirë se Doktori dhe njerëzit e tij. Dhe këtë javë, duke treguar me gisht në një drejtim, Basha në fakt i ka vënë gishtin tjetrit. Duke akuzuar Metën, ka nxjerrë nga hija të fshehtat e Doktorit.

Faktet janë të ashpër dhe direktë dhe falë tyre, historia e CEZ­it, spekulimit me të, parave dhe transfertave të tyre në xhepa të mundshëm privatë, po marrin një drejtim tërësisht tjetër. Si fluturimi i bumerangut. Por i llogaritur mirë që nga dora e Bashës të përfundojë në kokën e Doktor Berishës. Sepse gjithçka lidhet me të. Duke nisur që në prolog të historisë. Në prill të vitit 2009, vetëm pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Sali Berisha, atëherë kryeministër i vendit, do të bënte një udhëtim surprizë në Çeki. Në takim me homologun e tij Topolanek ai dorëzon dosjen e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Të gjithë partnerët e tjerë evropianë atëherë kishin këshilluar ndryshe: prisni të merrni dhe standartet e zgjedhjeve! Por Doktori nuk  mundej. Sepse kjo lëvizje “integruese” i duhej si kartë elektorale dhe sepse karta fituese elektorale do ta bënte privatizimin e këtij aseti strategjik në energjitikë, një oaz të pashembullt fitimi nga zona të errta dhe të ndërmjetme në qeverisje. Si varianti “çek” me CEZ­in, Berisha u akuzua nga “dhënia” e detit fqinjit me procedura skandaloze e deri tek premtimi për helikopterë francezë në Tiranë.

Pesë vjet më pas, detaje të pilotuara në media tentuan të bëjnë fajtor kryetarin e Kuvendit për histori mitmarrjeje. Akuza bëhet politike nga Basha, i vetmi që e dinte që në atë moment që Meta me atë histori ka vetëm një përkitje me faktin që ka qenë për disa muaj ministër i ekonomisë. Basha realizoi kështu një lëvizje spektakolare politike duke i rënë pragut që nuk kapërceu dot, për t’i rënë derës që po i mbyllet para syve; i ra Metës që ta pësojë Doktori!

Një fjali e nxjerrë nga një dokument i zyrës së avokatisë që mbron interesat e shtetit shqiptar, që fliste për një ish­kryeministër të dënuar për korrupsion, u shit sikur bëhej fjalë për Metën. Në fakt dyshimi është vërtet për një ish­kryeministër, por kjo është histori tjetër. Dhe këtë emër e di edhe Basha, edhe Berisha, edhe Meta, e natyrisht edhe Rama.

Por ajo që e bën qesharake akuzën ndaj njërit, Metës, dhe e bën jashtëzakonisht serioze atë si një lëvizje politike ndaj tjetrit, Berishës, është hapja e kësaj Kutie të Pandorës. Sepse askush nuk është më pak i interesuar se Berisha që të shihet brenda kësaj kutie. Duke nisur me përkitjet e munguara të datave dhe duke përfunduar me faktin e thjeshtë: kush e zgjodhi kompaninë në gjykim? Të gjitha rrugët të çojnë tek Doktori dhe Basha e di një gjë të tillë, por pikërisht se e di, nis këtë fushatë të “çuditshme”. Eshtë e thjeshtë të dallohet në prapaskenë një dorë/duar që dorëzojnë dokumenta ose konfidencialë, ose gjysëm të sekretuar për median. Secila nga to, çuditërisht, largon dyshimin nga Meta dhe e afron atë me Berishën. I fundit në rradhë është e­mail­i i avokatit të palës shqiptare Tim Schreiber, nga kompania Clifford Chance, që i ka dërguar Avokaturës së Shtetit. “Në kundërshtim me atë që disa gazetarë janë përpjekur të spekulojnë, OSHEE në dosjen e depozituar në arbitrazh kundër DIA ltd (Ishujt Virgin Britanik), nuk e ka përmendur zotin Meta si një përfitues transfertash të parave apo praktika të tjera korruptive, në lidhje me marrëveshjen e mbledhjes së borxhit mes OSHEE dhe DIA”.

Dhe nuk mbaron këtu. E njëjta dorë e djathtë ka nxjerrë në dritë dhe dëshminë e “papritur”, të panjohur deri më tani, të ish­drejtorit të CEZ­it në Shqipëri Josef Hejsek. Ajo dëshmi është dhënë në 26 tetor 2014, gjatë procesit midis CEZ­it dhe DIA­s së biznesmenit shqiptar tashmë të arrestuar Kastriot Ismailaj. Pika më e nxehtë, të paktën për momentin, e dëshmisë së tij është mekanizmi që e prezantoi dhe e çoi biznesmenin në zyrat e CEZ­it. Dhe më pas edhe në zyrën e ish­kryeministrit Berisha dhe të zyrtarëve të ERE­s së kohës, të gjithë njerëz të zgjedhur nga Doktori. Prezantimin e parë të Ismailajt me CEZ­in e ka bërë ish­ambasadori shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, ish­deputet i ish­partisë së Genc Pollos. I ndjeri Tepshi që ndërroi jetë vetëm dy javë më parë, ishte kërkuar të merrej nën hetim për shkak të deklarimit të pasurisë, i akuzuar nga ILDKP­ja. Një tjetër “koinçidencë”: vitin e kaluar Meta ka qenë nën akuzë nga Basha se kishte zgjedhur njeriun e tij si drejtues të këtij institucioni. Ajo që bën përshtypje në gjithë këtë histori që ka nisur të zbardhet pak nga pak, është se të gjithë personazhet e përfshirë në të kanë qenë ose njerëz shumë të afërt të Doktorit, ose njerëz të zgjedhur prej tij. Dhe kjo gjë nuk ka qenë aspak sekret. Ka qenë një e vërtetë që e dinte shumëkush në Tiranë dhe natyrisht e dinte edhe vetë Lulzim Basha. Ajo që pakkush e di dhe e merr me mend është arsyeja se pse Basha, pikërisht tani trazon me shkop këtë histori që mban erë? Që nis dhe nuk bitis me ERE­n, por që nis e bitis gërmë për gërmë me emrin e Doktorit. Supozimet për kafe ose darka konfidenciale të Bashës me Ramën, mund të jetë arsye e mjaftë lajthitjeje. Rendja mbas ëndrrës shpesh rrezikon të kthehet në makth. Siç ndodh në të gjitha rastet kur tention të vrasësh

babën! Aq më tepër që në PD po bëhen gjithmonë e më të fortë zërat që Dun rikthimin e Babës!

(Javanews.al)

 

SHKARKO APP