Aurel Plasari: Për nevojat e partisë
Nga Aurel Plasari –
(Nga cikli “Me historinë poshtë nënkresës”)
Kur jeta nuk ta jep mundësinë të kesh qenë bashkëkohës i ngjarjeve të “epokës leniniste”, nuk të mbetet veçse të lexosh bashkëkohësit e atyre ngjarjeve, sidomos ata që i kanë përshkruar ato në mënyrë të dokumentuar. Ndër autorët e parapëlqyer, fjala vjen, Essad Bey është vetëm njëri prej tyre, sepse ata janë të shumtë.
Ja Lenini në Paris, siç e ka përshkruar jo vetëm z. Essad Bey, por e shumta e autorëve të kohës: jetë mërgimtari, pothuaj vetmitar, përpos së shoqes Nadjezhda Konstantinovna Krupskaja, e cila nuk e braktis. Si shoqe lufte ajo mban listat e partisë, të anëtarësisë anembanë Rusisë, në kohë e sipër që ato zvogëlohen në mënyrë të frikshme saqë partia rrezikon të mbetet vetëm me 10 anëtarë. Mësohet që dikur partitë revolucionare në Rusi i subvenciononin oligarkët kurtizanë, mirëpo tani në emigracion arka e partisë kishte mbetur bosh. “Duhen pará, – konkludon Lenin analitik si gjithnjë, – dhe ne duhet ta gjejmë vetë rrugën për ta pasuruar partinë”.
Ajo rrugë nuk paskësh qenë më vetëm çështje bisedash. “Revolucionarët” që endeshin nëpër Rusi, sidomos ata që kishin talent banditizmin, duheshin organizuar dhe koordinuar. Një ditë, si ka kaluar orë të tëra në bibliotekë, me t’u kthyer në shtëpi udhëheqësi mbyllet në dhomën e punës duke e porositur Krupskajën që të mos e shqetësojë askush: “Më duhet të kryej një vepër teorike shumë të rëndësishme…”. Bashkëshortja, gjithnjë e informuar për punën e të shoqit, mbetet e befasuar nga kjo farë fshehtësie. Prej punës së asaj nate rezulton një broshurë që skandalizoi edhe vetë marksistët e emigracionit. Broshura të atilla me direktiva Lenini i mbititullonte “Letra nga larg”, të njohurat “Письма издалека”. Duke përdorur aty-këtu citate marksiste, Lenini shpjegonte që grabitjet e bankave, të trenave që transportonin vlera monetare dhe të arkave të magazinave, në gjendjen aktuale të revolucionit ishin “akte revolucionare-marksiste dore së parë”. I gjithë koleksioni “Письма издалека” mund të lexohet sot, në suport elektronik, edhe në internet. Dhe rezulton që autorë si Essad Bey paskëshin treguar të vërtetat.
Me botimin e broshurës dhe direktivat e reja të dhëna në të, banesa e Leninit në Paris filloi të vizitohej nga figura të fantaksura. Ish-miqtë e tij kështu e kanë përshkruar. Ai vetë u detyrua të vente deri në Finlandë për të takuar figura të atilla: kaukazianë gjysmë-të-egër, cuba siberianë, eremitë balltikas etj. Tanimë , në vend të tezave të Marksit dhe Engelsit, diskutonte me ta plane konkrete aksionesh për grabitje duke shpjeguar mbi tryezë planimetri topografike. “Shokë, – pyeste me duar të kredhura ndër xhepa dhe sytë gjysmë të mbyllur, – a jeni të gatshëm të grabisni bankën e Armavirit për nevojat e partisë?”. Shokëve u kërcisnin dhëmbët nga hareja dhe padurimi. “Duhen nja dhjetë bomba…”: kërkonin shokët, ndërsa Lenini nxirrte nga xhepi bllokun e vogël dhe mbante shënim kërkesat duke miratuar me kokë.
Kështu u ndërtua një rrjet i mirorganizuar grabitësish të vlerave të mëdha monetare nëpër banka, trena, magazina etj. “për nevojat e partisë”. Falë tij u realizuan grabitjet spektakolare të bankës së Tiflisit (200.000 rubla të kohës), të korrierës perandorake në Uralet (70.00 rubla të kohës) dhe një varg i tërë grabitjesh të ngjashme. Hollësi kërshërore mund të gjeni plot edhe në internet: The 1907 Tiflis bank robbery, etj. Këto nuk quheshin as vjedhje, as grabitje. Kur kryheshin “për nevojat e partisë” quheshin rusisht “ekspropiacija”, d.m.th. shpronësim: “shpronësohej” borgjezia dhe klasa sunduese. Fjalori politik i partisë u pasurua me shkurtesën “eks”, që cilësonte vjedhjen dhe grabitjen e sasive të mëdha monetare “për nevojat e partisë”, ndërsa shokët përkatës tanimë quheshin “eksistët”. Leninit i duhej e dhe kreu i kësaj veprimtarie. Ndërsa kalonte gishtin në listat e besnikëve të mbetur të partisë, u ndal te një emër disi i veçantë dhe iu kujtua që e kishte ndeshur kalimthi në kongresin e partisë në Helsingfors: një djalosh me fytyrë të vrarë lije, me sy të vegjël dhe mustaqe të zeza.
Dhe vendosi, siç vendoste gjithmonë, i bindur në përshtypjen e çastit: Eksi duhej të përqendrohej tek eksistët e Kaukazit, ndërsa drejtimi i tyre t’i besohej “gjeorgjianit legjendar”. Me emërtesën “gjeorgjiani legjendar” njihej në qarqet e partisë djaloshi Josif Xhugazhvili, ndryshe Stalin. Reagimeve të shumë shokëve marksistë të skandalizuar nga grabitje të tilla “për nevojat e partisë” Lenini iu përgjigj duke shkruar: “Partia nuk është bujtinë pensioni për bandillë; fusha e luftës sonë i kapërcen kufijtë e moralit borgjez. Një horr mund të jetë i dobishëm për partinë edhe duke qenë horr. Në polikë morali nuk ekziston; nuk ekziston asgjë përveç arritjes së rezultatit”. Për të mbështetur këtë politikë grabitjesh skandaloze të sasive të mëdha monetare “për nevojat e partisë” Lenini vuri në punë edhe shokun Bogdanov, mik i tiji, të shkruante edhe ai një broshurë në mbrojtje të “eksëve”. Mund të lexohet në të:
“Bërtitet kundër shpronësuesve, duke i quajtur hajdutë dhe kriminelë. Mirëpo në orën e pushtetit ata do t’i kemi të gjithë me ne dhe atëherë do të jetë më i dobishëm një hajdut profesionist sesa intelektualët si zoti Plehanov”.
Më duket – mbase e kam gabim – që historia i dha të drejtë partisë.
Hashtag.al