Autoritetet: nuk dihet se ku mund të godasin terroristët

 

Qeveria dhe autoritetet e sigurisë e konsiderojnë të drejtë anulimin e ndeshjes ndërkombëtare në Hanover. Tani spekulohet se sa i madh është rreziku i terrorit në Gjermani.

Pas anulimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit midis Gjermanisë dhe Holandës të martën (17.11) në Hanover nuk ka as arrestime dhe as gjetje lëndësh eksplozive. "Kishim të dhëna konkrete për rreziqe konkrete", kështu e justifikoi kryeministri i Landit të Saksonisë së Poshtme, Stephan Weil të mërkurën (18.11) anulimin e ndeshjes. Një zëdhënëse e policisë konfirmoi megjithatë se policia po kërkon me një numër të madh forcash persona të dyshuar. "Jemi të angazhuar në vende të ndryshme", tha zëdhënësja në Hanover. Federata Gjermane e Futbollit ndërkohë bëri të ditur se ndeshjet e Bundesligas fundjavën e ardhshme do të zhvillohen, pavarësisht shtimit të terrorit. Presidenti i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Holger Münch, bëri të ditur pas kësaj se ai dhe autoritetet e tjera të sigurisë aktualisht nuk kanë shkas konkret që të mendojnë se në Gjermani mund të ndërmerret një atentat në një vend tjetër.

Merkel: "U trishtova njësoj si miliona sportdashës"

Megjithatë, të mërkurën në mëngjes Kabineti i Sigurisë i qeverisë gjermane u mblodh në Kancelari për të diskutuar pasojat për sigurinë e brendshme. Shumë ministra, duke përfshirë edhe kancelaren patën udhëtuar drejt Hanoverit për në ndeshje. "U trishtova njësoj si miliona sportdashës", e komentoi përjetimin Kancelarja. Megjithatë anulimi kishte qenë i drejtë. "Në rast dyshimi vendoset pro sigurisë", theksoi Merkeli. Aktivitete të tjera të mëdha – ndeshje futbolli, tregjet e Krishtlindjeve ose festat popullore – megjithatë ajo nuk i sheh në rrezik. Edhe më tej mbetet e mundur që "të zhvillojmë aktivitete të mëdha" dhe "që të gëzohemi në këto aktivitete". Ajo falenderoi autoritetet e sigurisë për punën e tyre profesionale si dhe fansat dhe qytetarët e Hanoverit për "reagimin e tyre të matur dhe të qetë". Me këtë – megjithë zhgënjimin – është dhënë një sinjal i qartë kundër terrorit, tha kancelarja.

Mbrojtja e Kushtetutës: "Sulmi i stilit të Mumbait" shënon ndryshim

Presidenti i Mbrojtjes Kushtetuese, Hans-Georg Maaßen e konsideron shumë real rrezikun e një atentati të IS në Gjermani. Në emisionin e mëngjesit të ARD-së ai tha: "Nëse IS e ka mundësinë të kryejë atentate terroriste në Gjermani, ai do ta bëjë këtë, ky është shqetësimi ynë." Maaßen theksoi njëkohësisht se atentatet terroriste që u kryhen njëkohësisht në disa vende në Paris paraqesin një cilësi të re të terrorrit në Evropë. Këto "sulme të stilit të Mumbait", tha ai duke iu referuar 17 atentateve terroriste që tronditën në vitin 2008 metropolin indian të Mumbait, përfaqësojnë për Evropën "një sfidë shumë të madhe."

Presidenti Federal, Gauck ndezi pas atentateve të Parisit një debat në Gjermani, kur në Ditën Përkujtimore e karakterizoi terrorin e IS "si luftë". "Jetojmë në kohë, në të cilat mbajmë zi për viktimat e një lloji tjetër lufte", tha ai në Bundestag.

Bundeswehri për t'u mbrojtur nga terrorizmi?

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble mendon se ka ardhur koha për hapa të tjerë. Ai propozoi që ushtria gjermane, Bundeswehri të marrë përsipër detyra edhe brenda vendit. "Po të kishim një situatë si në Paris, ndoshta me atentate në tri deri katër vende, do të na duhej të mendonim nëse aftësitë tona për t'u mbrojtur me policinë janë të mjaftueshme", tha Schäuble në një aktivitet në Dyseldorf , siç njofton gazeta "Rheinische Post". Shefat e policisë të landeve gjermane u konsultuan në një konferencë telefonike nëse duhet të merren masa shtesë sigurie – veçanërisht duke pasur parasysh sezonin e tregjeve të Krishtlindjeve që nis në Gjermani. Bavaria bëri presion: Ministri i Brendshëm i Bavarisë tha që të martën se policia bavareze do t'i intensifikojë "masivisht" kontrollet pa shkas konkret për terroristët në afërsi të kufirit.

SHKARKO APP