Avokatët publikë të Becchetit dhe asistentja Ajola
Nga Mero Baze
Erion Veliaj duket kandidat me fat në këtë fushatë elektorale. Një javë para mbylljes së fushatës, nëse bën bilancin e sulmeve ndaj tij nga kundërshtarët, del që problemi i tij sipas Partisë Demokratike është Ajola. Ajo ka faj se i ka kërkuar të martohet në Gjirokastër, ka faj se ka punuar tek studioja ligjore Tashko Pustina si asistente e sapodiplomuar në Paris, ka faj se studioja ligjore i ka dhënë një autorizim të regjistrojë biznesin e një gjeorgjiano- izraeliti, megjithëse ajo as ka shkuar ta regjistrojë dhe së fundmi ka faj se gjatë korrespodencës mes studios dhe arbitrazhit në Romë, kjo ka shërbyer si sekretare duke shkruar në italisht një prej emaileve.
Edhe pse faji nuk ekziston askund në këto gjeste, po e pranojmë një moment se ekziston. Problemi është se kandidati i shumicës për Bashkinë e Tiranës është Erion Veliaj dhe është hera e parë në historinë e këtij vendi, që në një fushatë, bilanci i sulmeve ndaj gruas së kandidatit në raport me sulmet ndaj vet kandidatit, shkon disafish.
Problemi i parë, që krijon kjo fushatë histerike qesharake, është se duket sikur Erionit nuk i kanë gjetur asgjë për ta sulmuar dhe merren me punën e gruas kur ka qenë asistente. Ky është një nder që nuk i është bërë asnjë kandidati, qoftë dhe atyre më të parëndësishëm në garë. Dhe po të kesh parasysh që kandidatëve të tjerë nuk u mbarojnë as skandalet personale, as historitë e errëta të jetës së tyre, është luks i madh që kandidatit më të rëndësishëm të opozitës, kanë filluar i qëmtojnë ndonjë gjë nga punët që ka bërë gruaja.
Problemi i dytë, është inkorehenca e PD-së në këto sulme. Në rastin e biznesmenit gjeorgjiano- izraelit, studioja ligjore Tashko Pustina, nuk është avokate e problemit penal të tij, por një studio që ka marrë përsipër regjistrimin e biznesit të tij, i cili kishte ndërkohë dhe shumë biznese të tjera nga koha e Berishës. Në aktin e regjistrimit, të cilin nuk e ka bërë as zonja Veliaj, nuk ka akt kriminal, pasi nuk di që ndonjë biznes në botë, ditën që regjistrohet e shoqëron dhe me deklaratë se çfarë krimi do të bëjë gjatë rrugës. Ditën që regjistrohen, bizneset janë të pafajshëm dhe krimi lind rrugës. Gjatë rrugës, ky biznesmen ka avokatë të tjerë dhe tani që është nën hetim ka avokatë të tjerë. Ai ka qenë i afërt me Berishën, mik me Shkëlzenin, ortak me Dritan Priftin dhe vazhdon akoma bizneset e tij në Shqipëri dhe gjetkë. Nuk e di sesi gjithë bota rreth këtij biznesmeni është e pafajshme dhe fajtore është një asistente që ka punuar në studion që ka regjistruar biznesin e tij dhe që ka pas një prokurë ta përfaqësojë në procedurat e regjistrimit.
Rasti i dytë është dhe më qesharak. Ndërsa prokuroria ka lëshuar urdhër arresti për Francesco Becchetin për pastrim parash, Partia Demokratike dhe Sali Berisha i dolën në mbrojte duke e quajtur sulm politik. Ata u bënë avokatët kryesorë të Becchetit. I pari që e mbrojti ishte Shkëlzen Berisha, duke e quajtur aktin e prokurorisë, një sulm të shëmtuar politik. Pastaj doli Berisha dhe me radhë. Fare papritur rezulton që meqë zonja Veliaj ka punuar si asistente në atë studio, ka qenë dërguese e një emaili në italisht për arbitrazhin në Itali dhe bota u përmbysë. Partia Demokratike e shpall avokate të Beçhetit dhe e akuzon për pastrim parash.
Deri tani avokatët e Becchetit janë publikë. Avokati që e mbrojti i pari politikisht është Shkëlzen Berisha dhe babai i tij. Avokati që mbron çështjen e tij penale, është një nga njerëzit më me përvojë në Shqipëri për çështjet penale, ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Ajola as e mbrojti politikisht, as e ka mbrojtur ligjërisht, por thjesht ka punuar asistente në një studio dhe ka çuar emaile. Tani se ç’opozitë kemi mund ta gjykoni vet. Është gati të lëpijë atë që ka pështyrë mbi prokurorinë për Becchetin duke e mbrojtur si viktimë, duke e kthyer menjëherë në mafioz, vetëm që të quhet Ajola përgjegjëse në këtë histori. Përtej konceptit qesharak që po krijohet për avokatët, sikur janë të barabartë si fajtor me klientët e tyre, kjo është dhe një idiotësi e rrallë politike. Një avokat që mbron dikë, pavarësisht se Ajola në këtë rast nuk është as avokate, nuk do të thotë se është fajtore si klienti. Dikush, kur mbron një vrasës si avokat, nuk do të thotë se ka vrarë dhe as kur mbron dikë që ka probleme ligjore me financat, nuk është trafikant. Ai është ose avokat i zoti, ose avokat i dobët. Por ky debat nuk ka shumë vend, pasi Ajola nuk është fare avokate në asnjë rast. Kjo do të vlente nëse do të ishte.
Kjo është shkretëtira më e madhe e ideve që kam parë në një fushatë elektorale për sulmet ndaj kundërshtarëve. PD duhet të mbledhë mendjen nëse ka probleme me Erion Veliajn si kandidat, apo ka probleme me gruan e tij. Nëse ka problem me këtë të dytën, duhet të ndajë mendjen nëse Beccheti është pastrues parash apo viktimë e prokurorisë. Dhe kur të qartësohet, të na kthejë përgjigje, se dhe një javë mbeti. Se deri më sot, në versionin më të keq po na rekomandojnë që Erionit s’kemi ç’ti themi, po i kemi inat gruan. Në fakt as Veliaj s’ka çfarë t’i thotë Berishës për këtë fushatë. Dhuratë më të mirë s’mund t’i bënte!
"TEMA"