Axhenda 2030, lente për diskutimin e përparësive të Shqipërisë gjatë sezonit zgjedhor

Nga Brian J. Williams*

Javën e shkuar u arrit një marrëveshje shumë e rëndësishme politike, e cila bën të mundur zgjedhje më përfshirëse. Kjo gjë hap rrugën për diskutime të mbështetura në te dhena në lidhje me përparësitë e duhura për popullin shqiptar. Axhenda 2030, e njohur gjithashtu si Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), ofron një kuadër të shkëlqyer për këtë debat.

Në angazhimin e popujve të tyre për realizimin e Axhendës 2030, udhëheqësit e botës kanë përcaktuar një ambicie globale, e cila kërkon që qytetarët, qeveritë dhe sektori privat të punojnë në harmoni. Por, ky bashkëpunim do të jetë produktiv vetëm në mjedise që sundohen në mënyrë efikase nga ligji dhe qeverisen nga institucione të përgjegjshme. Objektivi 16 i Zhvillimit të Qëndrueshëm bën thirrje pikërisht për këtë. Tani që në Shqipëri disa nga vendimet kritike janë marrë për sa i takon reformës në drejtësi, cilat janë ato veprime që do t’i bënin të gjithë qytetarët të mendojnë se kanë një mundësi të mirë dhe të barabartë përpara ligjit?

Në bazë të asaj që ofron ligji, OZHQ-të ofrojnë nje lente përmes të cilës qytetarët dhe udhëheqësit e tyre kanë mundësi të shqyrtojnë të gjithë gamën e përparësive shoqërore.

Për shembull, a duhen përdorur burimet publike të Shqipërisë – sado të mëdha apo të vogla qofshin – për të pastruar basenet e lumenjve, për të administruar mbetjet bashkiake dhe për të pasur male dhe plazhe më të pastra për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit edhe për brezat e ardhshëm? Apo mos duhet investuar më shumë për një arsim më të mirë – duke trajnuar mësuesit me qasjet më të fundit bazuar në aftësitë e nxënësve, duke përmirësuar ndërtesat e shkollave dhe blerë pajisje dhe duke zgjeruar trajnimin profesional? Apo për rrjetin kombëtar të komunikimit, infrastrukturën rurale dhe zhvillimin e bujqësisë? Çfarë ndikimi do të kishin këto investime në pabarazinë apo në migrimin nga fshati në qytet? Cilat janë hapat kritike për të siguruar që bashkitë e “reja”- kryetarët e bashkive, këshillat bashkiake dhe komunitetet – të bëhen qendra të fuqishme të zhvillimit demokratik, të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut dhe nxisin përfshirjen?

Nuk ka përgjigje të drejta ndaj dilemës së përhershme se ka shumë punë për të bërë dhe se burimet janë të pamjaftueshme. Por, votuesit duhet të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre për sa u takon përparësive dhe të kuptojnë se çfarë kompromisesh kërkohen.

Çdo parti politike në Shqipëri që aspiron për një shoqëri të begatë, të qëndrueshme dhe të drejtë, duhet të jetë e qartë për sa u takon Objektivave – që zakonisht përmenden me akronimin #OZHQ.

Për shembull: kur do të mundej Shqipëria të zhdukte varfërinë (OZHQ 1, Pa varfëri), që aktualisht është 14.3% (e dhene e vitit 2012) apo t’u përgjigjet nevojave të grupeve të cenueshme, përfshirë fëmijët në zona të thella, që vazhdojnë të rrezikohen nga ushqyerja e pamjaftueshme dhe pasiguria ushqimore (OZHQ 2)? Si e kupton partia juaj pyetjen, kush lihet pas në Shqipëri?

Si do të arrihet OZHQ-ja 3 (Shëndet i mirë dhe mirëqenie) dhe OZHQ-ja 4 (Arsimi cilësor)? Kur pret Shqipëria të arrijë mesataren e OECD-së prej 6% të shpenzimeve të PBB-së për secilin prej tyre, kur investimet aktuale në arsim dhe shëndetësi përbëjnë 3% të PBB-së?

Sot gratë e Shqipërisë janë më të varfra se burrat, kanë më pak gjasa të punojnë në sektorin formal (sidomos në ferma), dhe ka akoma shumë gra që kërkojnë leje nga burrat apo të afërmit meshkuj për mënyrën si ta jetojnë jetën e tyre. Më shumë se gjysma e grave shqiptare (të moshave 15-49 vjeçe) kanë përjetuar të paktën një formë dhune në familje gjatë jetës së tyre. Për t’i adresuar këto sfida që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, çfarë propozon partia juaj që të bëjë qeveria – jo thjesht në nivel qendror, por në të gjitha nivelet, përfshirë bashkitë – për të arritur barazinë gjinore (OZHQ-ja 5)?

Së bashku, #OZHQ-të japin një panoramë të plotë të asaj që çdo Shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara në planet – 193 qeveri që përfaqësojnë 7.5 miliardë njerëz me një mori të paimagjinueshme stilesh qeverisjeje, kulturash, fesh dhe burimesh – mendon se është thelbësore, pavarësisht nga diversiteti i tyre.

Qytetarët e Shqipërisë duhet të kenë ujë të pastër (OZHQ 6) dhe energji të pastër (OZHQ 7). Mundësitë e punësimit në shkallë të gjerë (OZHQ 8), veçanërisht për të rinjtë (papunësia e të rinjve është ende 30 %), duhet të lidhen me shoqëri private novatore (OZHQ 9) dhe politikat e zhvillimit duhet të synojnë pakësimin e pabarazive, jo pasurimin e të pasurve në kurriz të përjashtimit të të tjerëve (OZHQ-ja 10). Cilat janë politikat prioritarë që partia juaj do të ndjekë për ta bërë të mundur këtë?

Në një çast largpamësie globale, Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara hartuan #OZHQ-të, të cilat kërkojnë nga të gjitha vendet të planifikojnë një planet për ta gëzuar fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Teksa planeti migron drejt qyteteve, qendrat urbane duhen planifikuar në mënyrë të qëndrueshme (OZHQ 11), duke përfituar nga prodhimi i qëndrueshëm dhe riciklimi (OZHQ 12). Kombe si Shqipëria që kanë dhënë shembullin e tyre përmes angazhimit për të reduktuar çlirimin e karbonit me 11.5% — duhet të mendojnë për klimën (OZHQ 13), si edhe për të mbrojtur burimet detare (OZHQ 14), tokësore (OZHQ 15) dhe burimet natyrore, veçanërisht në parqet kombëtare ku bio-diversiteti mund të kërcënohet nga zhvillimi i infrastrukturës.

Shqipëria ka ndërmarrë shumë reforma themelore gjatë viteve të fundit, megjithatë, ajo vazhdon të përballet me shumë sfida të thella. Por, në këtë sezon zgjedhor, udhëheqësit duhet ta vënë popullin dhe planetin në qendër të debateve. Shpjegimi nga ana e një qeverie shqiptare se si synon t’i arrijnë #OZHQ-të do t’i ndihmonte të gjithë qytetarët shqiptarë, qofshin të pasur apo të varfër, nga zonat urbane apo rurale, Romë apo egjiptianë, meshkuj apo femra – të besojnë se udhëheqësit publikë i vënë interesat e tyre mbi gjithçka.

*Koordinatori rezident i Kombeve të Bashkuara, perfaqesues i Perhershem i UNDP dhe ekipi i Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë

SHKARKO APP