“Bad News” për Europën

 

David Cameron do të drejtojë sërish Britaninë e Madhe. Pavarësisht fitores së qartë dhe të papritur në zgjedhje, ai do hyjë në këtë legjislaturë më i dobësuar. Për Europën është fatale, pasi tani do të vijë referendumi për Brexit

Nga Christoph Scheuermann, Spiegel

 

Konservatorët janë me të vërtetë partia më e madhe, por David Cameron është vetëm një fitues gjysmak i këtyre zgjedhjeve. Ai nuk do jetë një kryeministër i fuqishëm. Ky është problem në disa nivele.

Së pari, ky është një rezultat i keq për Europën. Kjo do të thotë se Cameron, i dobët, do jetë i shantazhueshëm nga partia e tij, siç ishte këto pesë vite të shkuara. Euroskeptikët në rreshtat e fundit të Parlamentit, që kanë vendosur tonin në debatin për BE gjatë viteve të fundit, do jenë edhe më të fuqishëm. Një grup i vogël dezertorësh do jetë i mjaftueshëm për ta vendosur kryeministrin nën presion.

Edhe kërcënimi për një humbje do jetë i mjaftueshëm për të gjunjëzuar qeverinë.

Konservatorët i kanë tejkaluar pritshmëritë në këto zgjedhje, por Cameron nuk kthehet në Downing Street si një forcë qendrore.

Nëse sheh hartën e re politike të Britanisë, sheh një vend të ndarë.

Skocia është bërë një shtet njëpartiak me një SNP patriotike, qëllimi afatgjatë i të cilëve mbetet shkëputja nga pjesa tjetër e Britanisë.

Nicola Sturgeon, shefja e SNP, është fituesja e këtyre zgjedhjeve. Ajo i ka bërë nacionalistët skocezë më të fuqishëm se kurrë.

Në Angli, Partia për Pavarësinë, UKIP, do jetë partia e tretë më e madhe. Për shkak të sistemit zgjedhor, kjo është reflektuar vetëm me dy vende në parlament, por ky ishte një mesazh i qartë për Konservatorët dhe Laburistët: nuk na shmangni dot.

Veriu i përket SNP. Jugu i përket, së paku në një pjesë, patriotëve anglezë.

Çfarë mund të presim nga ky vend i ndarë?

Së pari, do intensifikohet debati për Europën. Cameron ka premtuar mbajtjen e një referendumi për BE-në jo më vonë se viti 2017.

Së dyti, në diskutim do të jetë diskutimi për një mbretëri federale. Shumica e skocezëve janë kundër daljes nga BE, prandaj SNP ka paralajmëruar një referendum të ri në Skoci në rast se Britania e Madhe voton për një Brexit. Cameron duhet t’u japë më shumë pushtet skocezëve, me këtë rast edhe uellsianëve, irlandezëve dhe anglezëve, nëse nuk do të humbasë Skocinë.

Vitet që vijnë do shohin teksa luhet në këtë ishull drama e dy unioneve: Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe. Drama mund të bëhet një histori pa fund. Por mund të zgjidhë më në fund edhe kaosin kushtetues brenda mbretërisë.

*Bad News- Lajm i keq

SHKARKO APP