Banditët me maska dhe ata me kollaro

Nga Artur Zheji/Ka një luftë të përhershme në xhungël. Luani sulmon kopetë, hienat shqyejnë mbetjet e luanëve, korbat, ushqehen me mbetjet e mbetjeve. Pastaj vijnë milingonat që pastrojnë gjithshka, mbetjet e mbetjeve, të mbetjeve.

Dhe mbreti krimb, pret me qetësi prej qindra mijëra vitesh, në hallkën e fundit ushqimore të xhunglës, të ushqehet edhe ai, me të gjithë ne, pa dallim nga pasuria, bëmat dhe gjëmat, trimëritë apo frikërat tona njerëzore. Shqipëria, kjo xhungël gjithmon e më e ashpër dhe pa rregulla, na jep vazhdimisht shfaqje të mahnitëshme të “trimërisë individuale”.

Hajdutët me maska, si ata që grabitën aeroportin “Nënë Tereza” , janë ndoshta të egër dhe të dhunshëm, por janë pak të thuash “trima” dhe sfidues, të “rregullave” diktaturë, të banditëve me kollaro, në xhunglën e kapitalizmit primitiv shqiptar.

Ata, hajdutët me maska dhe me pisqolla në duar, si heronjtë e së keqes dhe personazhe hollivudianë, janë në thelb shprehje e mospranimit të diktaturës asfiksuese të parasë dhe të pushtetit politik, të mbështetur mbi paranë e grabitur me mjete të “ligjshme”.

Ata, “banditët” në këtë xhungël, ku vjedhja dhe grabitja është një ritual i përditshëm, kujtoni qindrat e milionave të dhëna si konçesione preferenciale nga kryeministri dhe kryeministrat, duket se nuk pajtohen me këtë ndarje të shpifur dhe të vulosur, të qarkullimit të parasë, nëpër duart e një grushti njerëzish super të pasur. Që kjo qeveri e majtë e të “varfërve”, ka ndërmend ti bëjë edhe më të pasur.

Ca super të pasur pra, që lindën nga hiçi, këto 25 vjet, duke grabitur në “mënyrë të ligjshme” paratë tona dhe mbi të gjitha, paratë e të ardhmes së fëmijëve tanë.

Nëse pra, do të kisha në dorë të vendosja përpara një trupi gjykues, në dënimet për banditët me kollaro, që kapen rrallë ose asnjëherë dhe banditëve që ja mbathën nga Tapiza, Bubqi apo në fshatra të tjera shqiptare, me 3 milionë eurot e grabitura, do jepja dënime shumë më të lehta, për banditët e thasëve të grabitura me kokën në torbë dhe sigurisht me një fëmijëri shumë tragjike e të keqe. Ndërsa për profesionistët e vjedhjes së ftohtë dhe të pabujshme dhe të përditëshme, do të jepja dënime më të rënda, shumë më të rënda.

Thënë kjo, besoj jemi të qartë se çpo ndodh këto ditë të “Reformës” në Shqipëri.

Kryeministri që për turp të të gjithëve, nënvizon shpesh që as nuk e ka lexuar përmbajtjen juridike të kësaj Reforme, ndërkohë që ka vënë në “krye” të punëve të saj, ekspertët e vet më besnikë dhe më të mirë paguar, mbi tavolinë dhe nën tavolinë, ka tani telashe me mediat amerikane.

Dhe çohen e shkruajnë miqtë e tij, të veshur me petkun mediatik të armiqve të të gjithëve dhe të miqve të së vërtetës, se gazeta Washington Times, është e parëndësishme në SHBA, sepse “nuk flet mirë për Ramën”.

Por edhe mund të jetë ashtu, por një zotëri është gjykuar tashmë për një shifër “qesharake” për përmasat e xhunglës shqiptare, prej 80.000 $, nga një Gjykatë Amerikane.

Lidhjet e tij, e Bilalit pra, me kryeministrin shqiptar dhe destinacioni i atyre pak parave për shqiptarët dhe shumë parave për amerikanët , për fushatën e Obamës, janë të qarta. Por nuk janë thelbësore. Ato janë në të vërtetë maja e ajsbergut të parave që udhëtojnë nga Shqipëria e varfër dhe e këputur, jashtë saj, për të ushqyer dhe për të mbrojtur karierat e politikanëve tanë.

Thelbësore është Xhungla dhe lufta më e re, për nënshtrimin e saj me dorë të hekurt nga një grusht njerëzish, super të pasur dhe super të pushtetshëm në Shqipëri. Është serioze dhe e frikshme, aftësia që ka kryeministri ynë, për të grupuar dhe për të “ushqyer” haptas dhe me koncesione qindra milionëshe dhe jo vetëm, një Kastë të Re, që e ndihmon në mbajtjen e pushtetit të vet tashmë jo karizmatik, dhe mbi të gjitha, në ofensivën për pushtimin e të gjitha pushteteve të mbetura pa pushtuar.

Por për këtë dukuri të frikshme, gazetarët trendy të mbprapa ferrave, nuk shkruajnë asfare. Ata merren me kolegët, jetën e tyre. Po le të mos humbim më kohë me këta.

Duket sikur “Shqipëria jonë naïve dhe fëminore”, u trondit shumë nga grabitja e bujshme e 3 apo 10 milionë eurove, të ngarkuara në thasë prej lini, që udhëtonin për llogari ende të panjohur, drejt një destinacioni ende misterioz.

Dhe nuk ka akoma asnjë deklaratë sqaruese të policisë, që të na shpegojë përkatësinë e këtyre parave.

Të na shpegojë se për llogari të kujt udhëtonin me thasë.

Të na shpegojë pse me thasë dhe jo me Bankë?

Dhe të tjera si këto, që të paktën brenda 12 orësh do të ishte detyrim të bëheshin publike.

Por pamvarsisht së habisë së shqipëtarëve, duket se dora e banditëve i la ato para akoma edhe për ca kohë në Shqipëri, duke u shndërruar në një “kleçke”, që po të ketë pak vullnet të mirë do të na shpegojë së paku tre gjëra:

  1. Përkatësine e këtyre parave
  2. Përsenë e habitshme sepse udhëtonin cash
  3. Dhe legalitetin e destinacionit të tyre.

Për që shqiptarët të qetësohen, këto 3 apo 10 milionë euro, janë veçse thërmija, në trafikun dhe trafikimin e parave që qarkullojnë në Shqipëri dhe që largohen nga Shqipëria, në duart e krybashkiakëve të buzëdetit, të disa ministrave apo të disa ish ministrave të tjerë…

Por si në një Fushatë Zgjedhore të rrejshme, mos besoni nëse ju thonë se Reforma në Drejtësi, do të jetë Zgjidhja Finale e të këqiave tona.  Në rastin më të mirë, kjo Reformë do të jetë një riqarkullim juristësh dhe një rishpërndarje e re e parave, nga gjykatësit e vjetër, te gjykatësit më të rinj, borxhlinj tashmë të qeverisë aktuale.

Dhe në rastin më të keq, që është edhe Rasti që druaj më shumë, kjo Reformë, e bukur në vitrinë dhe e errët nga pas, do të vendosë një neo Diktaturë, të përzier të Politikës aktuale me një Trupë Gjykuese të Re, që do të shërbejë, si dikur gjykatat revolucionare në vendosjen e një Rendi të Ri, në Xhunglën shqiptare.

Një “Rend të Ri”, simbas metodave të vjetra neostaliniste, ku lufta politike do të ketë një bosht të remë moral, në emër të të cilit, “Populli”, do të thirret të kërkojë nëpër Gjygjet e Hapura, dënimet maksimale, për “Armiqtë hajdutë” të demokracisë shqiptare.

Dhe kështu, në emër të një “morali të remë e të ri”, hajdutët me kollaro, do të rrinë në një podium me prokurorët e zgjedhur me stil të veçantë nga “Reforma”, ndaj të tjerëve, kundërshtarëve të tyre politikë ndërkohë, që do të trajtohen si banditët me maska.

Ta dinte ky brezi ynë i ri, se sa këngë me çifteli apo labërishte, janë ngritur e kënduar për Reformën Agrare, të Hoxhës, në emër të të varfërve dhe që solli mjerimin 45 vjeçar të shqiptarëve, do të ishte më skeptikë sot.

Skeptikë, ndaj këngëve të reja që po thurrin mediat e kryeministrit dhe tekstet e këtyre këngëve, që po shkruhen nga Lapset majëholla të agjitatorëve të tij të rinj dhe më trendy.

 ……………………

 Dhe ka pra një luftë të përhershme në xhungël.

 Luani sulmon kopetë, hienat shqyejnë mbetjet e luanëve, korbat, ushqehen me mbetjet e mbetjeve. Pastaj vijnë milingonat që pastrojnë gjithshka, mbetjet e mbetjeve, të mbetjeve.

 Dhe mbreti krimb, prejt me qetësi prej qindra mijëra vitesh, në hallkën e fundit ushqimore të xhunglës, të ushqehet edhe ai, me të gjithë ne, pa dallim nga pasuria, bëmat dhe gjëmat, trimëritë apo frikërat tona njerëzore… 360gradë.al

SHKARKO APP